Qeveria tërhiqet nga “përgjimi ambiental” i policisë, zëvendësohet termi
Qeveria ka rishikuar projektligjin që i jepte kompetenca Policisë së Shtetit për të kryer përgjime ambientale.
Komisioni i Sigurisë ka miratuar sot ndryshimet në ligjin për “Policinë e Shtetit” ku ajo që bie në sy është tërheqja nga neni i projektligjit që i jepte policisë kompetenca për të kryer përgjime ambientale në raste të dyshuara për vepra penale apo për parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Ndryshimet e reja udhëzojnë policinë të kryejë monitorim dhe ndjekje nga agjentët, por pa përdorur mjetet elektronike të komunikimit.
Ndryshimi tjetër ka të bëjë me hapjen e një mundësie ligjore, që punonjësit e Policisë së Shtetit të mund të transferohen nga Policia e Shtetit në struktura të tjera shtetërore nëse kjo kërkohet.
Konkretisht, ministri Lleshaj tha se policët që kanë mbushur moshën 55 vjeç, një pjesë e tyre mund të transferohen tek Illyrian Guard për të shërbyer në ruajtjen e objekteve apo struktura si hetimi tatimor.
Në rast se lind nevoja, këta punonjës që kanë dalë në pension dhe shërbejnë në struktura shtetërore mund të rikthehen sërish në Policinë e Shtetit./