Pse nuk shkoj në aksionin e pastrimit

Nga Gëzim Zilja

Gjate periudhës së diktaturës fjala aksion përbente një nga praktikat e rëndësishme në politikat ekonomike dhe ideologjike të shtetit. Aksion për kolektivizimin, për ngritjen e kooperativave, ndërtimin e hekurudhave, për vaditjen e ullinjve, për vjeljen e misrit, për hapjen e kanaleve, për shembjen e kishave e xhamive, për heqjen e tumaneve, për luftën kundër zakoneve prapanike, për shfaqjet e huaja, për gjithçka. Brezin e para viteve ’90, fjala aksion e ndoqi si një mallkim për dyzetepesë vjet me radhë, si një veprim gjoja vullnetar në të mirën e shoqërisë e të atdheut. Ishte veprim (aksioni vullnetar) i një ideologjie që shkatërronte individin dhe shoqërinë duke i marrë dhe ditën e vetme të pushimit.  Në aksionin e shpallur nga bashkia e Tiranës nuk shkoj vetëm për ato që thashë më sipër. Kam disa arsye të tjera: E para: Se e kam ditë pune dhe unë nuk mund të marr leje se nuk ka kuptim.

E dyta: Paguaj rregullisht taksën e pastrimit dhe të gjitha taksat e tjera të bashkisë dhe shoh që ata që marrin paratë për këtë punë ende nuk shfrytëzojnë kapacitetet minimale, duke iu referuar kontratave të lidhura me bashkinë për pastrimin e qytetit. Në këtë kontekst dalja e kryetarit të bashkisë në krye të ushtrisë së pastruesve të pajisur me fshesa e makineri dhe  reshtim i tyre ‘’In fila indiana’’ në sheshin Nënë Tereza, ishte një veprim pa kuptim. E Treta: Se bëra dyzet vjet aksione dhe nuk ua pashë hajrin, përkundrazi. E katërta: Unë nuk e ndot ambientin dhe dua të shikoj sesi po zbatohen ligjet e vëna rishtas për qytetarët, ligje me të cilat jam dakord. E pesta: Sepse aksione të tilla ndërmerren pothuajse çdo vit për pastrimin  e vijës bregdetare madje edhe me ndihmën e ushtrisë. I kemi parë vullnetarët me bluza të bardha dhe komandantët e tyre duke pastruar plehrat e bajgat njerëzore në bregdet. Por pas sezonit veror e njëjta gjendje edhe më keq përsëritet. Dhe nuk flitet për prurjet e lumenjve apo dallgëve të detit por për mbeturinat e lëna nga simotrat e sivëllezërit e atyre që pastruan vullnetarisht dy muaj më parë. Në këtë rast edhe ndonjë sponsorizim modest i huaj apo vendas shkon për lesh. Natyrisht do të mirëkuptoja pjesëmarrjen e vullnetarëve dhe të ushtrisë pas një katastrofe ose fatkeqësie natyrore  dhe do të isha aty me ta. E gjashta: Eksperienca e këtyre njëzet vjetëve tregon se aksionet e ndërmarra nga qeveria e qeveritarët janë një propagandë e shpifur dhe hipokrite. Le të kujtojmë aksionin e qeverisë Nano ku u dogjën në mënyrë simbolike disa skafe me drogë ( sikur ishin skafet fajtorët)  madje me praninë edhe të ambasadorëve të huaj që jo rrallë bien pre e këtyre veprimeve idiote. Faktikisht nga ajo kohë prodhimi i drogës u shumëfishua. Sa për transportin veç atij me det është shtuar dhe ai ajror. Tani sipas atij aksioni i bie që të djegim edhe avionët.

Po kujtojmë dhe aksionin me duar të pastra të qeverisë Berisha për shkatërrimin e ndërtimeve pa leje në oborret e shkollave. Pamë ato ditë eskavatorë e fadroma që lironin ca ambiente shkollash por disa vjet më vonë jo vetëm ato katër a pesë që u shkatërruan u rindërtuan por fenomeni i rrëmbimit të oborreve të shkollave kapi shifra të frikshme. Madje pati dhe raste kur individë të caktuar u vunë drynin shkollave, duke mos lejuar hyrjen e fëmijëve. E fundit: Sepse zoti Kryetar i Bashkisë duhet të kërkoni zbatimin e ligjit çdo ditë, orë e minutë. Vini për këtë në punë të gjitha strukturat, jepuni të drejta firme e vule administratorëve. 

SHKARKO APP