Rama: Autonomi spitalore dhe administrim nga mjekët

Autonomi spitalore dhe kalim i administrimit të spitaleve nga ministria tek trupa e mjekëve do të jetë modeli i ardhshëm i organizimit spitalor. Pikërisht, ky objektiv i reformës strukturore në shëndetësi u bë dje publik nga kryeministri Edi Rama, ndërsa ndodhej në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u përurua rikonstruksioni dhe pajisja e repartit të neurologjisë.

Kryeministri, që shoqërohej në këtë inspektim nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, theksoi konkretisht se autonomia spitalore do të jetë reforma më e rëndësishme strukturore, që synon mirëadministrim e spitaleve nga vetë ata që qëndrojnë më pranë pacientëve. “Këtu mund të shohim edhe bazën solide të asaj që do të jetë reforma më e rëndësishme strukturore dhe që do të garantojë autonominë spitalore. Pra, kalimi i fateve të administrimit të spitaleve nga duart e ministrisë dhe të qeverisë në duart e trupës që është në frontin e betejës me sëmundjen dhe që jo vetëm duhet të zbatojë, por duhet të projektojë dhe të ketë në dorën e vet, mundësinë që projektet e veta t’i financojë me vendimmarrjen e vet autonome”,  u shpreh kryeministri. Më tej, ai vizitoi disa nga shërbimet e Spitalit Neurologjik, që pas rikonstruksionit plotësojnë standardet bashkëkohore për trajtimin e kësaj tipologjie sëmundjeje. Teksa në shërbimin e konsultave ambulatore, Kryeministri u bë dëshmitar i trajtimit të një rasti urgjence nga spitali rajonal i Vlorës rast, i cili u zgjidh nga mjekët e specializuar të këtij spitali falë teknologjisë së shkëmbimit të imazheve ose telestrokës. Por kryeministri u ndal edhe në shërbimin e rehabilitimit fizik, ku struktura e fizioterapisë për të parën herë shfaqet me një palestër moderne, të mirëpajisur, që së bashku me elementë të tjerë do të sjellë përmirësimin dhe riaftësimin në një kohë më të shkurtër të pacientëve me probleme si pasojë e sëmundjeve neurologjike. Në këtë shërbim është vendosur për të parën herë “acces control” për personelin, duke mundësuar kështu dhe monitorimin e kohës së punës në shërbim. Nga ana e tij, shefi i Shërbimit të Neurologjisë Mentor Petrela i vlerësoi kushtet e reja që ofron ky shërbim vetëm me një fjali “Një normë europiane”.  Ndërsa neurologjia Jera Kruja, me një përvojë të gjatë, mbi tre dekade, në këtë shërbim u shpreh e entuziazmuar për atë çka përfaqëson e ofron spitali sot. “Vitet e fundi kishte ardhur një moment që spitali kishte arritur në një nivel shumë të ulët shërbimi përsa i përket strukturës. Ne do të mundohemi ta mirëmbajmë me të gjithë stafin tonë”, u shpreh mjekja neurologe. Dhe në fund, drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu e cilësoi Shërbimin e Neurologjisë një shembull i modelit dhe i vizionit të qeverisë për administrimin spitalor.

“Është një spital që ofron kushte dhe standarde bashkëkohore jo vetëm nga infrastruktura, por edhe nga modeli i administrimit dhe vizionit që ne kemi implementuar në këtë spital, për mënyrën sesi ne duam të menaxhojmë pacientët, që ata të kenë dhe t’u ofrohen të gjitha shërbimet me cilësi. Ky është modeli që ne duam të zhvillojmë për gjithë shërbimin tonë spitalor”, tha ajo.

SHKARKO APP