Qyteti i Vlorës, me spital psikiatrik bashkëkohor
Qyteti i Vlorës, me spital
psikiatrik bashkëkohor
Nga Zenepe Luka
Ndërsa për pak vite mbush një shekull nga funksionimi i tjj, në pranverën e këtij viti, spitali psikiatrik i Vlorës do të ketë parametrat e një spitali, sikurse i kanë edhe shtetet europiane. Ai çeli dyert e tij në vitin 1921 dhe drejtori i parë ka qenë dr.Shezai Çomo. Gjatë gjithë kësaj periudhe, problematikës së pacientëve, për vetë specifikën që kanë të sëmurët e shëndetit mendor, nuk i është ndarë edhe gjendja e vështirë dhe kushtet e papërshtatshme në këtë institucion. Pak kohë më parë, Avokati i Popullit Igli Totozani, bëri një vizitë në këtë spital duke e vlerësuar situatën vërtet problematike, duke nisur që nga kushtet e papërshtatshme ku jetojnë të sëmurët. I pyetur nga “KJ” ai është shprehur: “Mund t’ju them që gjendja e këtij spitali është shumë e keqe. Nga pikëpamja infrastrukturore është një spital i degraduar, nuk gëzon as kushtet minimale, qoftë për sigurinë e pacientëve, por qoftë edhe për sigurinë e stafit. Lajmi i mirë është se po përfundon spitali ri, që mund ta zgjidhë situatën”. Punimet në spitalin neuropsikiatrik “Ali Mihali” në qytetin e Vlorës janë inspektuar nga edhe nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, që premtoi se në pranverë, do të pritet shiriti i përurimit të tij. Lidhur me këtë investim të rëndësishëm, jo vetëm për Vlorën por për gjithë jugun e vendit, flet në një intervistë eskluzive për “KJ” drejtori Kujtim Llapi…
Z.Llapi, jemi njohur me alarmin që jep Avokati i Popullit për situatën në spitalin psikiatrik të Vlorës, cila është problematika reale?
Sikurse dihet, spitali psikiatrik i Vlorës është një institucion publik shëndetësor në varësi të ministrisë së Shëndetësisë, që është edhe autoriteti përgjegjës për zhvillimin e gjithë shërbimeve me synimin për parandalimin, diagnostifikimin, trajtimin dhe reabilitimin e të sëmurëve me çrregullime mendore. Veprimtaria e tij shtrihet pothuajse në të gjithë jugun e vendit, ku përfshihen qytetet e Fierit, Beratit, Përmetit, Tepelenës, Skraparit,arandës dhe një pjesë e rrethit të Lushnjës.
Është e kuptueshme që për vetë shtrirjen por edhe specifikën që ka, problematikat janë të shumta, aq më tepër kur aktualisht të sëmurët janë në ambjente të amortizuara, ku mungojnë kushtet. Pikërisht kjo situatë ka vënë në lëvizje ministrinë e Shëndetësisë, qeverinë shqiptare, që të investojnë seriozisht. Ndërtimi i spitalit të ri, është investimi më serioz. Insistimi i ministrisë dhe ndjekja hap pas hapi nga ana e stafit të spitalit, do të bëjë të mundur përfundimin e objektit disa muaj përpara se sa parashikonte projekti. Si kurrë ndonjëherë, ministria e Shëndetësisë ka çelur fondet brenda muajit janar, çka i jep suport të madh përfundimit të projektit. Vlera totale ishte 170 milionë lekë të reja, ndërsa firma fituese arriti në 160 milionë lekë të reja. Punimet janë bërë me cilësi të lartë.
Bëhet fjalë vetëm si objekt, apo edhe bërja e arredimit, akomodimin e të sëmurëve?
Godina thuajse është përfunduar dhe ministria çeli fondin për të bërë edhe arredimin dhe kompletimin me pajisje bashkëkohore. Ka një sipërfaqe prej 3000 metra katrorë, që do të thotë çdo kat ka 1000 metra katrorë. Në katin e parë ose në nëntokë, do të vendosen të gjitha shërbimet, që nga magazinat , lavanteria, kaldaja bashkëkohore, farmacia, shërbimi stomatologjik, palestra dhe shërbime të tjera. Në katin e dytë, në gjysmën e tij do të vendoset administrate dhe gjysma e tij është reparti i pranimit, ose sikurse thuhet rëndom, i urgjencës. Në katin e tretë do vendoset pavioni i të sëmurëve akutë me të gjithë parametrat e kohës, duke u shndërruar në një spital bashkëkohor, i vetmi në Shqipëri. Dhomat janë dyshe dhe teke, të kompletuara me të gjithë aksesorët për këtë kategori të sëmurësh. Me një arredim dhe mobilim bashkëkohor.
Kur flisni për një spital bashkëkohor, bëhet fjalë edhe për aparatura të reja, që përfaqësojnë shkencën bashkëkohore?
Sigurisht, këtë kam parasysh. Aparatura bashkëkohore. Fillojmë me laboratorin bashkëkohor, kabinetin stomatologjik,, që për fat të keq është ai i 30 viteve më parë.
Çfarë do të bëhet me godinat e vjetra?
Pjesa më e madhe janë prishur dhe të sëmurët i kemi vendosur në disa godina të tjera. Problem kemi pavionet 4-5, ku përfshihen të sëmurët akute gra, ku janë rreth 70 paciente. Në këtë godinë është investuar që në vitin 1982. Ministria e Shëndetësisë ka dhënë fjalën se po brenda këtij viti do të bëhet rikonstruksioni i plotë i kësaj godine. Kanë filluar procedurat, është çelur fondi nga ministria, bëhet fjalë për 800 mijë lekë të reja dhe shpresojmë se shpejt do të fillojnë punimet edhe në këtë ndërtesë.
Dua të shtoj se janë edhe dy pavione të tjera 8 dhe 7, që janë vetëm për burra, rreth 35 pacientë, kemi kërkuar të bëhet rikonstruksioni, pasi nuk është vënë dorë që prej 70 vjetësh.
Cilat janë problematikat me stafin psikosocial që shërben në këtë spital , ku kërkohet ndershmëri dhe humanizëm?
Dua të nënvizoj faktin, duke shprehur njëherësh keqardhjen, se për një pjesë të të sëmurëve, spitali shfrytëzohet si azil. Janë pacientë të braktisur, numri i të cilëve shkon në 20. Me të drejtë ministria e Shëndetësisë është në tratativa me ministrinë e Punës dhe Çështjeve sociale, që ky kontigjent të sëmurësh të kalojnë në kompetencat e saj, Sigurisht, ne do të ofrojmë shërbimin shëndetësor. Stafi po evidenton këtë kategori pacientësh dhe listat shoqëruar me një epikrizë do t’i përcillen ministrisë.
Sa pacientë ka spitali dhe cili është raporti meshkuj-femra?
Për momentin që flasim, kemi rreth 182 pacientë të shtruar, këtu përfshihen edhe të sëmurët e inkuadruar në qëndrat komunitare dhe shtëpitë e mbrojtuar, ku trajtohen të sëmurët me më pak probleme. Kemi 70 femra kronike e 10 akute, që përbëjnë më pak se gjysmën e të sëmurëve. Një javë më parë bëmë analizën vjetore dhe rezultoi se për fat të mirë, nuk kemi rritje të të sëmurëve të shtruar. Madje janë 9 pacionet më pak se me fillimin e vitit që kaloi. Stafi ynë punon itensivisht që të ulet numuri i të shtruarve, të mbajmë pacientët që janë akutë.Është përsmirësuar ndjeshëm shërbimi mjeksor ndaj të sëmurëve dhe sikurse thamë, me vënien në funksionim të spitalit të ri, gjithçka do të jetë në parametrat bashkëkohorë.
Flitet se pasojë e sëmundjeve mendore, është edhe përdorimi i bimëve narkotike. Keni raste të tilla z. drejtor?
Përdorimi i substancave narkotike është një nga problemet, por këtë vit, kemi pasur vetëm një rast. Ne po bashkëpunojmë me një shoqatë, që merret me këto probleme dhe i kemi në trajtim.
Si mbushet koha e lirë e këtyre pacientëve?
Një pyetje e drejtë që mbetet edhe një shqetësim për stafin. Pikësynimi ynë është që për kontigjentin e pacientëve kronikë, të bëhet reabilitimi, qoftë me projekte personale, ashtu edhe kolektivë. Kemi kërkuar që të shtohet stafi psiko-social, detyrë që na e la edhe Avokati I Popullit. I bëmë kërkesë ministrisë së Shëndetësisë dhe me ardhjen e strukturës së re do të shtohen tre psikologë, terapistë etj. Nga ana tjetër, duhet të evidentoj se gjatë gjithë kohës bashkëpunojmë me shoqata të ndryshme, për të argëtuar të sëmurët me aktivitete artistike, vizita në ambjente muzeale. Këtë vit është rritur fondi vetëm për të shtuar aktivitetet për të argëtuar të sëmurët.
Z.drejtor, nuk mund ta mbyllim këtë intervistë, pa prekur fenomenin e korrupsionit. Ka një imazh jo të mirë ky spital.
Cili do të ishte përgjigjia juaj?
E vërteta mbështetet në fakte, prova, jo në fjalë boshe. Mendoj se është përgjegjësi e madhe e një organi të flasë nga zyra, pa ardhur në terren dhe verifikuar atë që ka dëgjuar. Korrupsioni është çështje dite për qeverinë, për çdo institucion. Po ua them se gjatë vitit të kaluar janë bërë dy kontrolle dhe nuk janë gjetur shkelje, abuzime që kanë çuar në dëm financiar. Lidhur me shkrimin, ka një dizinformim, që ka indinjuar stafin mjeksor në spitalin tonë. Ja kush është e vërteta: Është bërë një kërkesë nga ana jonë ministrisë për bërjen e lavanterisë së spitalit, pasi ekzistuesja, që ka mbi 30 vjet, është jashtë përdorimit, madje prej muajsh lahet me dorë. Në këto rrethana do të merret një lavanteri e re, bashkëkohore, që do të vendoset në spitalin e ri. Nuk mund të paracaktosh fituesin, ai është i hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij tenderi. Është vërtet e dhimbshme të abuzosh, të shkruash me gërma të mëdha, kur nuk e di çfarë është lavanteria, dy herë e dhimbshme kur bëhet fjalë për këtë kategori të sëmurësh, që kërkojnë një shërbim specifik.
Duke mbyllur intervistën me ju, keni ndonjë mendim të fundit?
Kemi sihariqin e madh, që pritet prej gati një shekull. Në pranverë do të përurojmë spitalin e ri psikiatrik në Vlorë, spital bashkëkohor si godinë dhe aparatura, i vetmi në Shqipëri me këto parametra. Erdhi një ditë e bukur për këtë kategori pacientësh, që të dignostikohen e mjekohen dhe akomodohen si në të gjitha shtetet e Europës. Kjo është një ngjarje e madhe jo vetëm për Vlorën, jugun, por për të gjithë vendin.