Pse u mundëm nga Italia
Me buzëqeshje e fjalë ngrohëse është përqafur me Konten e stafistët e tjerë azzurri. Është mrekulluar nga 23 mijë shqiptarët e veshur kuqezi dhe është krenuar me ta, si të ishte shqiptarë. Edhe mediat italiane i kanë “tezgjahur” lavde e superlativa publikut të edukuar e të kulturuar shqiptar. Skuadra shqiptare ka luajtur me të njëjtin formacion dhe ka përdorur si skemë bazë skemën taktike me Francën me 14 nëntor, ku peshorja shifrore mbajti ekulibrat golor, 1-1. Me devijime të pakta, por me variacione të ndryshme duke pulsuar portën e Sirigut dhe Perinit. Cikalleshi, ky gjigant nga Kavaja ka tronditur shtyllën me një gjuajtje të tmerrshme nga 17 metra pas galopit të madh disa metror, në minutën e 37. Pas tre minutash ky kavajas ekskluziv – që ka lënë për dy ndeshje në stol me Francën e Italinë, një shtatlartë sa vetja, Balajn që befasoi Pepenë e Portugalinë me golin fantastik fitues, gjuan sërish pas një topi të “grabitur” me mjeshtri në mesfushë por ka rrokur Seriku. Kemi gjuajtur tre herë në portë ndaj gjashtë të italianëve të cilët e kanë bërë Berishën të realizojë pesë pritje spektakolare, duke i rrëfyer edhe trajnerit lacial që jam për portën e Lacios, që nga minuta e parë. Dhe De Biasi ka të drejtë kur nënvizon sinjifikativisht që mund të kishim bërë diçka më shumë. Po të kundrojmë me vëmendje pjesën e dytë ne sërish nuk kemi qenë në lartësinë e ndeshjes me Francën, ndonëse Italia ishte me një formacion të revolucionarizuar nga ndeshja e disa ditëve më parë kur barazoi me Kroacinë 1-1.
Luajtëm me shumë kurajë, luftë për topin e parë, me përballje deri të egra me italianët, por përqendrimi, finesa, kreativiteti e mendësia e automatizuar (sidomos në njëzet minutat e fundit) nuk ishin në lartësinë e duhur. Kjo u vu re edhe në pasin e gjatë, ku në katër ndeshjet e para kemi qenë shumë më mirë. Në pjesën e dytë kemi dhënë 8 topa të gjatë lojës me shigjetim 100% të gabuar, ndërkohë që italianët nga shtatë topa me objektiv mësymjen e shpejtë drejt portës kanë gabuar vetëm tre. Ky element i rëndësishëm tekniko-taktik, që shumë skuadra si Franca, Gjermania, Holanda, Reali i Madridit etj e kanë shfrytëzuar si mjeshtrim për të arritur tek goli për Shqipërinë në këtë ndeshje e thuajse në të gjitha ndeshjet e sezonit të kaluar ishte çalueshëm. Ajo që vura re sërish ndryshe nga ndeshja me Francën ishte humbja e toruas nga presingu italian në gjysmë fushën tonë dhe organizimi i lojës nga ky aspekt. Në pjesën e dytë, italianët kanë goditur dhjetë herë portën ndaj katër të skuadrës sonë. Në korne ekuilibër tre me tre ndërsa në sulmet nga krahët në këtë pjesë intervenuam 7 herë ndaj gjashtë të italianëve. Në këtë aspekt ishim më lart se në ndeshjen me Francën por më pak efektiv. Goli u pësua nga goditja këndore dhe nga mospërqëndrimi i duhur i mbrojtësve dhe vendosja e gabuar e “shtatshkurtit” Salihi, ndryshe nga ndeshja me Francën pas një veprimësie mjeshtërore franceze. Sidoqoftë italianët “lodhjen” shqiptare në minutën e 81, e festuan me fortesë dibrançe!