Pse gënjejmë në 1 Prill?
Kush beson në 1 Prill një gënjeshtër, me të qeshin e tallen. Një traditë kjo që vazhdon prej kohësh kudo, por se kush ka gënjyer fillimisht në 1 Prill, kjo ende nuk dihet saktë.
Thuhet se shakaja që përsëritet çdo vit, mund të ketë të bëjë me romakët e lashtë, që këtë datë festonin një festë luksoze për nder të perëndeshës Venus, me gjithfarë lojërash dhe orgji.
Një shpjegim tjetër është ai i parlamentit të Augsburgut i vitit 1530, me anë të të cilit duhej të unifikohej i gjithë sistemi monetar. Dhe 1 Prilli u caktua si dita e posaçme e monedhës, por që pak para kësaj dite u shty, kështu që shumë spekulantë i humbën paratë e tyre dhe për këtë u tallën dhe u përqeshën.
Por më e besueshmja është se shakaja e prillit vjen nga mbreti francez Karli IX.
Kur reformoi kalendarin gregorian në 1564, ai e kaloi në datën 1 Janar festën e Vitit të Ri, që deri atëherë festohej më 1 Prill, por që shumë vetë deri atëherë nuk e kishin marrë vesh. Ata pastaj, prej atyre që e dinin, uroheshin në prill për Vitin e Ri, që në fakt ishte i vjetri. E kjo u kthye si një shaka.
Por ashtu si shumë tradita të tjera, edhe ajo e 1 Prillit ka ndryshuar shumë.
“Të kuptuarit tonë për humorin në një masë të madhe ua kemi dhënë në dorë mediave. Ne i shohim shakatë në televizion, apo qeshim me shakatë në radio. Kurse shakatë e prillit krijohen në media”, thotë folkloristi Gunther Hirschfelder.
Kështu, në ditën e shakasë ne mashtrohemi thuajse vetëm nga mediat me lajme të rreme dhe gënjeshtra, ku legjendare janë truket e televizionit BBC.
Kujtojmë se më 1 Prill 1957 kanali britanik njoftoi për shembull për korrjen e makaronave në Tesin. Dhe në ekran spektatorët e habitur panë se si fshatarët zvicerianë merrnin makaronat e gjata nga pema.