Qytetarët më të pakënaqur se kurrë

Nga Sadedin Çeliku

Shqipëria po plaçkitet e tëra, po shitet gjithçka, gjithashtu po jepen e koncensionohet edhe ajo që ka mbetur nga pasuritë që krijoi ky popull. U gjet fjala koncension që shumëkush nuk e kupton dhe në emër të reformës në ekonomi, rentabilitetit dhe efektivitetit, po përvetësohen miliarda dollarë nga një dorë njerëzish të paudhë që do t’ju vijë dita të vjellin gjithçka bëjnë në emër të shërbimit më të mirë për popullin i cili pret përmirësimin e cilësisë së jetës, ulje taksash, punësim dhe mirëqenie. U habita kur dëgjova në edicionin e lajmeve kryesore fjalën e Ministrit Shëndetësisë i cili na bën me dije për koncensionimin e shërbimit të urgjencës dhe na “siguroi” se populli duhet të rrijë i qetë sepse gjoja për ta nuk ndryshon asgjë dhe argumenti që na paraqiti zotëria ishte inventari i parkut të urgjencës e cila kish mbetur me tre autoambulanca. Por më habiti dhe më shumë fjalori jo shqipfolës që për herë të parë dëgjova fjalën “flotë” edhe pse kam punuar mbi 35 vjet në sistemin e transportit. Hapa menjëherë fjalorin shqip-shqip por më kot sepse nuk gjeta asgjë.  Nuk dua të merrem me koncensionimin e shërbimeve të tjera si check-up, hemodializa, me medikamentet e skaduara, me situatën e rëndë në sistemin shëndetësor dhe as me projektet e reja të ministrit për investime urgjente në rrethinat e qyteteve(qendrat shëndetësore), poliklinika etj.. Urgjenca siç i thotë populli ka bërë historinë e vet dhe shërbimi i saj ka qene me ulje-ngritje por gjithsesi njerëzit përmes asaj kanë gjetur derman. Në se do duhet ti kthehet pronarit objekti e trualli s’ka asgjë të keqe dhe nuk është kiamet i zi të gjesh vend tjetër për urgjencën, por nëse kthehet qëllim në vetvete për ta koncensionuar shërbimin këtu duhet të ndalemi se kemi të bëjmë me interes publik pra interesin e popullit.

Me deklaratën e tij ministri injoron e fyen të gjithë popullin kur thotë se për qytetarët nuk ndryshon asgjë.  Zotëri, urgjenca dhe e tërë mjekësia mbahet me paratë e taksapaguesve dhe meqenëse është kështu gjithçka ke bërë do duhet ta paguash shtrenjtë se popullin e ke pasur kundra në të gjithë sipërmarrjet e tua që deri më tash na e ke servirur për cilësi dhe reforma. Cilësia e shërbimit nuk po përmirësohet, përkundrazi është përkeqësuar, rentabilitet gjithashtu, atëherë pse vazhdojnë ende këto aventura dhe kujt i shërbejnë? U hoq taksa e biznesit vogël që ju ra goja ministrave diç kanë bërë. Po pse u rritën të ardhurat nga qiraja nga 10 % në 15 %, pse përdoret referenca në to, a është biznes i vogël të japësh me qira një objekt për një çapë bukë apo quhet biznes i madh sipas konceptit tuaj? Pse rritët dyfish taksën mbi pasuritë e dyqaneve? Pse kaluan 27 shërbime noterëve, kush po e nxjerr jashtë loje biznesin dhe kujt i intereson monopoli në ekonomi e shërbime? A mund të ndalet kriza ekonomike me këto veprime dhe kur do të fillojë gjallërimi ekonomisë? Kur do të ulet borxhi publik dhe ai i huaj dhe kush ka përgjegjësi për gjendjen e krijuar pse largohen nga vendi qytetarët dhe pse nuk jepen shpjegime?

Pyetje si këto mund të bëhen me qindra dhe të gjitha kanë mbetur pa përgjigje. Gjithsesi le t’i kthehemi dhe një herë shëndetësisë dhe urgjencës, të cilën duan ta koncensionojnë.

Cilësia e shërbimit që ta ketë të qartë ministri i shumëpërfolur nuk është argument dhe se ha kush sepse nga përvoja që na ofrojnë koncensionet e tjera nuk na rezulton efektivitet, por vetëm plagë, të cilën po e vuan shoqëria. Por nuk është argument dhe as bindës inventari i pakët i autoambulancave. Sipas njerëzve shumë pranë ministrit, të cilët kanë frikë të identifikohen gjendja në sistemin e urgjencës është lënë qëllimshëm të degradojë dhe kjo situatë e krijuar ndër vite mund dhe duhet të korrigjohet. Qeveria po bën tre vjet mandate dhe ka tre vite buxhet që administron, pse nuk janë blerë autoambulanca dhe kush ka përgjegjësi për gjendjen autovetura janë blerë qindra për institucionet, madje, pa qenë nevoja në shumë raste, pse nuk janë përdorur për jetën e njerëzve dhe si janë përcaktuar prioritetet? Pse nuk riparohen autoambulancat me defekt dhe pse tolerohet kjo gjendje? Peshku qelbet nga koka thotë populli, a ka vërtetë të drejtë populli?

Sikur një autoambulancë në vit të ishte blerë, inventari do ishte nga tre në gjashtë dhe me pak fonde mund të ishin riparuar dhe vënë në gatishmëri dhe ato me avari dhe kështu do kishim vërtet kualitet shërbimi. Zoti ministër hiqni dorë sa nuk është vonë nga nismat për të koncensionuar gjithçka ka sistemi që drejtoni ju. Shumë trim po tregohesh me veprimet dhe mosveprimet tua. Ke një sektor mjaft të vështirë, por human sepse i shërben të gjithë popullit ndaj duhet ta dëgjosh atë, ndryshe ai të mallkon, por dhe të ndëshkon rëndë.

SHKARKO APP