Pse s’e plotësova amanetin

Fejton nga Hyskë Borobojka/Gjyshi im, rahmet pastë, e kishte lënë me gojë, që kur të ndërronte jetë, ta shpinim në fshat ku i kishte rënë koka e t’ia ndërtonim banesën e përjetshme në oborrin e kishës së Shën Thanasit, atje ku ishin edhe banesat e shokëve të tij. Ai kishte lënë amanet (amanetin s’e tret dheri) të mos e harronim, jo vetëm fshatin, por edhe kishën, ku ishte falur e lutur Zotit të plotfuqishëm. Donte që për çdo përvjetor të ndarjes së tij nga jeta, të vinim në fshat, të mbushnim me vaj kandilat e kishës, të ndiznim qirinj në shandanë të saj, të ndanim grurë për shpirtin e tij e të vendosnim në banesën e tij një tufë me manushaqe prilli, që sa jetoi në këtë botë  s’i hoqi nga dora e hundët, për të thithur erën e tyre të këndshme.

Këtë amanet të tij e zbatova pikë për pikë dy vjet me radhë. Por erdhi një ditë e errët, që të gjitha objekteve të kultit (ne iniciativë nga “poshtë” e me “vendim” nga lart) u vunë kazmën nga themelia. Nga ky vendim s’kishte si mos e pësonte dhe kisha e fshatit tonë. Kjo bëri që, jo vetëm mos plotësoja amanetin e gjyshit, të ndizja kandilat  e qirinjtë në kishë, por të mos vija dot as te banesa e tij e përjetshme, të vendoja në krye të saj tufën me manushaqe prilli e të ndizja një qiri, pasi hafijet i mbanin sytë çelur e veshët ngritur për të njoftuar atje ku duhej, se s’i kisha hequr nga koka lakrat e  besimit e “opiumin” fetar, që  të përballesha me nenin famëkeq të agjitacion-  propagandës të Kodit Penal. Kjo histori s’mbaroi me kaq. Kur Partia-shtet dha direktivën: “T’u qepemi kodrave dhe maleve që t’i bëjmë pjellore si dhe fushat”. (që një miku im ma thoshte me humor, si parodi të saj: “T’u qepemi vajzave që t’i bëjmë pjellore si dhe gratë”) Për të hapur toka të reja iu qepën dhe oborrit të kishës të Shën Thanasit, ku ishin banesat e përjetshme të atyre që i kishin thënë, rri me shëndet kësaj bote. Ashtu si ndodhi me oborrin e kishës së Shën Mërisë, në Bungë të Zerecit, ku, siç rrëfen në memorien e tij Gjon Muzaka më 1510, kishin varret gjyshja dhe gjyshi i tij, njëri nga ana lindore e tjetri nga perëndimore.

Kur u përmbys e vajti në esfelt regjimi diktatorial e filluan të ringriheshin objektet e kultit. Kjo nuk mund të përjashtonte edhe fshatin tim. Kishin kaluar disa vite që nuk e kisha zbatuar porosinë e gjyshit. Isha i bindur se nuk do ta plotësoja tërësish, pasi banesa e tij nuk i kishte shpëtuar direktivës për hapjen e tokave të reja, që do të prodhoni pa hesap patate, misër e grurë (por në vend të tyre selitën gjemba për gomarët) dhe eshtrat e tij kushedi ku kishin përfunduar, në ndonjë lumë a përrua, si kishin përfunduar ato të poetit At’ Gjergj Fishta në lumin e Kirit në Shkodër. Por të paktën të plotësoja gjysmën e amanetit. Të mbushja me vaj kandilat e kishës të ringritur, të ndizja një qiri e të ndaja grurë për shpirtin e tij të bardhë.

Kështu vendosa, prandaj një ditë u hipa këmbëve, pasi ish-fshati im ka një shekull që s’ka parë makinë me sy e besoj të shohë sa të marr frymë në këtë bota, me gjithë premtimet 26-vjeçare të politikanëve e qeveritarëve, që vijnë e shkojnë njëri pas tjetrit.

Kur me shpirt ndër dhëmbë sosa në vend, më dolën përpara nja dy a tre djem a burra të armatosur, që më urdhëruan të qëndroja në vend e të mos hidhja asnjë hap më tej.

-More të uruar! – i mora me të mirë. –Ç’kini me mu?! Kam ardhur të plotësoj amanetin e gjyshit, të mbash me vaj kandilat e kishës, të ndez një qiri e të ndaj grurë për shpirtin e tij, që ta kujtoj e të mos e harroj.

-Pa qëndro aty e mos lëviz, në do të që të mos kafshosh dheun! – më tha njëri prej tyre, duke më drejtuar tytën e armës.

-Amaneti i gjyshit tënd pret, siç ka pritur kaq vite, prandaj prit aty ku je, sa të mbledhim e të paketojmë kanabisin që kemi kultivuar! – më urdhëroi tjetri.

Desha s’desha, përpara tytave të armëve të tyre u detyrova të zbatoja urdhrin. Tek qëndroja më këmbë si hu gardhi, mendoja me vete. Gjysmë shekulli më parë të ndalonte partia-shtet të vije e t’i faleshe Zotin në shtëpinë e tij të shenjtë. Kurse tani të dalin  përpara e të ndalojnë ata që kultivojnë bimë narkotike në malësi, vend e pavend, që të bëhen të kamur dhe i ruajnë, si sytë e ballit, me armë në dorë.

Madje kjo viran bime fitimprurëse, është si orizi, do shumë ujë që të zhvillohet, prandaj dhe kultivuesit e saj i kishin shteruar burimet e krojet, që sipër kishës të Shën Thanasit e deri sipër te çairet e lëndimit, të kthyera në parcela kanabis -sativa, aq sat ë thahej buza për një pike ujë. Madje mësova se kishin ftuar edhe një specialist nga Lazarati, që t’u jepte përvojë të pasur shkencore  për kultivimi e  kanabis -sativës, që të merrnin rendimente të larta.

Si prita sa u lodha, pasi ata, djem a burra me armë ndë dorë s’të linin të hidhje një hap përpara, mora rrugën e kthimit. Sa lashë rrugën malore e iu qasa fushës, shoh dy barinj me kërraba në duar, që kishin vënë përpara tufën e dhenve. Si u përshëndeta me ta, i pyeta:

-Pse po i largoni dhentë nga kullotat malore tani në mes të verës, apo u mbarua bari e trifili në bjeshkët?

-E kemi nga halli e jo nga mali!- më tha njëri prej tyre.

Dhe më sqaroi se kullotat i kanë zënë bimët narkotike dhe kultivuesit e tyre, s’të lejojnë t’u afrohesh se i mbrojnë me arme në dorë. Dhe me që kullotat verore i kishte zaptuar bimët narkotike, për kullotjen e bagëtive të tyre kishin mbetur stallat dimërore në zonat fushore!

I lodhur e i kapitur, sa arrita në shtëpi, qëndrova përpara portretit të gjyshit dhe, si ndeza një qiri, iu luta të më falte që s’ia plotësova dot amanetin. Në fillim ma preu rrugën diktatura, që, me “iniciativë nga poshtë e me vendim nga lart”, rrënoi  kishën e varret. Ndërsa tani, pas kaq vitesh, për ta kryer amanetin tënd, o gjysh i nderuar, më ndaluan me armë në duar kultivuesit e bimëve narkotike.

SHKARKO APP