Qarku i Dibrës nën borë, disa rrugë dhe akse të bllokuara dhe ndërprerje energjie

Gjatë natës në qarkun e Dibrës, moti është shoqëruar me reshje dëbore, të cilat në Peshkopi kanë arritur trashësi nga 13 deri në 25–40 cm. Aktualisht reshjet vazhdojnë me intensitet të ulët, por situata në terren mbetet problematike në disa zona.

Në Bashkinë Klos, si pasojë e dëborës, disa rrugë fshatrash në njësitë administrative Xibër dhe Gurrë paraqiten me prani dëbore dhe qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë. Banorët këshillohen të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të përdorin mjete të pajisura për dimër.

Në Bashkinë Bulqizë, trashësia e dëborës në Trebisht dhe Ostren ka arritur rreth 25 cm, duke bllokuar disa rrugë që lidhin fshatrat me qendrat administrative. Rruga Ura e Çerenecit–Ostren në segmentin Klenjë–Ostren mbetet e bllokuar, ndërsa në Trebisht ka mungesë energjie elektrike. Në Martanesh, rrugët që lidhin qendrat administrative të fshatrave janë gjithashtu të bllokuara, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe furnizim.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në Bashkinë Dibër, reshjet e dëborës kanë bllokuar akset kryesore që lidhin qendrat administrative në njësitë Selishtë dhe Lurë, ndërsa rrugët që lidhin fshatrat me qendrat administrative në njësitë Lurë, Selishtë dhe Luzni janë gjithashtu të bllokuara. Në disa njësi si Kala e Dodës, Sllovë, Reç, Zall-Dardhë dhe Lurë raportohet mungesë energjie elektrike.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në Bashkinë Mat, një rrugë rurale që lidh qendrën administrative me aksin kryesor është dëmtuar dhe paraqitet e rrezikuar, me mundësi izolimi të të gjithë njësisë. Akset e rrugëve nacionale janë të kalueshme normalisht, por në disa segmente, përfshirë Peshkopi–Vasi, Ura e Çerenecit–Steblevë dhe Qafë Bualli–Krastë, qarkullimi kërkon përdorimin e zinxhirëve, ndërsa në aksin e Rrugës së Arbrit rekomandohet përdorimi i gomave dimërore.

Operatorët kontraktorë po punojnë me mjete borëpastruese dhe hedhje kripe për të mbajtur të gjitha akset kryesore të kalueshme dhe për të parandaluar izolimin e zonave rurale.

Furnizimi me energji elektrike është normal në Bashkinë Mat, ndërsa në disa njësi të Bashkisë Dibër dhe Bulqizë raportohet ndërprerje e përkohshme. Furnizimi me ujë të pijshëm është në normalitet në të gjitha njësitë e qarkut.

Autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave civile këshillojnë banorët të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të raportojnë çdo emergjencë në numrat e dedikuar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?