PS kërkesë Kuvendit: Gazment Bardhi të përjashtohet për 30 ditë
Grupi parlamentar i PS-së kërkoi sot nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtimin për 30 ditë të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Kërkesa vjen pas seancës së datës 16 tetor, në të cilën, sipas PS, veprimet e qëllimshme për të penguar zhvillimin normal të seancës, krijuan kaos në sallë, duke bllokuar vijimin e punimeve dhe penguar të drejtën e fjalës të deputetëve të tjerë.
“Në seancën e datës 16 tetor gjatë zhvillimit të diskutimeve mbi çështjet e rendit të ditës, ku konkretisht po raportonin Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, deputeti Gazment Bardhi ndërhyri në mënyrë të përsëritur me tone arrogante, duke ndërprerë folësin, duke përdorur fjalë shumë të rënda fyese ndaj Kryetarit të Kuvendit, veprime këto që përbëjnë shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të etikës parlamentare”, thuhet në kërkesën e grupit parlamentar të PS-së.
PS kërkon thirrjen e mbledhjes së Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore. Në seancën e datës 16 tetor, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi nga seanca plenare kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhin, pas debateve në seancë.
KOHA JONË SONDAZH


