Qeveri pa prioritete
Nga Sadedin Çeliku
Qeveria është futur në vitin e tretë të mandatit dhe deri tani, me gjendjen që shikojmë, mund të themi me plot gojën se kjo qeveri e ka konsumuar mandatin së bashku me kryeministrin. Sigurisht të gjithë shqiptarët e dinë se sa vështirësi kishte nga trashëgimia e treguesve makroekonomik që la qeveria paraardhëse, siç dinë rrugët për daljen nga kriza dhe futjen e vendin jo në rrugën e zhvillimit se e dimë se nuk e bëni dot, por në rrugën e reduktimit të varfërisë ekstreme. Me sa vërejmë prioritetet e zhvillimit që lidhen me investimet shkojnë atje ku kanë interesa personale dhe jo aty ku ka interesa publike. Kjo është shumë e kuptueshme sepse po e shikon populli se çfarë po bëhet. Investimet e para në çdo vend duhet të shkojnë për sigurimin e jetës së popullatës, për pasuritë e tyre (shtëpi, toka, të mbjella e të lashta, bagëtitë etj) e cila është pasuri kombëtare dhe me kushtetutë. Kjo do të thotë që qeveria duhet tu thotë ndal fatkeqësive natyrore që varen nga ne. Vetëm në dy ditë shi rrezikohen banorët nga dalja nga shtrati i lumit Gjanica, fenomen i cili u përsërit edhe një vit më parë. Por sikur të ndodhë po kështu me lumenjtë e tjerë. A mund ti përballojë pa fonde Drejtoria e Emergjencës Civile këto fatkeqësi ?
Ka rreth 20 vjet që zonat Lezhë e Shkodër përmbyten sepse miliona dollarë të harxhuara për argjinaturat janë vjedhur dhe këtë e vërteton fakti që përmbytjet vazhdojnë i kanë shoqëruar çdo vit këto zona. Askush nga prokuroria dhe sektorët përgjegjës të auditimit nuk na ka bërë me dije se ku kanë shkuar ato para dhe pse përmbytjet vazhdojnë çdo vit. Pra argjinaturat ose kanë bërë një shkërmoqje të dheut sa për fasadë ose nuk janë bërë fare . E njëjta gjë ndodhi në Selenicë ku banorët për neglizhencë të qeverisë kërkojnë dëmshpërblim për dëmet që kanë pësuar . Dikur edhe pse me qeveri të centralizuar, punohesh gjithë verës për vendosjen në gatishmëri teknike hidroforët, pompat, argjinaturat etj por përmbytje s’kemi patur kurrë. Jo vetëm kaq, por aktualisht rrezikohen mjaft rrugë nga shembja pa llogaritur rreziqet që na vijnë nga prishja urave dhe veprave të tjera të artit.
Po sot ç’bëhet? Nga investimet e nisura nuk ka përfunduar asgjë dhe asnjë prej tyre. Kështu nuk ka përfunduar superstrada Tiranë-Elbasan, unaza e madhe, rruga e kombit në dy segmente, rruga e Arbërit, rruga Korçë – Qaf Plloçë -Pogradec, superstrada Plepa-Rrogozhine dhe qindra akse e rrugë të tjera. Bashkia Tiranë nisi një aksion për të na hedhur baltë syve çlirimin e hapësirave publike që nuk e ka bërë deri tani. Qytetarët nuk kanë trotuare ku të kalojnë sepse i kanë zaptuar kafenetë e dyqanet. Rruga e Fortuzit, rruga Ali Pashë Gucia, rruga 4 dëshmorët, unaza e veçanërisht në zonën e tregut, rruga Myslim Shyri etj janë të zëna fare pa përmendur rrugët e tjera jashtë unazës. Sa i takon prishjeve të objekteve me dhe pa leje, ato që prishin kondicionet urbane nuk bëhet fjalë. Edhe aty ku kanë bërë kanë qenë me bazë selektiviteti. E megjithatë disa investime jopublike po bëhen se kështu quhen dhe ato. U ristrukturua brenda dhe jashtë e para selia e Kryeministrit. Po ristrukturohet e restaurohen Ministria e Kulturës, Mbrojtjes, Brendshme, Ekonomisë, Financave e me siguri ato që mbeten do vazhdojnë gjatë vitit të ardhshëm. U bënë rikonstruksione të plota shumë nga drejtoritë e shëndetit publik, klinika që si shërbejnë kujt, drejtoritë e komisariatet e policisë së shtetit etj. Miliona dollarë të taksapaguesve dhe të borxheve që merr kjo qeveri, shpenzohen për zyra luksi e fasada sepse ndryshe Shqipëria nuk bëhet pjesë e familjes europiane. Kjo është një nga arsyet që shqiptarët enden rrugëve pa punë, të varfër deri ku s’mban e të papunë. Me sa duket qeverisë ju mungojnë idetë se ku dhe si të investohen paratë tona. Në se është kështu ajo duhet të kërkojë ndihmë por unë besoj se investime të tilla kanë prapavijë interesat e ngushta të titullarëve.
Kryeministri i vëndit na informon nga Lindja e Largët se po negocion me palën kineze për zgjerimin e portit detar të Durrësit, për ndërtimin e parkut Industrial të Spitallës, projekte transporti, infrastrukturë, koridorrin e kaltër etj. Shumë mirë bën që bisedon, por më parë duhet të ketë të qartë përcaktimin e prioriteteve e të futet nբbisedime i përgatitur. Ne nuk mund ta kapim veshim prapsh sepse nuk dimë.
E para, porti detar i Durrësit deri tani shfrytëzon 40% të kapacitetit përpunues ose e thënë ndryshe ka dhe rreth 60% kapacitete të lira. Edhe qëmoti ku vetëm hekur nikel, krom, koncentrat kromi, qymyr guri e të koksifikueshëm, dolomite, skorje e fosforite, bëhesh rreth dy miljon ton, përsëri mun të përpunoheshin më shumë. Pra nuk duhet harxhuar asnjë kacidhe për portin e Durrësit dhe as duhet bërë zgjerim për hatër të Bashkisë së Durrësit që është binjakëzuar në Kinë. Edhe pse mund të bëhen disa ndërhyrje ( janë bërë disa investime të vogla në portet Sarandë, Shëngjin, Vlorë ) në portet e tjera, personalisht jam i vendosur si teknik të siguroj këdo se Shqipëria me këto kapacitete që ka mund të përballojë e të përpunojë dyfishin e mallrave e pasagjerëve krahasuar me vitin më të mirë të realizuar.
Problemi I investimeve në transport bëhet me prioritet shpërdorimin e fondeve publike. A e dini pse ndodh kjo ?
Sepse qeveritë njëra pas tjetrës me fjalën transport nënkuptojnë vetëm rrugët se ato kanë punime të fshehta, dhe atje mund të abuzohet kollaj. Por rrugët kanë përdorues që do të thotë kanë këmbësorë që s’kanë ku ecin nga zënia e hapësirave publike, kanë transport hekurudhor pa hekurudhë se s’ju intereson kujt investimi atje, ka transport ajror që paguajmë dyfishin e çmimit për biletë se tartifat e shërbimeve janë në hava, kanë transport rrugor rrethqytetas, qytetas, ndërqytetas cope-copë , me inventar të vjetër sepse nuk merret kush me të dhe kështu më shumë merret sindikata se sa sektorët shtetërorë.
Sa për koridorin e kaltër më duket e vështirë të realizohet, kjo edhe për shkak të problemeve politike, gjeopolitike, problemeve që lidhen me refugjatët etj. Gjithsesi mendoj se duhet të shikojmë investimet brënda shtëpisë sonë sepse ajo varet tërësisht nga puna tonë.
Viti 2016 po afron dhe buxheti i vitit ardhëshëm gati i përfunduar. Më duket një buxhet real për vlerën e përgjithëshme, por përsa i takon prioriteteve të zhvillimit kam mjaft rezerva një pjesë të së cilave i rendita në këtë shkrim.