PS në kërkim të 84 votave për 46 bashki, në mbledhjen e grupit të PS mungon Balluku
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur këtë mëngjes, pak para nisjes së seancës plenare, ku pritet të hidhet në votim reforma e re territoriale e propozuar nga mazhoranca, për 46 bashki.
Në mbledhje ka marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa ka munguar ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku. Vëmendja është përqendruar te qëndrimi që do të mbajnë dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj. Në mbledhjen e mëparshme të grupit parlamentar, të dy deputetët kundërshtuan draftin dhe deklaruan se do të votonin kundër tij.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Braçe dhe Sinaj do ta mbajnë të njëjtin qëndrim edhe në sallën e Kuvendit, duke ngritur kartonin e kuq ndaj reformës.
Drafti i ri parashikon shkrirjen e 15 bashkive në të gjithë vendin. Për miratimin e tij nevojiten 84 vota në Kuvend, çka e bën të rëndësishme çdo votë të mazhorancës.

