PS nuk e dorëzoi Ballukun, reagon Ambasada e Holandës: Ndjekja penale e korrupsionit, kërkesë kyçe për integrimin
Ambasada e Holandës në vendin tonë, në një reagim pas votimit në Kuvend, e cilëson ndjekjen penale të korrupsionit si kyçe për integrimin në Bashkimin Evropian.
“Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirat e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta. Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë do të jetë në gjendje të vazhdojë shpejt dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për sigurimin e këtij procesi”, thekson ambasada e Holandës.
Më herët reagoi edhe Ambasada gjermane, e cila thekson se ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në rastet e zyrtarëve të lartë është kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve. Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, thuhet në reagim.
KOHA JONË SONDAZH

