Punët e mëdha e të vogla të Bashkisë së madhe

Nga Eduard Dukaj

Tetëmbëdhjetë mandate për Partinë Socialiste në Qarkun e Tiranës, janë padyshim treguesi më sinjifikativ i bilancit pozitiv të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Asnjë ditë ai nuk u shfaq në fushatën elektorale të partisë së tij, me ngjyrimet e kësaj partie, por inaugurimi prej tij i projekteve madhore, si sheshi “Skënderbej” apo dhe segmenti i parë i zgjatimit të Bulevardit “Zog I” ndikuan sa dhjetra, për të mos thënë qindra takime elektorale. Qytetari i parë i metropolit shqiptar u prezantua, jo me premtime elektorale por me përmbushjen e premtimeve që u kishte bërë qytetarëve para dy vitesh. Dhe jo vetëm në 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit të para dy viteve, por në 24 të tilla që ka harta elektorale e bashkisë së madhe. Është ndoshta hera e parë që PS fiton bindshëm në 24 njësi administrative të kryeqytetit. Mjafton qoftë dhe një matematikë e thjeshtë për të arritur në përfundimin se qytetarët e këtyre 24 njësive do të kenë afro 15 % të vendeve në legjislativin e ri shqiptar.
Në këtë fitore plebishitare të mazhorancës së majtë roli i qytetarit të parë të metropolit shqiptar është evident më shumë se kurrë. Janë punët e mëdha e të vogla të Bashkisë së madhe për ta konsideruar Tiranën një kantier gjigand pune.
Rrugët e reja, shkollat e reja, kopshtet e çerdhet që kryebashkiaku Veliaj përuron thuajse çdo ditë, pa folur për projektin e Unazës së Madhe që pritet të inaugurohet në fillim të shtatorit dëshmojnë ndryshimin rrënjësor të meropolit shqiptar.
Jetëzimi i Projektit të Bashkëpronësisë, si dhe i dhjetëra projekteve madhore që janë realizuar e po realizohen në metropolin shqiptar janë treguesi më sinjifikativ i mbajtjes së premtimeve të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili gjatë dy viteve të ushtrimit të funksionit të tij po tregon që në themel të punës ka përkushtimin dhe idealizmin për Tiranën metropolitane. Kësisoj, Bashkia e kryeqytetit, po shpreh vullnetin për të progresuar karshi mundësive dhe potencialeve që ka.
Nëse problemet për administrimin e pallateve po marrin zgjidhje shumë shpejt, në këto dy vite të Tiranës europiane gjithkush konstaton një shndrrim epokal të metropolit shqiptar. Shembulli më sinjifikativ i këtij transformimi janë realizimi i projekteve madhorë në kryeqytetin shqiptar: Sheshi “Skënderbeji” zgjatimi i Bulevardit “Zog i I-rë”, Parku Olimpik i Tiranës, një godinë moderne për sportistët, federatat dhe sportdashësit. Kështu, nga një ngrehinë e rrënuar deri në vitin 2013, ish-Kompleksi Sportiv Dinamo është transformuar tashmë në një mjedis modern, ku do të bëjë bashkë të gjitha strukturat zinxhirë të sportit.
Në të vërtetë transformimi rrënjësor i Tiranës në këto dy vitet e fundit dëshmon para së gjithash rritjen e performancës dhe besueshmerise të Administratës të bashkisë. Erion Veliaj nuk i ndan punonjësit dhe stafin e tij në “të majtë” dhe “të djathtë”, por duke i dhënë sejcilit meritën që i takon ia ka dalë që t’i motivojë të gjithë për të përmbushur misionin historik të shndrrimit të Tiranës në një kryeqytet të standardeve europiane.
Ballafaqimi me premtimet e para dy viteve nxjerr nëpah jo vetëm përmbushjen e tyre por dhe tregues të tjerë që kanë të bëjnë me parametra bashkëkohorë të një Tirane në rritje e zhvillim intensiv.
Kur erdhi para dy vitesh në drejtimin e Tiranës metropolitane, sfida kryesore për Erion Veliajn ishin burimet njerezore. Pikërisht këtë sfidë arriti të përballojë me dinjitet kreu i bashkisë më të madhe në vend, duke ndërtuar një administratë të aftë profesionalisht dhe të përkushtuar për ta bërë Tiranën një ndër kryeqytetet më të mira të Ballkanit.
Nga ana tjetër rritja e cilësisë së shërbimit për tatimpaguesit dhe e besueshmërisë ndaj tyre duke përmirësuar në këtë mënyrë klimën e biznesit apo fuqizimin e përsosmërisë së menaxhimit të resurseve të vetë bashkisë mundësuan thithjen e investimeve në funksion të përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës rrugore e social-kulturore. Kësioj Tirana shërbeu dhe shërben si shembull nxitjeje e inkurajimi dhe për njësitë tjera të qeverisjes vendore në rang kombetar. Rritja e performancës dhe besueshmërisë së Administratës të bashkisë është një nga shtyllat e strategjisë që ndjek kryebashkiaku Veliaj në një kontekst strategjik afatgjatë me objektiv të fundit zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e Tiranës.

SHKARKO APP