PS kërkon 46 bashki, Luçiano Boçi: Jemi përballë një rreziku pushtues, ka si synim shpopullimin e Shqipërisë
Bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi ka kundërshtuar në Kuvend propozimin e mazhorancës për ndarjen territoriale të vendit. Boçi e cilësoi situatën si një “rrezik pushtues” ndaj territorit dhe lirisë së qytetarëve, duke e lidhur reformën me atë që ai e konsideron si një proces të rrezikshëm shpopullimi.
Sipas deputetit demokrat, një pjesë e territorit shqiptar po mbetet pa përfaqësim dhe pa shërbime të mjaftueshme. Ai kritikoi mënyrën se si janë konceptuar bashkimet e reja administrative dhe ngriti pikëpyetje mbi përfitimet ekonomike të tyre. ”Jemi përballë një rreziku pushtues ndaj territorit dhe lirisë së qytetarëve. Jemi përballë një pushtimi tjetër pas 582 vitesh dhe ai ka të njëjtin qëllim: shpopullimin e vendit”, deklaroi Boçi.
Ai u ndal veçanërisht te zonat periferike të Tiranës, duke marrë si shembull Zall-Herrin, ku sipas tij mungesa e shërbimeve është dëshmi e problemeve që ka sjellë organizimi aktual territorial. Boçi kritikoi gjithashtu vendimin për të përfshirë Rinasin në territorin e Tiranës, duke ngritur pyetjen se pse Krujës i hiqet një zonë me rëndësi strategjike dhe ekonomike. ”Nëse humbasim toponimet, kemi humbur historinë dhe, nëse humbasim historinë, kemi humbur Shqipërinë”, tha ai, duke e lidhur ruajtjen e identitetit territorial me historinë dhe të ardhmen e vendit.
Sipas Boçit, mazhoranca nuk ka ndjekur një logjikë të qartë ekonomike në hartimin e ndarjes së re territoriale, ndërsa akuzoi qeverinë se ka përdorur interesa politike në vendimmarrje. ”Ju keni marrë për bazë mendimin e turistëve. Ju keni pyetur turistët dhe keni në bazë të ndarjes territoriale vendimet tuaja politike”, u shpreh deputeti demokrat.
Në përfundim të fjalës së tij, Boçi iu drejtua deputetëve që pritet të votojnë reformën, duke i vënë përballë përgjegjësisë që, sipas tij, mbart ky vendim ndaj qytetarëve. ”Dua t’i bëj një pyetje ndërgjegjes së deputetëve që do të votojnë për Reformën: a do mundet ai t’i dalë përballë atij qytetari që i ka dhënë besimin?”, përfundoi Boçi.

