Qytetari i bën kallëzim penal ndërtuesit pas dëmtimit të shtëpisë nga tërmeti
Emisioni investigativ “BOOM” në RTV Ora solli ditën e sotme denoncimin e z. Kreshnik Bodlli, banues në një ndërtesë private ngjitur me një pallat të shpallur të pabanueshëm në Durrës.
Pallati është ndërtuar shumë afër shtëpisë së z. Kreshnik duke mos zbatuar rregullat e distancave nga njëri subjekt në tjetrin.
Pas tërmetit të 26 nëntorit, pallati është shpallur i pabanueshëm duke pasur dëmtime në muret e jashtme të saj.
Në të njëjtën kohë pas inspektimeve të inxhinierëve, edhe banesa njëkatëshe e z. Kreshnik është shpallur e pasigurt pasi rrezikon nga muret e pallatit të madh.
Kreshnik Bodlli: Ne jetojmë tek kjo shtëpi që në vitin 1950, në këtë shtëpi ka lindur babai im. Kur është ndërtuar pallati ne kemi qenë emigrant. Kur jemi kthyer kemi parë këtë gjendjen që pallati kur është ndërtuar nuk ka respektuar as fugat sizmike as distancat e sigurisë. Ne u ankuam në disa vende po hë se do e rregullojmë, e s`u bë gjë. Po në këtë rast që ra tërmet, unë kam pësuar dëme dhe shtëpia është bërë e pabanueshme. Ky pallat ka filluar në 2005 dhe ka mbaruar në 2008. Unë mëgjesin e tërmetit isha me nusen dhe 2 gocat, njëra 1 vjeç një 4 muajshe. Për fat të mirë ishim shtrirë tek dhoma tjetër, jo ajo afër pallatit. Kur filloj tërmeti kam marrë fëmijët ndaluam poshtë traut të derës se nuk arrinim të ecnim nga lëkundjet aq të forta në katin e parë.
Gazetarja: Kanë ardhur ta inspektojnë banesën dhe ju kanë lënë një dokument?
Kreshnik Bodlli: Dokument nuk na lanë por që erdhën një inxhinier i Bashkisë dhe disa të huaj maqedonas mesa di. Ata erdhën për pallatin dhe unë i thirra, ata thanë nuk jemi për banesat. Megjithatë erdhën u futën brenda, panë dhe kur dolën jashtë thanë është më mirë të mos rrini brenda.
Me këtë shtëpi vjet kemi shpenzuar goxha lekë me rikonstruksionin. Ne kërkojmë dëmshpërblim, të paktën të na rikonstruktohet shtëpia nga e para siç e patëm bërë vjet. Nuk është normale që tjetri të vijë të bëj shtëpi sipër shtëpisë tënde edhe të shkaktoj dëmet që kemi aktualisht në shtëpi.
Stafi i “BOOM” shkoi në Qendrën Administrative 2 Durrës , që përfshin disa lagje mes tyre edhe atë ku bën pjesë familja Bodlli është dëmtuar nga tërmeti.
Qendra është mbyllur ndërsa absurdi qëndron se punonjësit dhe banorët marrin shërbim tek kafja përballë.
Pas tërmetit nëpër Qendra Administrative janë atashuar inxhinierë të cilët janë pjesë e drejtorive apo ndërmarrjeve të ndryshme të Bashkisë Durrës.
Një prej tyre që ka qenë në inspektimin e banesës së Kreshnikut e takuam tek kafja që ishte përshtatur si njësi.
Gazetarja: Po ju e keni inspektuar ndonjëherë si njësi? Si inxhinier?
Inxhinieri, Qendra Administrative 2: Unë kam qenë si njësi, kemi qenë emergjent, ditën direkt pas tërmetit që na thanë, vendosuni në dispozicion të njësive sepse është kaos. Nëqoftëse ka diçka që është emergjente njerëzit duhet të dalin jashtë, na lajmëroni dhe vëmë në dijeni dhe policinë e shtetit që të dalin jashtë.
Gazetarja: Ishin këta në atë gjendje realisht për të dalë nga banesa?
Inxhinieri, Qendra Administrative 2: Jo, por pallati është i pabanueshëm sa rrezikon që një tullë mund të bjeri.
Gazetarja: Pallati apo shtëpia, se ne interesohemi për shtëpinë? Shtëpia është ngjitur me pallatin.
Inxhinieri, Qendra Administrative 2: Atëherë po flas se inspektova pallatin, pastaj dola dhe te shtëpia e Nikut. Unë thashë nëse ai muri bie dhe të hedh çatinë, të vret. Kështu që në këtë rast është e cënuar dhe godina e Nikut. Kështu që edhe ai nuk duhet të banoj aty deri në momentin që të largohen muret që janë në rrezik jete. Muret e pallatit, normalisht.
Gazetarja: Po në banesat private ka filluar inspektimi?
Inxhinieri, Qendra Administrative 2: Jo. Pa mbaruar banesat shumëkatshe, jo.
Gazetarja: Kur pritet që ky grupi tjetër ta inspektoj, që ta vendosi përfundimisht?
Inxhinieri, Qendra Administrative 2: Nuk kemi udhëzime për këtë. Me sa dimë prapë jozyrtarisht do gjendet arsyeja pse ka përfunduar kjo godinë e pabanueshme, kush ka qenë shkaktari.
Gazetarja e “BOOM” iu drejtua Bashkisë së Durrësit ku takoi z.Agron Hysenlliu, inxhinier ndërtimi dhe drejtor i Instituti të Ndërtimit i cili sqaroi se banesa e z. Kreshnik është shpallur e pasigurt pasi rrezikon dëmtimin nga pallati ngjitur.
Gazetarja: Ky është pronari i kësaj banesës një katëshe që është ndërtuar që në 1950. Ky ndërtuesi shiko ku ka shkuar, nuk ka lënë asnjë milimetër distancë. Këtij i është dëmtuar shtëpia, pasi edhe ky muri këtu ka rënë. Tani tek ky akt-konstatimi mund të më thoni dy fjalë, çfarë është përshkruar tek ky pallati?
Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Po. Kërkon një ekspertizë teknike për vertikalitetin e objektit.
Gazetarja: Çfarë do të thotë? Është i rrezikshëm?
Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Që do të thotë që objekti mund të ketë dalë nga vertikaliteti. Për momentin ky nuk ka vënë bllokim.
Gazetarja: Ky thotë i pabanueshëm mesa lexova unë.
Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Thotë për pallatin.
Gazetarja: Po, për pallatin.
Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Për banesën jo.
Gazetarja: Jo, për banesën s`thotë gjë këtu.
Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Pallati është i pabanueshëm sepse nuk ka dëmtime në strukturë, por ka dëmtime në rifiniturë. Rifiniturë do të thotë që ato mure që ka atje , po të hysh brenda ti, të vret. Kështu që detyrimisht banorët duhet të largohen, duhet të rrethohet perimetri dhe në momentin që është rrethuar perimetri do merren masa, do vijnë inxhinierët e tjerë.
Gazetarja: Po këta inxhinierët e tjerë, kur do të vijnë dhe këtë banesën një katëshe kur do ta inspektojnë?
Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Tani neve jemi të gjithë inxhinierët në terren, ça ka Shqipëria. Tani në momentin e parë do nxjerrim njerëzit t`i largojmë që të mos vriten.
Gazetarja: Po këta të dytët çfarë dallimi do bëjnë nga kjo e para, nga puna që keni bërë ju?
Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Ai do vejë të marrë të gjithë, si do riparohet, si do bëhet. Si do vishen muret se nuk mund t`i lëmë më muret kështu, se mund të na ndodhë prapë dhe thyhen prapë. Do jepen standarde të tjera. Po kjo është në fazë të dytë dhe kjo kërkon një kohë.
Gazetarja: E kuptoj. Kjo banesa një katëshe kur do inspektohet dhe kush do ta inspektoj?
Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Patjetër duhet të ishte inspektuar me këtë. Kanë vajtur atë ditë, të kishin inspektuar edhe këtë dhe atë ta nxirrnin përjashta. Nuk e di pse se kanë bërë.
Gazetarja: Jo, ai ka dalë jashtë, i kanë vënë një shirit.
Drejtori i Institutit të Ndërtimit: E kanë bllokuar sepse ai mund të rrezikoj nga ky pallati tjetër?
Gazetarja: Po, po, kjo është e gjitha.
Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Mbaroj, mbaroj. Ky është akt-konstatimi.
Gazetarja: Po, pra. Po ky akt -konstatimi nuk gjendet fare. Për këtë zotërinë nuk kanë përpiluar një akt-konstatimi për këtë banesën 1- katshe.
Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Po ç`rëndësi ka, ai është ngjitur me të. Është marrë një me pallatin.
“BOOM” shkoi në zyrën e urbanistikës të Bashkisë Durrës për të kërkuar një informacion më të plotë në lidhje me ndërtimin e pallatit ngjitur me banesën private të denoncuesit.
Por përgjegjësja e urbanistikës deklaroi se nuk ishte i përqendruar as për të kuptuar pyetjen.
Në fakt në zyrën e saj gazetarja takoi dhe një OPGJ që po mblidhte provat pra dokumentet e pallateve apo objekteve ku ka pasur viktima , i cili i tha se denoncuesi duhet të bëj kallëzim në polici.
Përgjegjësja e urbanistikës: Kë kërkoni ju?
Gazetarja: Përgjegjësen e urbanistikës, jeni ju?
Përgjegjësja e urbanistikës: Kemi një mbledhje tani.
Gazetarja: Mirë vetëm një gjë të shkurtër, nuk do të marrë shumë kohë. Unë kam rastin e një familje e cila jeton tek kjo shtëpia këtu. Kjo është shtëpi e 1950-ës, ky është pallat i 2009-ës. Kjo për shkak të këtij dëmtimi të pallatit, është dëmtuar edhe kjo. Çfarë procedurë duhet të ndiqet tani me këtë?
Përgjegjësja e urbanistikës: Nuk të kthej dot përgjigje se nuk përqendrohem dot as tek pyetja.
Gazetarja: Si jeni mirë, t`iu bëj një pyetje ju lutem? Punonjës i urbanistikës jeni?
Oficeri i policisë gjyqësore: Jo, nuk jam i urbanistikës, jam oficer i policisë gjyqësore për të marrë dokumentet.
Gazetarja: Ju dokumente për të gjithë pallatet e dëmtuara grumbulloni apo …?
Oficeri i policisë gjyqësore: Po,po .
Gazetarja: Sepse kam një rast të tillë që duan ta referojnë banorët. Është ky pallati i Fama sh.p.k. Shiko se si është ndërtuar ky pallat.
Oficeri i policisë gjyqësore: Duhet të marrin aktin e konstatimit.
Gazetarja: E kanë marrë. Shiko çfarë ka ndodhur, ky zotëria që është këtu, ka shtëpinë këtu, ndërtuar në 1950-ën. Pallati kur ka ndërtuar, pavarësisht se këta kanë qenë emigrant, shiko ku ka shkuar, nuk ka asnjë centimetër distancë.
Oficeri i policisë gjyqësore: E kuptoj. Të bëj kallëzim për këtë. Të shkoj të afrohet pranë Drejtorisë Vendore të Policisë , t`i tregoj fotot dhe të bëj kallëzim në lidhje me rastin. Të verifikohet banesa për shkak se është ndërtuar ngjitur. A ka kushte ligjore apo s`ka të cilat përcaktojnë distancat që mbahen. Kush e ka dhënë lejen.
Gazetarja: Në rastin konkret ju po mblidhni për të gjitha pallatet e dëmtuara dokumentatcuion apo në bazë të referencave?
Oficeri i policisë gjyqësore: Kemi filluar për këto që kanë pas viktima, pastaj ato.
Pas takimit me oficerin e policisë gjyqësore, z. Kreshnik ka bërë denoncimin në policinë e Durrësit ku kjo e fundit nuk i ka marrë për të disatën herë kallëzimin
Gazetarja: Në lidhje me pallatin 9 katësh që ndodhet ngjitur me banesën tuaj ne kemi kërkuar informacion tek zyra e urbanistikës, kuptohet që këto ditë janë të vështira në kuptimin që të gjesh persona që të përgjigjen, por brenda zyrës së urbanistikës kemi gjetur një oficer të policisë gjyqësore. Ne e kemi pyetur konkretisht për rastin tuaj si mund të veprohet në një situatë të tillë dhe na është thënë, ju mund t`i drejtoheni policisë duke bërë një kallëzim në lidhje me ndërtimin që ju ka ardhur aq pranë shtëpisë suaj dhe që sigurisht ju ka dëmtuar banesën.
Denoncuesi: Unë kam shkuar për të bërë kallëzim dhe më kanë thënë, grupet kompetente janë në terren, janë të ngarkuar momentalisht. Po provoj edhe njëherë.
z. Kreshnik u fut në polici por për të dytën herë por sërish nuk bën dot kallëzimin penal për arsye se grupet kompetente janë në terren.
Prej disa ditësh ai ka shkuar dhe nuk ka arritur të bëjë kallëzimin.
z. Kreshnik: Unë kam me vete aktin e inspektimit nga Instituti i Ndërtimit dhe fotot përkatëse të objektit të dëmtuar për shkak të pallatit. Të kërkohet dhe përgjegjësi pse janë shkelur ligjet dhe dëmshpërblimet e shtëpisë sime se unë një vit kam që e kam riparuar të gjithë shtëpinë.
Pas disa tentativash, Drejtoria e Policisë së Durrësit e pranoi kallëzimin e z. Kreshnik në lidhje me rastin e banesës së tij.
/Ora News