Rafinha refuzon Brazilin, e josh fanella e Gjermanisë

Diego Costa zgjodhi Spanjën, Thiago Motta dhe Eder Italinë. Rafinha është emri tjetër i madh që vendosi t’i thotë “jo” Selecaos, pasi futbollisti i Bajernit të Mynihut ishte grumbulluar nga trajneri i Brazilit, Carlos Dunga për ndeshjet kundër Kilit dhe Venezuelës, për kualifikueset e Botërorit 2018 dhe vendosi të refuzojë ftesën. Ai ka shpjeguar në një letër zyrtare që i ka dërguar Federatës Braziliane të Futbollit, se duke qenë se nuk grumbullohet rregullisht me përfaqësuesen dhe nuk bën pjesë ndër zgjedhjet e para të trajnerit në rolin e tij, ka vendosur të mos t’i përgjigjet më Brazilit.  Nga ana tjetër Federata Braziliane, beson se Rafinha e ka refuzuar pasi synon të marrë nënshtetësinë Gjermane, duke qenë se me përjashtim të eksperiencës në Itali në sezonin 2010-2011 te Genoa, ky futbollist luan dhe jeton në Gjermani që nga 2005, kur Schalke e bleu nga Gremio. Federata Braziliane e Futbollit në komunikatën e saj shkruan se e respekton zgjedhjen e Rafinhas duke nënvizuar se vetëm lojtarët që janë plotësisht të bindur dhe krenarë që veshin fanellën e Selecaos, meritojnë të përfaqësojnë Brazilin.

 

SHKARKO APP