Pse heshtet ndaj vlerave të mërgatës shqiptare në Greqi?
Nga Abdurahim Ashiku
Shtypit të shkruar dhe elektronik në Tiranë i ka munguar, i mungon dhe me gjasë do t’i mungojë, “lajmi i mirë”, vlerat e mëdha që mërgimtarët shqiptarë përcjellin çdo ditë, në përmasa gjithnjë e më të mëdha, në të gjitha fushat e jetës e veçanërisht në atdhetarizmin e tyre në të gjitha drejtimet. Lajmet për krimetë mërgimtarëve tashmë janë bërë “kafe” e mëngjesit, “hape gjumi” e mbrëmjes në median shqiptare me figurë, zë, me fotografi e shkrime a thua se kjo është jeta e tyre larg atdheut…
Një shqiptar në Kallamata të Greqisë vrau të dashurën dhe më pas vrau veten…
U lakua me zë e me figurë lëçitësish në të gjithë ekranet e vegjël valët e të cilëve pasi ngjiten nga studiot televizive në satelitë që e shohin botën në “pëllëmbë të dorës” zbresin kudo,gjithkund ku ka mërgimtarë që flasin shqip e që u digjet shpirti për mëmëdheun që ishin të detyruar ta braktisin.
Lajmi, të nesërmen, e hënë 16 shkurt, zuri faqet e para të gazetave, lexuar nga lëçitës të të gjithë stacioneve televizive shqiptare…
Lajme të tilla, në kohën më të shkurtër të mundshme, në flash, tashmë janë bërë “kafe” e mëngjesit, “hape gjumi” e mbrëmjesnë median shqiptare: me figurë, zë, me fotografi e shkrime a thua se kjo është jeta e tyre larg atdheut…
Në Greqi, jo zyrtarisht, punojnë e jetojnë, me letra e pa letra, afro një milionë shqiptarë…
Nga këta “një milionë” herë pas here (mos me thënë përditë) shtypi ynë i shkruar dhe elektronik, zgjedh krimin, dikë që ka vrarë, ka përdhunuar, ka vjedhur, ka bërë sherr…
Në “një milionë” natyrshëm do të ketë edhe ndonjë që vret, përdhunon, vjedh. Por ky “një në një milionë” nuk përfaqëson kurrë mërgatën shqiptare në Greqi. Shtypi i shkruar dhe ai elektronik shqiptar nuk ka pse ta vërë “lajm të parë”, ta përmendë me emër e mbiemër, ta përshkruaj edhe në detaje ngjarjen.
Në Greqi punon e jeton komuniteti më i madh mërgimtar shqiptar në botë, komunitet që në numër është i barabartë (mos edhe ia kalon) banorëve të kryeqytetit, Tiranës.
Mërgimtarët shqiptarë në Greqi vite më parë, zyrtarisht, nëpërmjet postës apo bankave, dërgonin në Shqipëri rreth një miliardë euro, shumë kjo që është investuar në ndërtim e biznese të tjera, në bukën e përditshme të familjeve të emigrantëve. Sot nuk dërgohen më një miliardë euro çka ka alarmuar shtetin. Remitancat (përkthyer shqip – dërgimet postare) të emigrantëve kanë rënë dhe do të bien.
Mërgimtarët shqiptarë në Greqi gradualisht po integrohen në shoqërinë dhe në shtetin grek. Kanë marrë dhe po marrin nënshtetësi, betohen për besnikëri ndaj Greqisë kur marrin letërnjoftimin, betohen edhe kur marrin armën dhe kryejnë shërbimin ushtarak në radhën e forcave të armatosura greke.
Kjo është e natyrshme ashtu siç është e natyrshme për shqiptarin që merr nënshtetësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bën betimin civil e ushtarak dhe shkon e jep jetën në Afganistan.
Fjalën e kishim tek lajmi i “faqes së parë”, tek ajo që na vret më shumë se çdo gjë tjetër, tek ajo që na identifikon me krimin dhe na lakon me kriminelin.
Shtypit të shkruar dhe elektronik në Tiranë i ka munguar, i mungon dhe me gjasë do t’i mungojë, “lajmi i mirë”, vlerat e mëdha që mërgimtarët shqiptarë përcjellin çdo ditë, në përmasa gjithnjë e më të mëdha, në të gjitha fushat e jetës e veçanërisht në atdhetarizmin e tyre në të gjitha drejtimet.
Në të njëjtën ditëme ngjarjen e Kallamatës, në Rafina, një qytet i vogël port për lëvizjen e trageteve në drejtim të ishujve të Cikladeve, prindërit mblodhën në një klasë fëmijët e tyre dhe ftuan ambasadorin e Shqipërisë tu sjellë abetaret. Shkollimit shqip të fëmijëve shqiptarë në Greqi me gjuhën e nënës iu shtua edhe një shkollë (siç i themi me gojën plot).
Një lajm i tillë duhet të bënte vend si krye lajm i televizioneve shqiptare atë natë, dhe në faqen e parë të të gjitha gazetave shqiptare të nesërmen. Nuk ndodhi.
Dy javë të shkuara Ambasada organizoi promovimin e tre librave “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës” dhe “Shkolla shqipe e Selanikut” ku në mbi njëmijë faqe nxirret në pah përkushtimi qytetar i mësueseve shqiptarë në Greqi, të cilët si në asnjë vend të botës, tash që nga viti 2001, mbledhin fëmijët dhe u mësojnë atyre të shkruajnë, lexojnë e këndojnë gjuhën e bukur shqipe. Bashkë me ta u dha edhe premiera e filmit dokumentar “Vera-mësuesja e dy ishujve”, një rrëfenjë për mësuesen Vera Shkurti që vullnetarisht, pa asnjë pagesë, në fundjavë u mëson gjuhën shqipe fëmijëve të ishullit të Tinosit dhe çdo të enjte udhëton më se një orë me traget për të bërë të njëjtën gjë me fëmijët e ishullit të Sirosit.
Të dielën, më 8 shkurt, Shkolla Shqiptare e Athinës, mblodhi nxënës e ish nxënës të shkollës për të festuar 10 vjetorin e saj. Një ngjarje, them unë, për tu përcjellë si lajm i parë dhe në faqe të parë të gazetave të Tiranë.
Mësuesit shqiptarë në Greqi përbëjnë shembullin unikal të atdhetarizmit aktualisht në mërgatën shqiptare në botë. Numri i tyre i ka kaluar të gjashtëdhjetët (vetëm në Selanik janë njëzet). Për ta shteti hesht dhe shurdhëmemecërisë së shtetit i e pranë me heshtjen e vet edhe shtypi i shkruar dhe elektronik i Tiranës. Tash katërmbëdhjetë vjet nga 7 Marsi i vitit 2001 kur u hap klasa e parë e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e Selanikut asnjë (absolutisht asnjë) mësues nuk është dekoruar nga presidentët e Republikës, asnjë “fletë nderi” nuk është dhënë nga Ministria e Arsimit.
Para dy javësh me nismën e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi në një apartament me rreth njëqind metra katrore në qendër të Omonias u hap “Qendra kulturore shqiptare” në Athinë. E bënë mërgimtarët me dëshirën e madhe që t’i mbledhin shqiptarët gjatë javës e në fundjavë për tu gëzuar me njeri tjetrin. Shteti shqiptarë ndonëse ka marrë “një miliard euro” në vit nga mërgimtarët në Greqi, nuk e ka mbajtur fjalën për një qendër kulturore dinjitoze për më se dyqind mijë mërgimtarë në Athinë. Shtypi i shkruar dhe ai elektronik kishin rastin ma të mirë që përveç lajmit të bënin edhe komente të gjera për mungesën e vëmendjes së shtetit ndaj mërgimtarëve, për premtimet e pa mbajtura të presidentëve dhe kryeministrave gjatë këtij një çerek shekulli për ngritjen e një Qendre Kulturore për mërgimtarët shqiptarë në Athinë.
Në Greqi ka një numër të mjaftueshëm gazetarësh që bashkëpunojnë me gazetat dhe televizionet shqiptare. Faqet e shtypit për ta janë të hapura vetëm për raste vdekjesh e krimesh dhe larg e larg për ndonjë koment nga komentet e shtypit dhe televizioneve greke për problemet aktuale të krizës politike në Greqi.
Mërgata shqiptare në Greqi, mbi një e katërta e popullit shqiptar, duhet të ketë zërin e saj të veçantë në median shqiptare.
Në të gjithë medien.
Domosdoshmërisht në Radio Televizionin Publik Shqiptar, institucion i cili mbahet në këmbë edhe nga taksapaguesit emigrantë…