Qytetet pa kryetarë dhe këshill bashkiak, ja çfarë pritet të ndryshojë në Kodin Elektoral

Projektligji i propozuar nga socialistët për riorganizimin territorial të vendit nuk parashikon vetëm uljen e numrit të bashkive, por një ndryshim të plotë të mënyrës së funksionimit të pushtetit vendor. Sipas ndarjes së re, Shqipëria do të ketë 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative. Ky model kërkon ndërhyrje edhe në ligjin për vetëqeverisjen vendore, veçanërisht në nenin që përcakton përbërjen dhe organizimin e bashkive.

Një nga çështjet më të debatueshme lidhet me rolin e qyteteve që nuk do të jenë më bashki më vete. Këto qendra nuk do të kenë më kryetar të zgjedhur dhe as këshill bashkiak, por do të drejtohen nga një nënkryetar i emëruar. Për të shmangur pakënaqësitë mbi mungesën e përfaqësimit, socialistët po shqyrtojnë mundësinë që këto qytete të kenë vende në këshillin bashkiak të bashkisë ku do të përfshihen, në bazë të një formule proporcionale. Aktualisht, Kodi Zgjedhor nuk e lejon një mekanizëm të tillë, pasi listat për këshilltarët bashkiakë janë të mbyllura. Një shembull është bashkia e Elbasanit, ku në ndarjen e propozuar do të përfshiheshin edhe Cërriku e Belshi, dy bashki që në zgjedhjet e vitit 2023 funksiononin si njësi të pavarura vendore.

Nëse reforma miratohet, zgjedhësit në vitin 2027 do të votojnë për kryetarin e bashkisë dhe për këshillin bashkiak. Megjithatë, mënyra e përzgjedhjes së këshilltarëve mund të ndryshojë, pasi aktualisht qytetarët votojnë subjektet politike dhe mandatet shpërndahen sipas renditjes së kandidatëve në listat e mbyllura.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për të garantuar përfaqësimin e qyteteve të përfshira në bashkitë e reja, po diskutohen dy alternativa. E para është që partitë politike të vendosin kandidatë nga çdo qytet në listat fituese, duke ruajtur një përfaqësim proporcional. E dyta është ndryshimi i Kodit Zgjedhor për të vendosur kuota të detyrueshme për çdo qytet brenda listave të këshilltarëve bashkiakë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndryshimet në Kod mund të realizohen brenda afateve të punës së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, i cili pritet të përfundojë punën deri në fund të nëntorit. Megjithatë, mbetet e hapur çështja politike: kundërshtimi i opozitës ndaj ndarjes së re territoriale mund të sjellë përplasje të reja mes palëve dhe të ndikojë edhe në procesin e dialogut parlamentar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?