QKR, mbi 7,000 bilance dorëzohen online, fluksi në rritje
Kur kanë mbetur edhe tre ditë nga afati i fundit i dorëzimit të pasqyrave financiare, që është data 31 korrik, Qendra Kombëtare e Regjistrimit raporton për fluks në rritje të aplikimeve nga ana e biznesit. Të dhënat zyrtare bëjnë të ditur për mbi 7,000 bilance të dorëzuara elektronikisht.
Shifra pritet të rritet pasi shpesh QKR është përballur me flukse të mëdha në përfundim të afatit, që është i përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Pas çdo aplikimi sistemi rifreskohet me të dhënat e reja. Drejtuesit e QKR-së shprehen se janë marrë të gjitha masat që të mos ketë probleme për biznesin, ndërsa kujton se individët apo subjektet që nuk do të paraqesin pasqyrat financiare dhe raportet e auditit brenda afateve ligjore do të përballet me sanksione, gjobë në masën 15,000 lekë. Masa ndëshkimore vlen edhe në rastet kur biznesi nuk ka paraqitur pranë QKR-së bilancet e ndonjë viti të mëparshëm.
Nga ana tjetër biznesit i kërkohet që të bëjë rifreskimin e të gjitha të dhënave në mënyrë që ato të reflektohen në sistem.