Pse shpërtheu Lufta e Dytë Botërore?
DOSSIER
Lufta e dytë botërore, ideologjia agresive e saj dhe “gjyqi i shekullit”.
Nga Safet N. Ramolli
Lufta e Dytë Botërore ngjau në 2077 ditë (1 shtator 1939-8 maj 1945), e mjaftueshme për t’u kryer shumë akte mizore, për të cilit njerëzimit, e sidomos drejtuesve të disa shteteve, ende u ״skuqet faqja״. Ishte përleshje e përgjithëshme, që përfshiu me gjithëçka 61, të cilat përbënin 80 % të popullsisë të rruzullit tokësor. Veprimet luftarake u zhvilluan në territorin e dyzet shteteve në tre kontinente (Evropë, Azi dhe Afrikë S.R). Më 8 maj 1945 njerëzimi në mbarë botën uli siparin e tragjedisë më të përgjakshme në histori. Tridhjetë e dy milionë njerëz të rënë në fushëbeteja dhe mbi njëzet milionë të tjerë të vrarë nga goditjet e avionëve, artilerisë dhe ato bërthamore; mëse 24.000 njerëz vriteshin në ditë; 500 miliardë franga ari zvicerane është përllogaritur dëmi ekonomik, (i vlerësuar tani duhet të konsiderohet i qindfishuar); 1.226.000 ton pleh si mbetje nga djegiet e trupave të njerëzve, etj.etj…
Shpërthimi i saj, asesi s’mund të jetë një ngjarje e rastit, por rrjedhojë e një sërë rrethanash të ndërlikuara startegjike, politike, ekonomike, sociale etj. me përmasa ndërkontinentale. Kështu, përfundimi i Luftës I Botërore dhe padrejtësitë e traktateve që ajo firmoi; paaftësia e Lidhjes së Kombeve të Bashkuara për të menaxhuar zhvillimet në tërësi; kontradiktat midis shteteve të ndryshme por edhe luftrat me karakter çlirimtar; kriza e thellë e përgjithëshme ekonomike, por sidomos papunësia e madhe në vitet 1931-’35, mund të jenë disa nga shkaqet e shpërthimit të saj. Shkaktarët kishin si synim parësor: të krijonin kushte, të organizonin aleanca dhe lidhje, si dhe të ndërmerrnin veprime të dhunëshme, për të realizuar rindarjen territoriale të botës; të krijonin perandori të reja për të vendosur hegjemoninë mbi bazat e parimeve raciste. Nazizmi gjerman, fashizmi italian dhe militarizmi japonez krijuan aleancë politiko-ushtarake, që në histori njihet me emrin “Boshti Berlin-Romë-Tokio”. Nëtë u bashkuan shtete të tjera, që luajtën rol relativisht të vogël, ndoshta edhe të papërfillshëm. Kësaj makine të fuqishme dhe të egër iu kundërvu fuqia e bashkuar ushtarake e Koalicionit Antifashist Botëror, bërthamën e të cilit e përbënin SH.B.A-ja, ish-BS-ja dhe Anglia. U gjykua kjo si domosdoshmëri emergjente për të fituar lirinë e dhunuar dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit progresiv në demokraci.
Ja pjesërisht ideologjia agresive që frymëzoi veprimet makabre
Në Itali, Benito Musolini -Duçja- pasi triumfoi në planin ideologjik, dalë para turmave me tezën e nacionalizmit, si dhe premtuar arritjen e një bumi ekonomik të paparë deri atëmot, më 1922, në krye të fashistëve marrshon triumfalisht në Romë; pas dy vitesh fiton 65% të votave; më 1928 ozurpoi të gjitha pushtetet. Më 30 shtator 1934 realizon një vizitë në Berlin, dhe për fatin e keq të popujve, ra në emërues të përbashkët në mendime me Hitlerin, çka edhe do të shërbejë si pikë referimi për veprimet barbare në të ardhmen. Më 1935 Italia pushton Etiopinë, dhe më 7 prill 1939 edhe Shqipërinë, për të mësyrë në dhjetor 1940 Greqinë. Më 14 shtator 1943, në Mynih sërish Musolini takon Hitlerin, njëherësh shpall Republikën Sociale Italiane. I kundërshtuar për këtë veprim paprecedent, ekzekutoi në Veronë anëtarët e Këshillit të Lartë Fashist, mes tyre edhe gjeneralin De Boro, ish ministër i punëve të jashtme.
Në Gjermani ngjarjet evoluojnë me shpejtësi duke u futur kështu në një rrugë pakrye. Më 1934 Hitleri thuajse kishte shtënë në dorë gjithë pushtetin. Më 15 shtator 1935 në Nurenberg, vendlindja e tij, zhvillon punimet Kongresi i Partisë Naziste, dhe nën okelion “Triumfi i Vullnetit”, mëse 8 milion anëtarë të saj, u deklaruan pro mpirjes së trurit nga “magjia e pasurimit të pasluftës”, u shprehën se “… çfardo urdhëri që të na japësh, O Fyhrer, ne do ta zbatojmë…!” Edhe ajo pak arësye Hitlerit i errësohet tërësisht, prandaj më 30 qershor 1936, me mendësinë, se bota ndodhet në prag të urisë, dhe se është domosdoshmëri që ajo të tronditet, e kundërshtuar kjo pa sukses edhe nga bashkëshokë të tij, ai kreu masakrën e koduar “Nata e thikave të gjata”, ku ekzekutoi edhe shokun e tij të vjetër Rhon së bashku me 2000 SA. Në orën 05.30 të 1 shtatorit 1939, urdhëroi që 275 avionë luftarakë dhe 70 divizione ushtarake të vërsulen mbi Poloni. Ata do të vepronin sipas motivit: “Jini të pamëshirshëm! Të sigurojmë hapësirën tonë jetike!” Pas dy javësh, sipas marrëveshjes me Rusinë për ta ndarë Poloninë, edhe Rusia sulmon nga lindja.
Japonia ndihej e pakënaqur nga hapësira e tregjeve, që u përcaktuan në përfundim të Luftës I Botërore, njëherësh aspironte të zgjeronte kufijtë territorialë përmes luftës. Më 1931, “Perandoria e Diellit”, u vërsul mbi Mançurinë, për ta shkëputur këtë territor kinez nga “Perandoria e Mesit”. E motivuar në veprimet luftarake me sloganin ideologji të “Tre gjithëçkave”: dogji, masakroi dhe grabiti gjithëçka. Në vitin 1939 mëse 20% e territorit të Kinës ishte i pushtuar prej Japonisë.
Historiografia botërore ka fiskuar si datë fillimi 1 shtator 1939, kur Gjermania nën veprimin ideologjik agresiv të teorisë për të “Siguruar hapsirën e nevojshme jetike”, sulmoi Poloninë. Me thirrjen histerike “Të jemi të pamëshirshëm nëse duam të ardhmen”, nuk mbeti shtëpi në Varshavë ku të mos shiheshin “kafshimet e predhave të artilerisë”. Por në fakt lufta e përbindëshme kishte filluar në vitin 1931, kur Japonia pushtoi Mançurinë. Mandej, për të ardhur në vitin 1939: u pushtua fillimisht Etiopia më 1935, Spanja pas një viti, Kina më 1937, Austria e Çekosllovakia pas një viti, dhe Shqipëria më 1939. Viti 1940 do të vendosë në teatrin e luftimeve e të pushtimit nga agresorët disa shtete të Azisë Juglindore, Greqinë, Francën, Hollandën dhe Belgjikën. Vendet Skandinave e Danimarka do të pushtohen në vitet 1940-‘41. Duke u gdhirë 22 qershori 1941, edhe pse ekzistonte një marrëveshje mossulmimi, u sulmua në befasi ish-B. S, duke marrë kështu karakterin e një katastrofe të përbotëshme.
Si datë e përfundimit është fiksuar 9 maji 1945, një ditë pas kapitullimit të Gjermanisë, por në fakt veprimet luftarake kanë vijuar disa muaj më pas. Më 6 dhe 9 gusht 1945, Shtetet e Bashkuara, për të mposhtur Japoninë lëshojnë dy goditje atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, duke mbetur njëherësh goditjet e fundit deri tashmë të këtij lloji. Ish-B.S më 9 gusht 1945, sipas marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara dhe Anglinë, i shpall luftë Japonisë.
Në analizë të kësaj masakre, domosdoshmërisht duhet të nënvizojmë faktin që, rruzulli tokësor u nda në dy pjesë. Në njërën anë ishin pozicionuar shtetet luftënxitës me në krye Gjermaninë, Italinë e Japoninë, duke krijuar një lidhje politiko-ushtarake mënxyrrëndjellëse. Në anën tjetër u grupuan shtete, popuj e forca përparimtare, nën kryesimin e Shteteve të Bashkuara, ish-B.S dhe Anglisë.etj., kolacion i drejtuar nga “Treshja e Madhe” Ruzvelt, Stalin, Çërçill. Në teatrin e stërmadh luftarak botëror, ku u luajt drama më tragjike e popujve deri në atë kohë e më pas, këta tre Burra Shteti, menaxhuan me mënçuri dhe ndjeshmëri të thellë zhvillimet, të cilat më tepër se në çdo luftë, ishin sa të ashpra aqë edhe gjakderdhëse.
Mund të gjykohet qartësisht se në këtë koalicion kanë dhënë kontribut me vlerë të paçmuar ish-B.S (sidomos me resurse njerëzore), ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Anglia me armatim, municion dhe pajisje luftarake, por edhe me ushqime e vashmbathje, aqë të domosdoshme për veprime luftarake të suksesëshme. Krejt natyrshëm nuk duhet mohuar edhe kontributi i shteteve më të vogla e më pak të fuqishme, por që përpos të tjerash, gjithësesi, shërbenin edhe si prapavijë e besueshme e Koalicionit. Ndër ‘to është vlerësuar edhe ndihmesa e popullit shqiptar, i cili ndër të parët në Ballkan dhe Evropë organizoi qëndresën e armatosur kundër pushtuesit, duke krijuar Çetën e Parë Partizane në rrethinat e Tiranës, në fshatin Pezë. Lufta anifashiste e popullit shqiptar shkoi në një linjë me motivin e përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha për të çliruar vendin. Me gjithë devijimet në disa raste nga kjo vijë, gjithësesi ajo mbetet një kontribut i çmuar në luftën e përbashkët të popujve për të shpartalluar forcat regresive të bllokut militar Berlin-Romë-Tokio.
Për fat të keq në themel të veprimeve luftarake, ata që e shkaktuan kishin vendosur një ideologji agresive, prej nga edhe u iniciun dhe motivuan mjete dhe veprime çfarosëse masive. Në vitin 1931 Japonia, dhe brenda një jave në Mançuri ekzekutoi 50 mijë kinezë, fëmijët u shkuan në bajonetë, ndërsa shumë burra e gra u groposën të gjallë. Hitleri, me logjikë tërësisht të errësuar, për këtë rast shprehet edhe sa vijon: “Po, jemi barbarë dhe duam të jemi barbarë. Ky është një titull nderi. Ne jemi nga ata që do të rinovojmë botën, bota e tanishme është në prag të urisë, detyra jonë është ta tronditim…”.
Pas takimit në Berlin më 14 shtator 1943 Musolini do të vijojë në Itali një linjë genocidi të ashpër kundër atyre që konsideroheshin kundërshtarë. Në Veronë ekzekutohen anëtarët e Këshillit të Lartë Fashist, përfshi edhe gjenerali De Boro, ish ministër i punëve të jashtme. Jeta e njerëzve ishte shndërruar në mallin me më pak vlerë. Hitleri pohon: “… kur dërgoj lulen e gjermanëve në fushën e çeliktë të luftës, përse nuk paskam të drejtë të çfaros me miliona njerëz, që i përkasin një race inferiore dhe që riprodhohen si minjtë?!!” Më tej ai vijon: “Të gjithë çifutët e Evropës duhet të internohen. Ata që janë të vlefshëm do të kthehen në skllevër, kurse të tjerët do të zhduken…”. (Vini re, se çfarë pohimi absurd dhe pa asnjë ndjesi njerëzore, “… të tjerët do të zhduken”, e pohon me gojën plot dhe gati me krenari).
Geringu, i cilësuar si më i rrezikshëm edhe se vetë Hitleri, me cinizëm të pashoq deklaronte edhe sa vijon: “Çdo plumb që del nga gryka e revolverit të agjentëve më përket mua, dhe nëqoftëse kësaj i thonë të vrasësh, unë jam vrasësi…”. Kejtel dhe Jodej në 2077 ditët e luftës akuzohen si përgjegjës të veprimeve ushtarake gjermane. Por pyetjes se, çfarë preferojnë: muzikën apo dancin, ata iu përgjigjën njëzëri: “Ne duam luftën!!!”
Ka edhe mjaft pohime të tjera, por vetëm sa veçuam më lart, mund të argumentojmë pjesërisht ideologjinë që frymëzoi këto krime makabre.
Masakra që provoi njerëzimi përmes shifrave dhe fakteve.
Lufta II Botërore rezulton konflikti ushtarak më i përgjithshëm e më i përgjakshëm në historinë e njerëzimit. Për të shuar sa më shumë jetë njerëzish si dhe për të shkatërruar sa më tepër vlera materiale, kulturore, etnografike, historike, e të tjera, të krijuara nga brezat njerëzorë ndër shekuj, u përdorën 1,5 milion gryka zjarri artilerie, 620 mijë aeroplanë, 280 mijë tanke e artileri vetëlëvizëse, dhjetra-mijë mjete luftarake detare, miliona armë e pajisje të tjera luftarake.
U mobilizuan dhe u vunë përballë njëri-tjetrit për të vrarë sa më shumë njerëz, mëse 110 milion njerëz nga e gjithë hapësira e globit. Në fushëbeteja gjetën vdekjen 50 milion njerëz, prej të cilëve 32 milion ishin të veshur me uniformën e ushtarakut duke përmbushur kështu misionin si ushtarakë; afërsisht 125 milion të tjerë u plagosën ose u gjymtuan. Vetëm në ish-B. S, humbën jetën gati 27 milion rusë ushtarakë e civilë, 26 milion të tjerë mbetën pa strehë; gjermanët humbën 4,5 milion, prej të cilëve gati 1 milion i ekzekutuan vetë; Japonia humbi 2 milion, Kina në luftën dhjetëvjeçare (1931-1945 S.R) me Japoninë la në fushëbetejë 10 milion njerëz; në Bengal në vitin 1943, vetëm nga uria vdiqën 1,5 milion njerëz. Edhe në Evropën Qëndrore rezultojnë mjaft jetë të ndërprera: 6-6,5 milion çifutë u eleminuan fizikisht nga nazistët; 4 milion njerëz gjetën vdekjen në Evropën Lindore, ashtu si 1 milion jugosllavë vdiqën në duartë e gjermanëve. Me më pak humbje rezultojnë Shtetet e Bashkuara me 405 mijë njerëz; Anglia me 500 mijë; vendet e Mbretërisë Britanike me 120 mijë; Italia e Franca me nga 500 mijë; Hollanda me 200 mijë; Polonia e Rumania së bashku me 300-400 mijë njerëz.
Pohimet e dëshmitarëve, qoftë edhe për veprime apo ngjarje të veçanta ushtarake, janë rrënqethëse. Në hakmarrje të vrasjes së këshilltarit gjerman Von Hast prej një të riu ebreas, në natën e koduar “Nata e Kristaltë” SA-të vranë 93 ebrej, shkatërruan 7500 dyqane dhe 101 objekte kulti të tyre, internuan 36 mijë burra, gra e fëmijë. Në vitin 1940 mëse 450 mijë ebrej u izoluan në një geto, dhe ashtu të uritur ngjasonin me një vorrezë të vërtetë të gjallësh; në vitin 1942 në harkun e 53 ditëve, u çfarosën 300 mijë ebrej të tjerë. I riu ebre Mordekoi Lejmovic shprehej: “Ne nuk luftojmë për jetën, por për çmimin e jetës. Jo për të shmangur vdekjen, por për të gjetur mënyrën tonë se si të vdesim…”. Po në vitin 1942 antinjerëzimi shpiku makinat shfarosëse masive – dhomat me gaz – të cilat në një seancë eleminonin qindra njerëz njëherësh. Tashmë kampeve të përqëndrimit të Morleut iu shtuan edhe të tjerë, të cilët ushqenin vdekjen e shpejtë: Çelino, Belus, Solibar, Treblinka, Aushvic, Mojdanek, e të tjerë “pillnin” vdekjen e përshpejtuar. Në atë kohë jeta e njeriut rezultonte gjëja me më pak vlerë, binomi “jetë-vdekje” ishte deri edhe në çështje shorti. Në një rreshtim makabër, njërit i rastisi të jetonte me vjehrrin, por duhej të asistonte vdekjen e nënës së tij. Më 1944 Hitleri vendosi të eleminojë ciganët e mbyllur në një kamp nga viti 1942, të cilët shërbyen si kavie; për tre ditë në dhomat me gaz u eleminuan 4 mijë ciganë. Bota asistoi pamje makabre: fëmijë që hidhen në zjarr, të porsalindur që u pritej koka, gra shtatzana që digjeshin për të mos përtëritur jetën, e mjaft të tjera skena si këto.
Prokurorët, gjyqtarët dhe dëshmitarët e kësaj masakre makabre të përbotshme pohojnë shumë dëshmi makabre e rrënqethëse. Vetëm me urdhër të Himlerit dhe të Ernest Kaltenbrumerit (gjeneral, kryetar i shërbimit informativ të Gestapos S.R), u zhdukën 6-6,5 milion ebrej. Pati të tjerë që pohonin se, me lëkurat e rrjepura të njerëzve u prodhuan shala për kuaj, abazhurë ndriçimi, çanta grash, etj., ndërsa me flokët e grave u prodhuan lëndë sintetike. Nga të 250 mijë francezët e internuar, gati 222 mijë u zhdukën; në Buhenvald, hiri i nxjerrë nga djegia e kufomave në krematoriume bashkohej me ujrat e zeza dhe përdorej për plehërim. Pati dëshmitarë që pohuan se janë groposur gra e fëmijë të gjallë; se në burgun e Hagës, ku qenë groposur njerëz të gjallë, në sipërfaqe kishte dridhje të tokës; në Vilnus u shfarosën në dhomat me gaz mëse 70 mijë njerëz njëherësh. Vetëm në një dokument pohohet se, nga eshtrat e djegura u prodhua 1.126.000 ton pleh kimik për të rritur prodhimin bujqësor në globin “e rralluar” nga mëse 50 milion njerëz të vrarë në luftë…
Në vitin 1945 strategjia e terrorit ashpërsohet, por tashmë do të jetë populli gjerman ai që shpaguan rëndë “haraçin” e çmendurisë të politikës naziste. Më 13 shkurt, 1000 avionë bombardues rrënojnë deri në shkatërrim të plotë qytetin e Drezdenit. Ky qytet humbi gati 250 mijë banorë, ndërsa 750 mijët e mbijetuar përjetuan stresin, që ngjall bombardimi i 800 avionëve me predha eksplozive me peshë 4 ton secila, si dhe mbetja pa strehë e mëse 8 milion njerëzve. Përgjatë territorit gjerman u hodhën 1,3 milion ton bomba eksplozive e djegëse, të cilat kthyen në gërmadhë me volum mëse 400 milion metër/kub më shumë se 2/3 e banesave. Tre milion ushtarë dhe 300 mijë civilë u vranë, më shumë se 1,5 milion të tjerë u zhdukën. Një tragjedi e egër kjo, kur në çdo 10 vetë njëri humbet jetën…
Viti 1945 është edhe viti i përdorimit të armëve çfarosëse në masë. Më 6 gusht, në orën 08.15, bombarduesi i rëndë B-26 hodhi mbi Hiroshimë “Little Boy”, bomba e parë atomike e përdorur kundër njerëzimit, ndërsa më 9 gusht të njëjtin fat do të pësonte edhe Nagasaki prej një tjetre bombe atomike të emërtuar “Fat Man”. Është një fatalitet por duhet pranuar. Organizata Botërore e Shëndetsisë (OBSH), përmes Rezolutës VHA-34,48, tiltulluar: “Raporti i Komitetit Ndërkombëtar të Ekspertëve në Shkencat Mjekësore”, pohon shifra rrënqethëse përsa i përket çështjes Hiroshima-Nagasaki. Kështu nga goditja atomike me lëndë bazë uraniumin e dhënë më 6 gusht në Hiroshima, deri më 31 dhjetor të vitit 1945 rezultojnë më shumë se 145 mijë të vdekur, prej të cilëve 20 mijë ishin ushtarakë e punëtorë të marrë me detyrim në punë, përfshi edhe me kombësi kineze, koreane, etj. Ndërkohë, goditja atomike me lëndë të parë plutoniumin, e dhënë më 9 gusht në Nagasaki, deri më 31 dhjetor 1945 u shoqërua me 70 mijë (plus minus 10 mijë) vetë të vdekur, nga të cilët vetëm 150 ishin ushtarakë. Pra, janë 215 mijë jetë njerëzish të ndërprera në një hark kohor prej pesë muajsh.
Por incidenti në njësinë katër të centralit atomik në Çernobil të ish-Bashkimit Sovjetik më 26 prill të vitit 1986, rezulton me fuqi shpërthyese 60 herë më të madhe se sa bomba atomike e lëshuar në Hiroshima. Rrezatimi radioaktiv u përrhap në një zonë të gjerë në territoret e Ukrainës, Bjellorusisë dhe Rusisë, për rrjedhojë u shpërngulën përgjithmonë mëse 350 mijë njerëz nga trojet e tyre. Me miliona njerëz rezultojnë të prekur nga rrezatimi radioaktiv, i cili sjell vdekje të parakohëshme. Megjithatë ka organizata prestigjioze, të cilat shprehen për mijëra jetë të ndërprera. Organizata Botërore e Shëndetsisë pohon se janë 9 mijë të tillë, ndërkohë që një organizatë tjetër, Greenpeace, pohon se ky numër arrin në 93 mijë. Pra, sikurse mund të gjykohet, pasojat e tij janë mjaft të hidhura.
Gjyqi i masakrës makabre.
Akti i kapitullimit të bllokut agresiv të Luftës së Dytë Botërore u nënëshkrua në lagjen Karlshorts dhe në Shkollën e Inginierëve të Luftës në qytetin e Berlinit më 8 maj 1945. Muarën pjesë delegacionet e Koalicionit Antifashist Botëror (Shtetet e Bashkuara, ish-B. S, Anglia dhe Franca) si dhe të palës së mposhtur, e përfaqësuar nga Gjermania. Midis palëve në bisedime u nënëshkrua Akti i Kapitullimit pa kushte të nazifashizmit, një ceremoni që zgjati vetëm 45’. Pala triumfuese u përfaqësua me delegacione të kryesuara si më poshtë: G. K. Zhukovi, mareshall, përfaqësues i ish-B.S; Artur. V. Tedev dhe Spats, përkatësisht kryemarshall i aviacionit dhe gjeneral-kolonel, përfaqësuesë të Shteteve të Bashkuara; Harold Beran, admiral, përfaqësues i Anglisë; dhe Bellater de Tasinji, admiral, përfaqësues i Francës. Pala e mposhtur u përfaqësua nga Kejtel, gjeneral-feldmarshall; Shtumpf, gjeneral, dhe Fridelburg, admiral, që të tre përfaqësuesë të Gjermanisë.
Gjyqi filloi në Berlin më 17 tetor, për të vijuar në Nurenberg më 20 tetor, qytet i përzgjedhur si vendlindja e nazizmit si ideologji, njëherësh ku Hitleri kishte mbajtur fjalime pompoze kundër inferioritetit të racave të tjera jo gjermane, por edhe një qytet që kishte shërbyer si shtrat i paradave të mëdha të Hitlerit.
Gjyqi u udhëhoq nga katër kryeprokurorë, nga mjaft prokurorë, gjykatës, avokatë, dëshmitarë, dhe prej një ״mali״ dokumentash, të cilët sollën fakte rrënqethëse për veprat e kryera nga nazistët. Akuza ishte formuluar në tre pjesë: ajo për kriminelët e akuzuar për përgatitjen e luftës; e dyta për ata që ideuan dhe udhëhoqën krimet gjatë luftës; dhe e fundit, për ideatorët e krimeve kundër njerëzimit përmes kampeve të eksperimentimeve makabre.
Gjykimi u zhvillua në katër gjuhë: anglisht, rusisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Në krye të listës së kriminelëve ishte Herman Gering, si shkaktari kryesor për krijimin e fushave (kampeve) të përqëndrimit në të cilat u ekzekutuan 6.2 milion njerëz në Mojdanek, Aushvic, Irov, etj. U gjykuan për krime të ndryshme admiralët Roederi e Doetnizi; gjeneralët Shtrejshnër, Spes, Krup, Ley, Frusk, Kej, Von Pepër, Shaht, e të tjerë. Meqënëse u gjykuan 22 vetë ky gjyq u emërtua “Gjyqi i të 22-tëve” ose “Gjyqi i Shekullit”. Prej të gjykuarve më i rrezikshëm u cilësua Geringu, duke ja kaluar edhe vetë Hitlerit. Ai më 1933 krijoi Gestapon si dhe Kampet e Përqëndrimit në Dakao dhe Buhenvald.
Në gjykim u veprua sipas kësaj rradhe: u gjykua Qeveria e Rajshtagut; Grupi i Kryetarëve Politikë të Partive Naziste (Gestapo dhe Seksionet SA); Shtabi Madhor i Përgjithshëm, dhe Komanda e Ushtrisë Gjermane.
Në akt-akuzë çështja shqiptare kualifikohej si vijon: Pati 12 mijë viktima njerëz; 20 mijë shtëpi u shkatërruan; 90 mijë kafshë të trasha dhe 150 mijë të imta u asgjësuan; 25 mijë kv. drithëra u dëmtuan, si dhe shumë të holla të vjedhura në bankat dhe nga plaçkitjet.
Dëmet e shkaktuara vendeve të tjera u çmuan si vijon: Franca me 18 miliardë dollarë; Rusia me 138 miliardë; Hollanda me 7,4 miliardë; Anglia me 70 miliardë; disa nga shtetet e tjera me 150 miliardë, dhe vetë Gjermania me 113 miliardë dollarë. Po ashtu u vlerësuan edhe shpenzimet e Aleatëve për përgatitjen e sulmit kundër Gjermanisë në shumën 295 miliardë dollarë, nga të cilët Shtetet e Bashkuara me 38 miliardë, Anglia me 90 miliardë, Rusia me 148 miliardë dollarë, e të tjera.
Më 2 mars 1946 u mbyll akuza. U zhvilluan 138 seanca gjyqësore, në të cilat u regjistruan 1,6 milion fjalë; u dëgjuan 30 dëshmitarë, midis të cilëve edhe një shqiptar me emrin Ali Kuçi, i internuar në Kampin e Përqëndrimit në Dakau, i mbijetuari midis 2400 të internuarve; u projektuan 6 filma si dhe 2100 fotografi dhe dokumenta si provë.
Ky gjyq hedh dritë qartë për një vepër kriminale çnjerëzore të paparë ndonjëherë më parë në rrjedhën e shoqërisë njerëzore, dhe të papërfytyruar nga mendimi njerëzor.
Apeli i Luftës së Dytë Botërore
Lufta e Dytë Botërore, për nga mënyra se si u hodhën njerëzit në kraterin e vullkanit të vdekjes së sigurtë, për nga pohimet e drejtuesve të shteteve shkaktare; për nga viktimat dhe humbjet që u shkaktuan, është epitetuar me frazeologjizma të frikëshme, ndjellakeqe dhe të dhimbshme. Shumica e analistëve politikë e epitetojnë si “Ngjarja më makabre në histori”. Analistët amerikanë e kanë vlerësuar me togfjalëshin “Luftë e çuditëshme”, “Luftë mizore”, ndërkohë shumica e analistëve e kanë epitetuar “Mirazh i shkretëtirës”, ndoshta ky epiteti më i gjetur për këtë masakër makabre.
Duke qënë kështu, ajo i ka bërë dhe i bën thirrje njerëzimit, që të pohohet qartë dhe prerazi: “Kurrë më luftë!”, “Kurrë më vdekje!”, “Kurrë më gjakderdhje!”, “Jo më Aushvic!”. Njëherësh t’i bëjë apel paqes dhe vetëm paqes, arësyes dhe logjikës humane dhe jo mendësive të “kokave të nxehta” të tipit Hitler, Musolin, por edhe Pol Pot, Sllobodan Millosheviç, Bin Landen, Sadam Husein etj. etj. Janë këto “koka të nxehta”, që edhe pas përfundimit të Luftës II Botërore, i kanë shkaktuar njerëzimit shumë ndërprerje të jetëve njerëzore të pafajshme. Vetëm në vitet 1998-1999 makina ushtarake serbe i shkaktoi popullsisë shqiptare në Kosovë mëse 12 mijë të zhdukur, ashtu si mëse 6 mijë të tjerë u mbajtën peng në burgjet serbe. Gjakderdhja në Afganistan, në Lindjen e Mesme dhe ajo që vijon akoma në Irak. Në Egjypt, Libi, e gjetiu në zhvillimet e epitetuar ״Pranvera Arabe״ në vitet 2010-2014 humbën jetën mijëra qytetarë që nuk pajtoheshin me regjimet sunduese. Në Siri për gati tre vite (2011-2014) kanë gjetur vdekjen 150 mijë kundërshtarë të regjimit, ndërkohë në prill 2015 kjo shifër rezulton në 200 mijë.. Në Afganistan, në Irak, e gjetiu dhjetra qytetarë humbasin jetën për shkak të grindjeve ndëretnike apo veprimeve me autobomba apo ato kamikaze. Këto dhe gjakderdhje në rajone të ndryshme, përbën ende gjak, që kullon akoma në këtë 9 maj.