Pse gruaja nuk njihet si pronare e tokës?

Nga Marije Bezhani

Një temë që zgjon debat në shume rajone të Shqipërisë është ajo për të drejtën e trashëgimisë që gëzojnë femrat, por e cila në të shumtën e rasteve nuk realizohet në praktikë. Zhvillimi bëhet më i shpejtë kur jo vetëm burri por edhe gruaja siguron dhe merr të drejtat e saj mbi tokën, gjë e cila deri më sot është mohuar. E drejta e gruas mbi tokën është e lidhur me të drejtën e grave për të qenë pronare ose bashkëpronare e tokës që disponon, por a kemi sot gra apo vajza që të jenë të tilla, mendoj se jo ose mund të jenë raste të veçanta. Këtë e them duke u nisur edhe nga komuna nga ku unë vij (Gjinari) ku: Nga 900 familje që ka kjo komune, asnjë nuk njihet e dokumentuar si pronare apo bashkëpronare për tokën që zotëron familja.

Gruaja apo vajzat nuk njihen si pranverë të tokës, por në fakt ato janë shumë të lidhura me tokën duke e punuar, mbyllur, sistemuar e duke vjelur e shitur prodhimet e saj. Prandaj duke u nisur nga puna e tyre në tokë, në pylltari, livadhe e vreshta, është e domosdoshme dhe njerëzore që të njihen këto kontribute duke i dhënë asaj të drejtën mbi tokën. Për këtë mendoj se duhet rritur puna për ndërgjegjësimin e vetë grave që ato të jenë të parat për të ngritur zërin për të drejtat e tyre edhe në këtë drejtim. Mentalitetet për pronësinë, ku çdo gjë mbi tokë e ka burri ose djali, duhet të marrë fund. Për këtë duhet edhe mbështetje ligjore, gjë e cila ka filluar siç është rasti i tapive që duhen firmosur edhe nga gruaja. Duhet të pranojmë se ka edhe raste ku vetë gruaja largohet nga bashkëpronësia duke lënë pronarë burrin ose djalin me mendimet e gabuara që ajo ka, si psh: Burri duhet të jetë pronari se është i truallit, është me moshë më të madhe, është më i dalë në shoqëri, është më i shkolluar e të tjera si këto. Por, duhet që këto raste t’i ndërgjegjësojmë me punën tonë duke ju thënë se për to mund të vijë një moment i veçantë dhe i padëshirueshëm që ato mund të gjenden të fyera e të poshtëruara e jo në vendin e duhur, por tek dera, tek shkalla ose edhe jashtë shtëpisë sepse është e ç’veshur nga çdo pronë. Mendoj se edhe shkëmbimi i përvojave pozitive mes grave që përdorin tokën, do të jetë një gjë e mirë dhe i shërben ndërgjegjësimit. Gratë për vetë faktin që kanë një forcë të madhe të brendshme e bën atë që të marri mbi vetë përgjegjësi individuale e familjare për tokën dhe të ardhurat prej saj. Po kështu, jo pak e rëndësishme mbetet edhe problemi i pjesëmarrjes së grave në vendimmarrjen për tokën, gjë e cila mendoj se është në nivele shumë të ulëta e duhet reflektuar. Fakti që në këshillat komunare apo në komisionet e ngritura që trajtohen edhe problemet e tokës, pyllit, vreshtat etj. ka shumë pak gra, tregomn se vendimet mbeten po mashkullore dhe u shërbejnë jo atyre. Për tokën, pyllin, ujin, ajrin është folur shumë dhe ata që dëgjojnë edhe mërziten, por unë them le të mërziten e punët të bëhen se sa të lëmë të qetë e toka e pylli t’i shkatërrohet. Mendoj se detyra e burrave, grave e strukturave përkatëse, duhet të jetë që: kjo gjeneratë e sotme t’i lërë gjeneratës që vjen, një tokë e një pyll në një gjendje më të mirë se sa e ka gjetur dhe kjo bëhet e realizueshme kur nuk përjashtohet fjala, puna, kontributi dhe vendimmarrja e grave.

SHKARKO APP