PS këmbëngul për 46 bashkitë, PD paralajmëron përplasjen e radhës: Në rrezik Reforma Zgjedhore
Mazhoranca socialiste nuk tërhiqet nga projekti për ndarjen e re territoriale me 46 bashki. Drafti pritet të kalojë të hënën në Komisionin e Ligjeve, në parim dhe nen për nen, ndërsa më 8 tetor do të shkojë për votim në seancë plenare. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, e bëri të qartë qëndrimin e mazhorancës, duke deklaruar: “Kjo miratohet më 8 tetor… shkoni në Kushtetuese”.
Kundërshtimet e opozitës, qëndrimet e këshillave bashkiakë dhe kryebashkiakëve, por edhe protestat e qytetarëve nuk duket se kanë ndryshuar qëndrimin e socialistëve për hartën e re territoriale. Demokratët kundërshtuan draftin dhe paralajmëruan se vendimi i mazhorancës mund të ndikojë në dialogun politik për reformën zgjedhore. Përplasja mes palëve u shoqërua edhe me replika e batuta në Komisionin e Ligjeve, teksa diskutimi për bashkitë që parashikohet të shkrihen solli edhe momente ironie.
Nismëtari socialist i projektligjit, Arbjan Mazniku, paraqiti rezultatet e konsultimeve me njësitë vendore dhe vendimet e marra prej tyre. Mazniku mbrojti propozimin e mazhorancës, duke sfiduar opozitën të identifikojë shërbimet që, sipas tij, do të largohen nga qytetarët si pasojë e hartës së re. Në debat u përfshi edhe përplasja politike brenda opozitës. Mazhoranca ngriti pretendimin se Sali Berisha nuk kishte paraqitur në kohë një propozim alternativ për bashkitë që drejtohen nga e djathta.
Beteja kalon në fazën finale. Deri të hënën, Komisioni i Ligjeve pritet të shqyrtojë dhe miratojë draftin në parim dhe nen për nen. Arbjan Mazniku duhet t’u vërë në dispozicion deputetëve dokumentacionin e konsultimeve. Hapi i fundit pritet të jetë seanca plenare e 8 tetorit, ku mazhorancës i nevojiten të paktën 84 vota për miratimin e ndryshimeve në ndarjen territoriale.

