QKR, 10 – mujori: Regjistrohen 34 mijë biznese; Çregjistrohen 0.4% më pak
Numri i bizneseve që regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve ka arritur një tjetër shifër rekord krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar – tetor të këtij viti numri i bizneseve fillestare të regjistruara i kalon 34,239. Kjo shifër është rreth 130 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014 ose rreth 105 % më shumë se totali i vitit 2014 (16,731).
I njëjti burim zyrtar thotë për “Monitor.al” se vetëm gjatë muajit tetor u regjistruan
4,122 biznese ose 3 herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë(1,363).
Nëse do t’i referoheshim të dhënave për periudhën Korrik – Tetor 2015 ( kur nisi edhe fushata e qeverisë për formalizimin e biznsesit) janë regjistruar 25,374 subjekte ose 5.7 herë më shumë se viti 2014.
E ndërsa regjistrimet janë rritur me ritme të larta, të dhënat e ofruara nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit flasin për më pak çregjistrime. Gjatë periudhës janar-tetor të këitj viti u çregjistruan 3,303 biznese ose 0.4% më pak krahasuar me vitin 2014 ku shifra ishte 3,317.
Ndërkaq kanë hyrë në fuqi edhe procedurat e reja të regjistrimit të biznesit, me futjen e shërbimeve online.