Pushtues të vetvetes
Nga Ilir Levonja –
Lartë e poshtë, apo poshtë e lartë…, siç thoshte teto Ollga dikur. Në universin e botës virtuale, qarkullon edhe një ftesë. Një ftesë për kthimin apo jo të Fatos Nanos në politikë?. Votoni, të konfirmojmë mbështetjen për mua! Do të përfitoni edhe diçka…
Së pari, mu kujtuan fjalët e Sabri Godos në vjeshtën e 2011-ës.
Në atë kohë, zgjedhjet për Presidentin e Republikës ishin larg. Por fakti që ish top modeli i PD, Bamiri, qe acaruar me krahun nga erdhi në pushtet. Fushata presidenciale ishte e zellshme. Gati të afrohej. Dhe një ndër ofertat e bisedimeve të palëve, ishte edhe emri i Sabri Godos. Plaku i urtë iu përgjigj interesit të shtypit duke thënë tekstualisht. ”Tani moshat tona mund të dalin nga Presidenca, dhe jo të hynë.” Aludonte me këtë edhe për faktin e rigjenerimit. Megjithëse jepte dhe një version për një President asnjanjës. Ndodhi që disa muaj më vonë, dhjetor, që ashtu të ishte. Plaku i mirë doli nga dera e presidencës. Në kuptimin që ndërroi jetë. Dhe i qoftë dheu i lehtë, për faktin se na la një bagazh të madh veprash. Por edhe një personalitet model…, se si duhet dhe e meriton Shqipëria një politikan. Mirëpo, kujt ia tha? Dhe kush po e kujton? Që të gjykoi ndryshe sot.
Ndofta kjo ftesë virtuale, mund të jetë edhe një ofertë nga ato që quhen spam. (Letrat e shukosura në koshin poshtë tavolinës.) Ose e porositur. Pasi ekzistojnë me dhjetra webe me emrin e Nanos. Por që çuditërisht e përmbajnë këtë ftesë. Dhe që kanë një numër galopant ndjeksish.
Mos t’i mëshojmë Nanos. Në fund të fundit, për aq sa dha. T’i heqim kapelen në kuptimin e rotacionit. Zgjedhjet brenda një Partie. Bëri, tha, veproi…, u mënjanua. Madje demonstroi vullnet perëndimor në një fushatë presidencialesh. Që turpërisht e braktisi Partia e tij. Ndofta pikërisht për frymën liberale brenda radhëve të të vetëve. Dhe që në kulturën politike shqiptare, deri sot përshtatet kështu: rri se nuk di gjë ti. Pra le t’i mëshojmë rikthimit… Përse ne shqiptarët dukemi të pashpresë në rigjenerim.? Përgjigjet mund të jenë të shumta. Por ajo më e dukshmja është fakti që edhe brezat e rinj brenda forcave politike, jetojnë nën presionin e njëshit. Janë si të sugjestionuar. Dhe sapo hap gojën për një mëndje ndryshe. Të shohin me dyshim. Je socialist apo jo? Je demokrat apo jo?
Në fakt radhët brenda subjekteve janë plot me intelektualë të rinj. Me plot tituj dhe perceptim ndryshe nga politikëbërja e deritanishme. Që sado të na ketë emocionuar në rrahje këmbësh kur kemi tronditur bulevardet, prapë mbeti një botë plot konflikte. Plot dështime…, aq sa dhe një emër ambasadori bëhet ngërç kombëtar. Eshtë absurditet social, i cili vetëm vendeve të drobitur prej luftrash, regjimesh, diktaturash etj…, si vendi ynë, nuk i nevojitet. Por ja që tek ne po ndodh me shumicë. E tillë është dhe kjo ftesë. Dhe kaq e kaq shumë zëra që vlojnë të lumtur në rikthimin e Nanos.
Nuk e shpëton Ps-ën, nuk e shpëton Pd-ën…, nuk e shpëtojnë në përgjithësi politikën shqiptare, rikthimi. Apo rikthimet. Por rigjenerimi, rifreskimi i saj. Pse jo edhe një alternativë e re. Këto nuk janë tema tabu. Por vitalitet i një kombi të cilin nuk e mundën, pushtimet, uzurpimet, diktati i të huajit. Por që fatkeqësisht po e firon pushtimi i vetvetes.