Puna e zezë, shteti: Ankohuni kur s’ua paguajnë sigurimet

Qytetarët nuk duhet të pranojnë që të punësohen pa u siguruar! Ky është apeli që shteti u drejton të gjithë punëmarrësve, duke u dhënë atyre kurajon që të denoncojnë të gjitha rastet kur konstatojnë se nuk u paguhen sigurimet shoqërore nga punëdhënësi i tyre siç përcakton ligji përkatës në fuqi. Kështu, përmes Inspektoriatit Shtetëror të Punës, shteti bëhet në këtë mënyrë mbështetës i të gjithë asaj kategorie qytetarësh në rang vendi, të cilët punojnë pa iu paguar fare kontributet e sigurimeve shoqërore nga punëdhënësit e tyre, qofshin ata privatë por edhe publikë. Por edhe i nismës së lançuar së fundmi nga vetë kryeministri Edi Rama për të dënuar çdo rast të tillë, pasi sipas tij, ai përbën një krim dhe si i tillë duhet ndëshkuar patjetër. Konkretisht, ka qenë vetë drejtori i Përgjithshëm i Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Dritan Ylli, i cili u ka bërë dje thirrje qytetarëve të ndryshëm të mos punësohen pa u siguruar, teksa ka inspektuar një ndërmarrje fasonësh. Dhe duke bashkëbiseduar me punonjësit ai u shpreh se duhet të ankimohet çdo shkelje të të drejtave të ligjshme. "Do ruajmë anonimatin e ankimuesit. Mos pranoni të punoni pa qenë të siguruar", tha ai. Ylli deklaroi më tej se do të ketë bashkëpunim me biznesin që respekton ligjin dhe masa të ashpra për ata që bëjnë të kundërtën. Ndërsa u njoh me shqetësimet e punonjësve, për respektimin e të drejtave të tyre të ligjshme, ai diskutoi me ta edhe mbi përfshirjen në skemën e sigurimeve shoqërore, duke e cilësuar këtë si një të drejtë legjitime të tyre, e cila duhet respektuar me çdo kusht nga çdo punëdhënës, por sipas tij, edhe vetë qytetarët duhet të kontribuojnë për këtë, duke ushtruar të drejtën e tyre të ankimimit ndaj çdo rasti të punës së zezë që u ofrohet. Duke përfunduar me faktin se ashtu siç u arrit të zbuloheshin gjatë vitit të shkuar rreth 6500 punonjës në kushte të punës së zezë, një shifër disa herë më e lartë se periudhat e mëparshme, edhe gjatë këtij viti prioriteti kryesor i punës së trupës inspektuese do të jetë pikërisht evidentimi i çdo të punësuari të pasiguruar, për ta vendosur atë në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ndërkaq, bëhet me dije se gjatë ditëve të para të këtij viti ka pasur një fluks në rritje të numrit të ankesave që vijnë nga punonjës të sektoreve të ndryshëm të ekonomisë dhe industrisë, për raste kur punohet pa sigurime shoqërore, pra në punë të zezë.

 

 

QËNDRIMI

“Do të ketë bashkëpunim me biznesin që respekton ligjin dhe masa të ashpra për ata që bëjnë të kundërtën. Mos pranoni të punoni pa qenë të siguruar. Do ruajmë anonimatin e ankimuesit”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Dritan Ylli

 

 

PROBLEMATIKA

 

Rreth 250 mijë shqiptarëve, s’u

janë paguar sigurimet shoqërore

 

Pak ditë më parë, ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj ka deklaruar se numërohen rreth 250 mijë shqiptarë të punësuar kryesisht në shtet por edhe në privat, që rrezikojnë seriozisht pensionin e tyre, pasi për 8 vite institucionet ku ata kanë punuar, nuk u kanë paguar sigurimet shoqërore. "Për 250 mijë shqiptarë që sot na ndjekin dua të garantoj që me urdhër të kryeministrit kanë filluar pagesa e detyrimeve të prapambetura të sigurimeve shoqërore që askush që ka punuar si shërbëtor i shtetit shqiptar, të mos mbetet pa pension”, ka pohuar gjithashtu ai lidhur me një fakt të tillë. Duke e cilësuar atë madje si piramidën më të madhe që prej vitit 1997. “Kemi zbuluar në arkën e sigurimeve 109.5 mln dollarë mangët. Janë deklaruar si punonjës, ju është mbajtur 10% por nuk e kanë derdhur në sigurime. Ka ndodhur në privat por edhe në shtet”, apeloi ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë lidhur me një situatë të tillë të krijuar lidhur me sigurimet shoqërore.

SHKARKO APP