Putin: Bashkëpunim ndërkombëtar kundër ISIS-it
Me krizën e Sirisë në krye të axhendës së udhëheqësve botërorë të mbledhur në selinë e OKB-se në Nju Jork, Vladimir Putin, lëshon një apel për krijimin e një strukture koordinuese rajonale kundër ISIS-it.
Presidenti rus e përforcoi edhe njëherë mbështetjen e tij për kreun e regjimit sirian, Bashar al Assad, njeriu që si perëndimi, ashtu dhe opozita në vendin e zhytur në luftë kaotike civile, e konsiderojnë fajtor për situatën e Sirisë dhe i kanë kërkuar largimin nga posti.
Pikërisht për të diskutuar çështjen siriane, Putin pritet të mbajë gjatë ditës një takim të rrallë me Barak Obamën.
Marredhëniet e Moskës me bllokun perëndimor janë ashpërsuar shumë që prej aneksimit të Krimesë vitin e kaluar, si dhe përkrahjes ruse për separatistët në Lindje të Ukrainës.
Kriza që ka krijuar në Europë vërshimi i refugjatëve kryesisht sirianë, i ka shtyrë udhëheqësit e BE-së të këmbëngulin për një raund të ri përpjekjesh diplomatike të zgjidhjes së konfliktit në Siri.
Duket se në këtë kontekst, do të ketë dhe një zbutje të qëndrimit të David Cameron kundër Assadit në fjalimin që do të mbajë këtë javë përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Kryeministri britanik pritet të thotë se Assadi mund të qëndrojë përkohësisht në pushtet si kryetar i një qeverie tranzicioni.
Deri tani, Cameron kishte këmbëngulur së bashku me Obamën dhe Francois Hollande, se presidenti sirian duhet të largohet medoemos nga pushteti, si parakusht për çdo marrëveshje të mundshme paqeje, një hap ky i kundërshtuar me forcë nga Vladimir Putin.