Qeveria bën gati ndryshimet në Kodin e Punës, gjykata nuk të kthen më në detyrë
Pushimet nga puna të atyre që punojnë në administratë kanë rezultuar një kosto tepër e lartë për buxhetin e shtetit. Kjo pasi gjykata i ka konsideruar shpesh të padrejta pushimet dhe rikthimi në punë pas disa muajsh, është shoqëruar me marrjen e pagave të prapambetura prej tyre.
Por nëse miratohen ndryshimet e propozuara nga qeveria në kodin e punës, atëherë Gjykata nuk do të mund të kthejë në punë punëmarrësit të cilëve iu është prishur kontrata nga punëdhënësi në mënyrë të pajustifikuar.
Opozita kundërshtoi këtë ndryshim gjatë diskutimit të projektligjit në Komisionin e Ligjeve.
Komisioni vendosi të lërë pezull miratimin e këtij projekt-ligji deri në njohjen me rekomandimet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës mbi këtë çështje.
Nga ana tjetër pretendohet se të shkarkuarit shpesh ndajnë paratë gjatë pezullimit me gjyqtarët dhe marrin thuajse gjithnjë të drejtë, duke e lënë korrupsionin në nivele alarmante. Kësisoj, paralelisht me procesin e Reformës në Drejtësi, duket se edhe me Administratën Publike do të ketë vendime drastike për rifreskimin e saj, nismë kjo e qeverisë së majtë.
Ka zëra se kryeministri Edi Rama është prej kohësh në presion nga elektorati që e votoi dhe ka kërkuar këtë lëvizje, pasi ato janë ankuar shpesh se njerëz të paaftë dhe të korruptuar vazhdojnë të mbajnë vendet e punës që i kanë fituar me anë të korrupsionit apo nepotizmit, gjatë qeverisjes së kaluar.