Qeveria, 4.5 milionë dollarë për nxitjen e punësimit
Qeveria çel fondin prej 4.5 milionë dollarësh për nxitjen e punësimit nga i cili 1 milionë dollarë shkojnë për Fierin dhe Vlorën, me përparësi banorët e zonave të përmbytura. Krahas rikuperimet të dëmeve të shkaktuara nga përmbytja, kjo vjen si një tjetër masë në mbështetje të banorëve të këtyre zonave.
Çelja e fondit u njoftua nga Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, gjatë vizitës në një fabrikë fason në Fier, përfituese gjatë 2014 nga fondi i qeverisë për nxitjen e punësimit. Kjo sipërmarrje shqiptare, falë këtij fondi ka punësuar 70 punonjës të rinj.
“Arsyeja pse ne u ndalëm këtu ishte, përveç të tjerash, edhe fakti që në zonat e përmbytura kemi vënë në dispozicion edhe një fond të posaçëm për nxitjen e punësimit. I vihet në dispozicion bizneseve për të rritur punësimin dhe i vihet në dispozicion atyre që kërkojnë punë, për të punuar dhe për të jetuar me punë të ndershme. Kjo është qasja jonë, që na bën të mundur jo vetëm të shohim si t’ia dalim kur na merr përpara moti i tërbuar, por edhe se çfarë duhet të bëjmë kur del dielli dhe kur duhet menduar për të përballuar me sukses, jo vetëm dëmet e drejtpërdrejta të shkaktuara nga moti, por edhe plagë që kërkojnë një kurim të vazhdueshëm për t’u kuruar në kohë” – u shpreh Kryeministri.
Fondi për nxitjen e punësimit përbëhet nga gjashtë programe të ndryshme, të cilat mbështesin krijimin e vendeve të reja të punës, duke subvencionuar punëdhënësit me pagesën e sigurimeve shoqërore për një vit dhe katër paga për çdo punonjës të punësuar. Për këtë vit, – theksoi Kryeministri, – synohet dyfishimi i shifrës së aplikuesve, nga 361 mijë subjekte vitin e kaluar në 700 mijë, me qëllim arritjen në 7 mijë të punësuarve vetëm nga ky fond. “Vetëm në një vit, vitin 2014, kemi shpërndarë një fond nxitjeje të punësimit për 361 subjekte që kanë aplikuar dhe faktikisht, vetëm nga ky fond punësimi janë përfshirë në punë dhe janë tërhequr nga zona e papunësisë 4 mijë punëkërkues. Për këtë vit, fondi i vënë në dispozicion është dyfish i vitit të shkuar dhe programet e nxitjes së punësimit do të zbatohen intensivisht. Nëse këto programe do të ezaurojnë me sukses, në një kohë të shpejtë, gjithë këtë fond që kemi vënë ën dispozicion, ne përsëri do të vendosim fonde të tjera në dispozicion”.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj bëri të ditur se fondi për Fierin dhe Vlorën është sa 20% e fondit të përgjithshëm për nxitjen e punësimit. “Në të dy rrethe të prekur nga përmbytjet, Fieri dhe Vlora fondi shkon mbi 1 milionë dollarë, praktikisht është mbi 20% e fundit për gjithë Shqipërinë vetëm në këto dy zona”, tha ministri Veliaj, ndërsa ftoi bizneset të marrin në konsideratë dhe të punësojnë më së shumti banorë nga zonat e përmbytura.
Nga fondi prej 4.5 milionë dollarësh për nxitjen e punësimit përfitojnë ato kompani që do të punësojnë punëtorë nga kategori të ndryshme, sidomos gra e vajza, të rinj, persona me aftësi të kufizuara, si dhe qytetarë nga komuniteti rom.