Qeverisje pa talent!

Nga Bledar Kurti/Pas fitores së koalicionit të majtë, me1 milionë vota, më kujtohet që bëra një shkrim në një nga gazetat kombëtare me titull “Për një qeverisje me klas,” në të cilin shpreha një dëshirë personale, besoj edhe në emër të të gjithë shqiptarëve, që qeverisja e re të ishte me stil e klas, me një sjellje shtetarie, me një komunikim të rafinuar, me një filozofi pune dhe jo demagogjie, me figura të spikatura në drejtim të sektorëve të rëndësishëm, me vizione të qarta dhe të kuptueshme për zhvillimin e vendit, me rend e rregull, me një shëndetësi modeste por serioze dhe me menaxhim profesional, me një luftë të dukshme kundër korrupsionit dhe padyshim, më kryesorja jo për nga rëndësia, por nga bezdia, një qeveri që flet pak e punon shumë, dhe ia le qytetarit të gjykojë punën e jo të bombardohet pa pushim nga propaganda e qeverisë.

Kjo dëshirë e imja, nisi kënaqshëm me 300 -ditëshin e parë të qeverisë, u shuajt në 300- ditëshin e dytë, u harrua tërësisht në 300 ditëshin e tretë, dhe as që ka shpresë të rizgjohet në 300 ditëshin tjetër, apo edhe të fundit deri në zgjedhjet e ardhshme.

Qeverisja është art, ndaj si e tillë kërkon talent. Kjo qeveri ka dëshmuar në tre vitet e shkuara se nuk ka talent. Dhe problemi me talentin është se rrallë fitohet rrugës nëse nuk e ke të lindur, apo dhunti. Duke e ditur këtë, shqiptarët besojnë me trishtim që asnjë mrekulli nuk do të ndodhë në 300 ditëshin e ardhshëm, dhe asnjë shpërthim talenti nuk do dëgjojnë deri në zgjedhjet e tjera.

Edhe vetë qeveria e ka kuptuar që nuk ka talent, pasi e sheh që fytyrat e qeshura në rrugët e Tiranës janë shuar bashkë me shpresat dhe pritshmëritë e shqiptarëve. Dhe nëse nuk ka më asnjë fytyrë të qeshur në Tiranë, imagjinoni qytetet e tjera apo zonat periferike të Shqipërisë të cilat janë në kufijtë e mbijetesës.

Propaganda e qeverisë e krahason gjendjen e sotme me kohën e Saliut. Ne nuk duhet të krahasohemi me se si ishim por se si duhet të jemi. Berisha krahasonte qeverisjen e tij me kohën e Enver Hoxhës, Nano me kohën e Berishës, Berisha me kohën e Nanos, Rama me kohën e Berishës, e kështu me rrallë, dhe askush nuk e krahason gjendjen se ku duhet të jemi dhe se ku duhet të ishim pas çerek shekulli Post-Komunizëm.  Me qëllim përdor këtë term dhe jo Demokraci, sepse nuk jemi ende dhe nuk kemi qenë ndonjëherë një Demokraci e mirëfilltë gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë. Demokracia sjell zhvillim, prosperitet, dhe standarde jetese normale për qytetarët, të cilat vazhdojnë të mungojnë, ndoshta më shumë se sa kurrë, sot, në periudhën e “Rilindjes së Artë Shqiptare.”

Gjatë 300 -ditëshit që ka mbetur, a do ndodhë ndonjë mrekulli dhe të hapen 1,000 vende pune në ditë, që të arrihet premtimi i 300,000 vendeve të punës? A do rriten pagat e administratës dhe të pensionistëve? A do shtrohet ndonjë rrugë e rëndësishme e cila sjell zhvillim ekonomik rajonal e kombëtar? A do ketë më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve? Dhe mbi të gjitha, a ka ndonjë ilaç magjik qeveria (jo atë ilaçin nëpër male e fusha për të cilin dëgjojmë çdo ditë) ti rikthejë shpresën shqiptarëve?

Qeverisja dhe ministrat e Ramës nuk kanë talent. Ndryshe nga pritshmëritë e shqiptarëve ajo nuk ka as stil e as klas por është arrogante në kufijtë e absurdit. Nuk ka komunikim të rafinuar, por tone të rënda egoizmi dhe vetëkënaqësie si ndaj qytetarëve të thjeshtë ashtu edhe ndaj akademikëve, artistëve, maturantëve, etj, dhe filozofinë e punës e mat jo me përmbajtje por me formë.

Shëndetësia falas apo universale ishte një ndër dështimet më të mëdha të saj. Në një nga sondazhet online rezultoi që edhe Nard Ndoka ishte ministër më i mirë shëndetësie se sa Ilir Beqaj, i cili mban rekord në historinë e këtij vendi për akuza skandalesh. Sot arsimi është në gjendje kaotike. Jo vetëm Ligji i Arsimit të Lartë është një lëmsh amatoresk, por situata aktuale me maturantët është e pafalshme, ashtu siç është e pafalshme për kreun e kësaj qeverie që nuk la as edhe një precedent fisnikërie për qeverisjet e tjera. Nuk i kërkoi asnjë ministri të japë dorëheqjen në raste skandalesh, siç është kjo e maturantëve, e shumë të tjera, por përkundrazi i mbron me fanatizëm ministrat e tij të patalentuar.

Po Ilir Meta? Cili është roli i Metës në mëkatet e patalentuara të Ramës. Ndryshe nga Rama, i cili beson dhe propagandon që Shqipëria po jeton në epokën e artë, Ilir Meta është spiranca që e mban anijen emocionale të kryeministrit të ecë në kursin e duhur dhe të mos mbytet nga dallgët e forta të ekonomisë, papunësisë dhe situatës së vështirë ku gjendet vendi. Ndryshe nga Rama që shquhet për kokëfortësi, Meta është gjithmonë racional dhe dinamik dhe e sheh ndryshimin si integritet politik dhe progres për të mirën e sektorëve të caktuar për vendin, dhe kjo u pa edhe me lëvizjet në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Transporteve.

Se si do përfundonte anija e Ramës pa Metën kjo besoj se dihet nga të gjithë, ashtu sikurse dihet që i vetmi në këtë qeverisje i cili ka kostumin e shtetarit është Ilir Meta. 300 ditët e ardhshme janë të rëndësishme për koalicionin qeverisës. Për tre vite Rama ka ndjekur politika ekstreme të majta dhe ekstreme të djathta, lisharsi i qeverisjes së tij është lëkundur radikalisht herë nga njëri krah e herë në tjetrin, duke penalizuar kështu shtresat e ulëta dhe të mesme, të cilat gjenden midis këtyre dy ekstremiteteve.

Meta është i majtë dhe e ka ruajtur me konsistencë dhe besnikëri qëndrimin e tij politik, duke u fokusuar në përgjegjësinë sociale që ka partia e tij dhe në detyrimin që ka ndaj elektoratit të majtë. Ndaj në këtë qeverisje të patalentuar i vetmi politikan që ka vërtetë talent është Ilir Meta, dhe nëse 300 ditët e ardhshme do jenë 300 ditët e radhës apo të fundit për këtë konfigurim politik varet, përsëri, nga ai.

SHKARKO APP