Pyeta Labërinë, e ku është Perlati…

   Kombi ulërin, më shumë se i ati: Vargjet e largëta vijnë të afërta me klithma për këdo… Çdo kalimtar teksa i dëgjon hap sytë e mban këmbët në rrugën që përshkon për në thellësi të Labërisë, nyja tradicionale, e vjetër e tashmë e shkretuar, që lidhte Vlorën me Tepelenën, Gjirokastrën, Përmetin e deri në Selanik e  Stamboll, nëpërmjet Sevasterit…

Nga AGIM JAZAJ

Në fshatin Vajzë, “porta” e krahinës së “Kudhës Grehotit” kalimtarët mbajnë frymën dhe qëndrojnë në drejtqëndrim përballë dy figurave madhore të Labërisë, Vlorës dhe të vendit,  pendë artit dhe të  pushkë ndriturit…përkrah njëri-tjetrit:

Nga e djathta, një pankartë, (shumë pak) ngrihet njeriu i pendës halë, Ali Asllani dhe në krahun e majtë monumenti i pavdekësisë, “Heroi i Popullit”: Perlat Rexhepi.

 Dy bij të fshatit Vajzë, dy njerëz që kanë bërë epokë, vepër dhe e kanë lënë atë për brezat, në shekuj. Vargjet klithma na kthejnë pas në kohë dhe sjellin të afërt, na kujtojnë epopenë e vlonajkut në Shkodër, së bashku me bijtë e Shkodrës, si bij të një nëne, të Shqipes, vëllezër e shkuar vëllezërve…

 Vargjet klithma të poetit vajziot, Ali Asllani për heroin, po vajziot, Perlat Rexhepi, mbeten epokale, kë nuk rrëqethin, teksa i lexon, shënon dhe kurrë si harron:

“Pyeta Labërinë, e ku është Perlati?/  Kombi ulërinë, më shumë se i ati,/  Pyeta djalërinë, ç’e bëtë shokun, mikun?/  Nder për Shqipërinë, vdekje për armikun./  Tani tinë dhe unë, e dim për Perlatin,/   Djep kishte Beun, varr ka Rozofatin!…

Perlat Rexhepi dha jetën e tij për Shqipërinë, duke luftuar si trimat, biri i denjë, i lavdishëm i fshatit Vajzë, të Vlorës dhe i gjithë Labërisë.

Akti dhe heroizmi i Perlat Rexhepit, është i pashembullt, ka një shkëlqim sipëror në gjerdanin e artë të historisë së Luftës Nacional Çlirimtare, i cili së bashku me Heronjtë e Shkodrës, Branko Kadia, e Jordan Misja, me këtë bir i Vlorës, ranë heroikisht në “Shkodrën Loce”!

Ai lindi më 25 tetor të vitit 1919, në fshatin e barrikadave Vajzë, rrëzë “Beunit”, në një familje të njohur, me tradita patriotike, me vlera sipërore, aty ku u mblodhën burrat e ndritur, në “Kuvendin e Beunit”.

Prindërit e tij, gjyshi e stërgjyshi, janë nga ai fis i fisëm, që nuk e kanë ndarë mendjen dhe shpirtin asnjëherë nga atdhedashuria. Ata në breza kanë qenë të dijes, të pushkës dhe të penës.

Rexhep Sulejmëni, babai i Perlatit, njihet dhe ruhet në gjithë trevën e Labërisë si një nga patriotët e spikatur, bujar, me zemër të madhe, i mençur, me vizion të gjerë e shumë trim. Ai kishte studiuar në Austri, ku kishte marrë dhe diplomën e mjekut.

 Rexhep Sulejmëni, ishte një ndër figurat më të shquara, pjesëtar aktiv në “Luftën e Vlorës”, më 1920. Si shumë patriot vlonjatë, mori pjesë e luftoi si burrat në revolucionin “Demokratiko-Borgjez”, që udhëhiqte Noli.

Pas këtyre ngjarjeve, detyrohet të marrë arratinë me gjithë familjen dhe vendoset tek miqtë e tij, në ishullin e Korfuzit, për t’i shpëtuar persekutimit të regjimit zagollian, si kundërshtar politik.

Perlati ishte vetëm 5 vjeç. Në moshën 6 vjeç, filloi shkollën fillore, ku mësonte midis nxënësve grek, në gjuhë të huaj, me mësues grek e italian. Perlati fliste, shkruante dhe komunikonte me mësuesit grek e italian, pa asnjë pengesë e dallim, madje dhe mbi të tjerët.

 Pas shumë përpjekjesh të të atit, Perlati vazhdoi rrugën e dijes në shkollën “Tregtare” të Vlorës, në klasat përgatitore, siç quhej, semimaturë, ku vazhdoi dy vjet e më pas studimet e plota për 6 vjet.

Edhe aty ra në sy veprimtaria e tij atdhetare dhe e përjashtojnë nga shkolla. Më pas ati i tij e mundësoi shkollimin e tij për gjeometër, në shkollën “Teknike”, ku studionte dhe libra jashtë shkollore, si romanin: “Nëna” i Maksim Gorkit, “Puna me mëditje: dhe “Manifest” PKSH, si dhe gazeta e revista të huaja, të botuara jashtë vendit nga Halim Xhelua. Ai lexonte Naimin, Çajupin, “Historinë e Skënderbeut”, si dhe poetin me famë Ali Asllani, gjigantin e poezisë, edhe ky bir i fshati të Vajzës!

Pushtimi i Shqipërisë më 7 Prill 1939, solli dhe mbylljen e shkollave, dhe përndjekjen e Perlatit, i cili për t’i shpëtuar, vendoset në vendin më të afërt, në Mali i Zi, pa asnjë ndihmë ekonomike fal, bujarisë së shqiptarëve aty, qëndroi në shtëpitë e tyre 3-4 muaj, me shpenzimet e tyre.

Perlat Rexhepi, ndodhej gjithnjë prezentë midis njerëzve të punës dhe aksioneve. Dyshimet e drejtuesve bën të largonin Perlatin nga qyteti i Vlorës për në zonën e Sevasterit, gjoja për të projektuar rrugën e re, që fillonte nga Peshkëpia, Gorishti e Dushkaraku, për të dalë në Memaliaj, gjatë buzës së Vjosës. Perlatin me shokët e tij, edhe aty i kishin thirrur e paralajmëruar nga kuestura. Kjo arsye bëri të transferohej më pas në Shkodër.

Zyra e gjeometrit nga Vlora, në Shkodër e bashkoi me shumë njerëz të mirë, në punë dhe jashtë sajë. Shumë shpejtë u bë i njohur jo vetëm si specialist, por dhe si njeri me njohuri të thella. Në Shkodër Perlatin e donin dhe respektonin, jo si jabanxhi, por dhe si i ardhur nga Vlora.

Perlati, së bashku me Jordan Misjen, strehohej në shtëpinë e këtij të fundit. Shokët e këshillonin, të ruhej, nuk i flisnin as në emër, po me pseudonim “Tarzani”.

Ai fliste shumë rrjedhshëm në dialektin shkodran. Komiteti Qarkor kishte vendosur të kryenin një aksion për djegien e kuesturës fashiste. Këtë aksion e mori me shumë dëshirë përsipër Perlat me njësitin gueril. Në kohën kur Perlati i fliste rojës, shokët e tij hodhën lëndën ndezëse dhe i vunë flakën kuesturës. Në moment kuestura mori zjarr. Fashistët u tmerruan dhe u alarmuan, ndërsa guerrilasit u larguan me shpejtësi, pa pësuar asnjë gërvishtje.

Ky aksion u kalli frikë, panik e pasiguri forcave italiane dhe ngriti më lartë moralin e popullit, si dhe krijoi besim tek forcat partizane, se po u dilnin për zot vatanit.

Ndonëse ishte i maskuar, duke ndryshuar edhe veshjen, patrulla e policisë e pikasi dhe i kërkuan të ndalte. Ilegali e ndjeu rrezikun dhe shtoi shpejtësinë, për t’i shpëtuar kapjes. Patrullat hapi zjarr duke e plagosur. I plagosur, shkoi në bazën ilegale, në shtëpinë e nënë Lajes, në Dobraç, patriote shkodrane. Edhe i izoluar, në bazë mori vesh se; ishte vrarë shoku i tij, i të njëjtit ideal: Qemal Stafa. U prek thellë, u dëshpërua pa masë.

Pas 20 ditëve të regjimit, vendosi të dilte dhe më vështirësi kaloi nëpër rrugët e rrugicat, shkoi te shtëpia e Jordan Misjes, në lagjen “Firaj”, sot lagjja e: “Tre Heronjtë”. Por syri i shitur i spiunëve e kishte zbuluar, kishin informuar autoritet fashiste.

Në shtëpinë e Misajve, përveç Perlatit e Brankos, ndodheshin edhe 2- 3 shok të tjerë dhe gjithë familja e Jordanit.

Komanda fashiste mori masat, gjatë natës, rrethuan shtëpinë për kapjen dhe likuidimin e ilegalëve të rrezikshëm. Në mëngjes herët, do të realizonin misionin gjakatar.

Heronjtë pushonin, kurse milicia, karabinieria dhe repartet ushtarake qëndronin në gatishmëri për veprim.

Rrethimi i lagjes, i shtëpisë ishte organizuar në disa radhë. Nuk kishte asnjë mundësi për të çarë rrethimin. E vetmja rrugë e mbetur ishte: Dyluftimi. Tre kundër qindra trupave. Te tre heronjtë ishin me moral shumë të lartë, me armët dhe municionet e pakta që dispononin.

Në orën 04 të mëngjesit filluan lëvizjet, zhurma e trupave. Thirrjet alarmuese, trokitje tek porta dëgjohen: “Hapeni se jeni të Rrethuar”. “Dorëzohuni”. “S’kini nga të dilni”!

Në momentet më të rënda, trimat nuk e humbën toruan. Të tre i kërkuan nënës, bashkë me vëllain e motrën e Jordanit, të dilnin nga Shtëpia. Ata do të luftonin, nuk do të dorëzoheshin të gjallë!

Në shtëpinë e vogël shkodrane, të rrethuar nga të gjitha anët, ishin drejtuar sytë dhe zemrat e banorëve për rreth, duke pritur në ankth, çfarë do të ndodhte? Cili do të ishte fati i djemve të ngujuar brenda fortesës? Tre heronjtë kishin një shqetësim: Së bashku me ta kërkonte të vdiste edhe familja e Misajve.

Pas shumë lutjesh e kërkesash të Perlatit, nëna bashkë me djalin e vajzën, u detyruan të pranonin, me zemër të copëtuar, e lot në sy, të bënin ndarjen e përjetshme, t’i linin luftëtarët e lirisë, të binin heroikisht në shtëpinë e Misajve.

U hap lajmi në Shkodër, ishin rrethuar: “Dy shkodranët dhe një vlonjak”!

Në orët e para të mëngjesit, një avion fluturonte në ultësirë, mbi qytet, mbi shtëpinë e rrethuar. Vendimi, tashmë ishte marrë, nga të tre të rrethuarit. Me armët që kishin me vete, revolver, bombat e dorës dhe një pushkë, pa fishek ishin vënë në gatishmëri.

 Lufta filloi. Vendi u ndez flakë nga krismat e armëve, nga brenda e jashtë shtëpisë, bombat shpërthenin pa pushim. Zjarri nga të gjitha anët, rrëzoi për tokë trimin Branko Kadia. Tani mbetën dy. Perlati me Jordanin. Shoku i tyre u nda. Ai ishte dëshmori i parë i kësaj kështjelle. Sot nuk mund të parafytyrohet, se në çfarë gjendjeje shpirtërore janë ndodhur dy luftëtarët, Heronj, pas rënies së shokut të tyre… Presioni shtohej vazhdimisht.

Orët kalonin. Po afrohej mesdita, rezistenca nuk shuhej.

Edhe pse kishin mbetur dy, trimat luftuan pa asnjë ndërprerje.

Avioni, fluturonte ulët, i vendosur të bombardonte shtëpinë, të përdorte lëndët djegëse: Urdhri u dha: “Shtëpia të bëhej shkrumb e hi”. “Të bombardohej”! Kishin hallin e forcave të tyre. Këtë piloti nuk e realizoi, hodhi lëndën djegëse mbi shtëpinë, e cila u përfshi në flakë. Edhe ky veprim nuk dha rezultatin që prisnin. Perlati luftonte, shtëpia ishte përfshirë në flakë.

Jordani kishte marrë plagë, nuk lëvizte, flaka i mori gjithë trupin.

Ndihma ishte e pa mundur.

Perlat Rexhepi, po luftonte me guxim, pa u ndalur, duke mos i pasur më shokët e idealit pranë.

Po zbrazte dhe fishekun e fundit, me të cilët luftoi për 6 orë rresht.

Trimi nga Labëria, edhe në sekondën e fundit të jetës, thërriste: “Poshtë fashizmi”, “Rroftë Shqipëria”!

Legjendari Perlat Rexhepi, me vetëdijen e tij shkoi drejtë sakrifikimit të jetës.

Poeti shkodran i ka kënduar me pathos heroit vlonjat:

    Perlat fol nji fjalë/ Shpirti sa pa t’dalë

Vitet do të kalojnë dhe do të shënojnë vepra dhe figura shumëdimensionale. Vitet e marra do mund të harrojë këto figura?! Por, shpirtrat dhe mendjet e ndritura, kurrë nuk do të harrojnë, por fortë do të shënojnë dhe shenjtërojnë figura të tilla, të cilat janë dhe mbeten në memorien e kombeve të ndritur, duke u bërë më shumë nder vendeve të tyre,  se sa vetes.

Figurë e ndritur, poeti me famë kombëtare dhe kryebashkiaku simbol i Vlorës, dhe vendit, ku ishin të mpiksura: poezia, aftësia dhe mirësia, arti për të drejtuar Bashkinë e Parë, duke u rënë kryq e tërthor rrugëve me një karro, si qytetar, drejtues dhe poet. Ali Asllani mbetet i shënuar, si një shenjtor dhe për veprën e tij poetike: “Koha e Maskarenjve”,  me tingëllimet aktuale, etj

-“A e dini që fitimi, brenda katër vjet mizor’/ Nuk është yti nuk është imi, është i kombit arbëror”…

Këto figura në hartën e Bashkisë së Selenicës, (Labërisë) me rrënjë nga “Kudhës Grehoti” mbeten yje në qiellin e shqiponjave, përmbi Tartar, në frymëzimin dhe angazhimin e kryebashkiakut të Selenicës: Përparim Shametaj, për t’i përjetësuar e ngritur në obeliskun e munguar deri më tani, për t’i, nderuar e mbetur modelet e frymëzimit dhe referimit, të cilët kanë bërë e lënë epokë për kombin!

Figura e burrave të këtyre përmasave, dhe pse janë larguar nga bota e të gjallëve, rrojnë mes të gjallëve dhe frymëzojnë të gjallët!…

*Kryetari i parë/ i Bashkisë së Vlorës/ Pas ka lënë thesare/ “Maskarenjtë e Kohës”!…

SHKARKO APP