Qeveria teknike? Civici: Eksperiment shqiptar, Shano: Ministra besimi

A do të funksionojë qeveria me ministra teknikë të propozuar nga opozita? Alban Zusi, kryetar i Qendrës së Eksporteve i ftuar në Ekopolitikë nga Aurora Sulçe në Ora News, mendon se jo.

Dritan Shano, koordinator në PD shprehet se kjo është një qeveri besimi, ndërsa Presidenti i UET, Adrian Civici, thotë se kjo është hera e parë në Shqipëri dhe se ministrat nuk mund të quhen teknikë. Aranita Brahaj nga Open Data Albania shprehet se konsensusi duhet parë pozitivisht pasi mund të pengohet politizimi i administratës.

Pjesë nga diskutimet:

Zusi: Institucionalisht nuk ka për të funksionuar. Ato institucione do të jenë praktikisht të paralizuara.

Shano: Në një institucion funksionon me titullarin që është ministri dhe mjafton Sekretari i Përgjithshëm. Që një dikaster të funksionojë duhet të veprojë ministri dhe sekretari i Përgjithshëm.

Zusi: Çfarë do të bëjë ministri? Ministri do të thërrasë drejtorët?

Shano: Do t’u thotë që mos u bëni pjesë e fushatës politike.

Zusi: Po për detyrat funksionale? Për detyrat e përditshme, për shkresat.

Civici: Ka një sens kur vendoset një qeveri teknike. Rrallë ka deri më sot që treçereku është me ministra politikë çereku me ministra teknikë. Ky është eksperiment shqiptar. Të shikojmë deri se ku do të na çojnë. Ka qeveri teknike në dy raste, në rastet kur ka një detyrë specifike për të cilën është e nevojshme dhe palët bien dakord për një zgjidhje.

Siç është rasti i qeverisë Monti në Itali. Në rastin e dytë, kur qeveritë teknike në periudha krizash si një fatkeqësi natyrore apo në prag krize. Ka një përvojë të tretë që për të paraprirë një barazie në zgjedhje me Kushtetutë vendosen në dikasteret kryesore ministra jashtë politikës që kujdeset që fondet publike të mos përdoren në zgjedhje.

Sulçe: Është Shqipëria ky rast?

Civici: Ky është një hap drejt kësaj gjëje, erdhi si marrëveshje politike dhe jo ligjore. Në qoftë se ti në disa ministri vendos disa ministra teknikë, çfarë programi ka ky pasi vjen nga një parti tjetër. Më shumë se sa ministra teknikë, këta janë ministra kujdestar. Besoj që ky ishte një mesazh që u dha. Unë nuk besoj që këta do të marrin vendime edhe për një arsye të thjesht; do luftojë ministrja e re e Financave për rritjen e të ardhurave? Do të ishte shumë mirë të themi po.

Brahaj: Është mirë ta shijojmë këtë periudhë konsensusi. Proceset zgjedhore në Shqipëri janë tejet të ngarkuara negativisht dhe një prej tyre politizimi i administratës. Vende në administratën publike që shtohen me disa shifra në vitin elektoral.

SHKARKO APP