Radio gjermane “DW” shkruan: 300 miliardë euro për Europën – Përfitim apo paketë bosh?

Qëllimi i paketës gjigande të Junckerit është mobilizimi i investimeve në Europë në tre vitet e ardhshme. Vetë kreu i Komisionit Europian, Jean-claude Juncker e cilësoi paketën, "pjesa që mungon e puzzle-it" për të rritur koniunkturën në Europë dhe për të krijuar vende pune. Por deputeti gjerman i Parlamentit Europian, i partisë kristiansociale, Markus Ferber i CSU-së ka dyshime mbi këtë paketë dhe faktin se nga do të vijnë paratë për investime. "Kemi dy probleme kryesore: E para nga do të mblidhen paratë, tjetra përse do të shpenzohen këto para. Po qe se do të realizohet ky projekt i Junckerit, atëherë do të mund të financohen ato projekte, të cilat janë të financueshme në tregun e lirë, dhe unë nuk shoh ndonjë përfitim të madh nga kjo… Në fund të fundit do të realizohen me ato para projekte, që sidoqoftë do të duhej të bëheshin, pra ato që kanë rentabilitet të lartë. E vetmja gjë pozitive që shoh në këtë paketë janë reduktimet e pengesave burokratike, lehtësimi i procedimeve për marrje lejesh, siguruimi i investimeve afatgjata."

21 milardët e mrekullisë që do të sjellin 315 miliardë

Zemra e projektit gjigand është fondi i ri për investimet strategjike, i cili do të sigurojë projekte infrastrukturore për energjitë e rigjenerueshme, transport, arsim dhe shkencë, dhe do të prodhojë shumëfish investime private. Ky fond do të përbëhet nga 16 miliardë euro nga instrumentat e BE-së dhe 5 miliardë euro nga Banka Europiane e investimeve. KE parashikon që 21 miliardë eurot të nxisin investime që janë 15 fish më të larta. Kritikat e kristiansocialëve gjermanë mbi këtë planifikim mrekullie u bënë të qarta në radion gjermane DLF, të mërkurën. Ferber: "Po qe se përdor një instrument të tillë, e them se duhet të zgjedhësh ato projekte, që do mund t'i kthejnë paratë e investuara, e këto dihet janë projekte që janë rentabël. Ndryshe me këtë strategji krijohen rreziqe, që as Be, as Banka e Investimeve nuk do t'i ketë, dhe në fund të fundit për to do të paguajnë shtetet anëtare. Pra një paketë e bukur në dritare tani në prag të krishtlindjeve, po ta hapesh është bosh."

Europa ka fat të përbashkët

Europa duhet të kuptojë më në fund që është një "komunitet me fat të përbashkët" tha Juncker para Parlamentit Europian. Ekonomitë janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. "Më shumë rritje ekonomike në jug të Europës do të thotë më shumë rritje ekonomike edhe për Gjermaninë", theksoi Juncker.

Megjithatë sipas eurodeputetit gjerman Ferber, këto 300 miliardë euro investime u propozuan pa nevojë nga Jean-Claude Juncker. Alternativa e propozuar nga ai do të ishte ndryshimi i rregullave të lojës në mënyrë të tillë, që kapitali privat të rrjedhë automatikisht në investime afatgjata. Ferber: "Këtë ide do ta mbështesja fort, e tjetra që buxhetet e vendeve anëtare të rimëkëmben deri në atë pikë, që ato të arrijnë të aktivizojnë vetë investimet që iu duhen. Kjo do të ishte vërtet detyra e BE-së, të kudjeset që rregullat e lojës të funksionojnë, që të krijohen kushtet e duhura dhe jo me gjoja mrekulli të pomposh 300 miliardë eurosh në ekonomi. Ne do të bëjmë bilancin e kësaj pas tre ose katër vitesh do të shohim, sipas prognozës sime, se paratë nuk janë livruar se llogaria nuk ia dilte as në fillim e as në fund."

Kontributet e vendeve anëtare lihen jashtë deficiteve buxhetore

Sipas Markus Ferber kjo paketë sjell më shumë rreziqe se përftim për Europën. E gjitha sjell në mendje debatin e vjetër, sipas tij. "Kemi nevojë për një politikë ekonomike të orientuar nga oferta dhe kërkesa, për të stimuluar ekonomikë. Nuk mendoj se me fondet publike mund të stimulohet ekonomia, por vetë ekonomia duhet të aktivizohet për të investuar. Këtë debat do ta kemi gjithmonë. Por tani që ofrojmë para për ekonominë, borxhet e nesërme vetëm ndërrojnë sirtar, dhe nuk mendoj se kështi e çojmë përpara ekonominë europiane. Me këtë ne e rrezikojmë më shumë se mbrojmë Europën."

Ndërkohë grupet kryesore parlamentare të Parlamentit Europian i mbështesin planet e presidentit të Komisionit europian, Jean-Claude Juncker për të injektuar një shiringë të fortë finaciare në ekonominë europiane. 315 miliardë euro për të 28 vendet anëtare. Kreu i socialdemokratëve në PE, Gianni Pittela e përshëndeti edhe klauzolën e re për lënien jashtë llogaritjes së deficiteve buchetore kontributin financiar të vendeve anëtare në fondin e ri të investimit të BE-së. "Kjo është një pikë me rëndësi të madhe" tha Pittella.

SHKARKO APP