Rama: Do hapim dosjet e Sigurimit

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar dje një takim me ish-të përndjekurit politikë dhe veteranët e luftës. Kreu i qeverisë  premtoi hapjen e dosjeve të sigurimit të ish-regjimit komunist, me qëllim që siç tha ai të vendoset një raport i drejtë me historinë. “Jeni të gjithë dëshmitarë që sot natyrshëm të gjithë meritojnë të dinë plotësisht se çka ndodhur në të shkuarën, jo për revansh e hakmarrje, as për të kalëruar mbi të shkuarën, po për të vendosur një raport të ndershëm me historinë. Pa këtë çdo komb e ka të vështirë të ndërtojë të ardhmen e vetë, të shkëputur nga tentakulat e monstrës së të shkuarës, nëse e ka prodhuar ajo ka qenë mostra e hijes së frikës të lartësuar me bashkëpunimin me sigurimin e shtetit”,- tha Rama. Kreu i qeverisë u shpreh se për hapjen e dosjeve kanë folur shumë ata që kanë pasur më shumë frikë nga përmbajtja e këtyre dosjeve, ndërsa shtoi se Shqipëria ka zgjedhur modelin gjerman për hapjen e tyre në mënyrë sa më transparente. “Të gjithë jemi dëshmitarë se dosjet janë tundur për të bërë politikë, për të trembur kundërshtarët, janë tundur nga ata që i kanë pasur frikë më shumë se të tjerët. Kush ka kërcënuar me hapjen e tyre ka pasur më shumë për të fshehur. Ne kemi zgjedhur një model suksesi, ndershmërie që është modeli gjerman, hapje përmes një procesi transparent që të përndjekurit dhe familjet e tyre të njihen me monstrën e errët që shumë u përdor edhe pas rënies së regjimit, si një hije duke thelluar një përçarje të padrejtë në shoqërinë tonë.Gjithë ky proces do të na mundësojë që të lehtësojmë këtë barrë të së shkuarës, të mos kemi më nëpër këmbë hijet e së shkuarës apo litarët e së shkuarës”,- theksoi Rama.

Veç çështjes së dosjeve, Rama dha dhe premtimin se ish-të përndjekurit, përveç shpërblimit të fundvitit, do të dëmshpërblehen deri në fund të vitit 2015 për ata që janë mbi 75-vjeç dhe dëmshpërblim për të gjithë ata që kanë bërë burg deri në fund të mandatit qeverisës. "Kur erdhëm në pushtet u përballëm me një fakt rrëqethës, ish- të përndjekurit nuk kishin marrë asnjë qindarkë dëmshpërblim. Deri tani kemi arritur të distribuojmë më shumë se qeveria e kaluar në 8 vite. Ndërkohë që sot jemi në një fazë kur po ndajmë këstin e 4-t, me vetëdijen e plotë se nuk mund të vazhdojmë të dëmshpërblejmë duke iu bërë biografinë, duke i ndarë në tanët dhe të atyre, siç u rindanë për fat të keq. Kam bindjen se para se sa të mendojmë pasardhësit duhet të dëmshpërblejmë ata që janë ende gjallë dhe që e kanë gjurmën e torturave të ferrit në shpirtin e tyre, jo për shkak të babait nënës, dajës, por e kanë në shpirtin e tyre. Ajo çka na bën që deri në fund të vitit të ardhshëm të dëmshpërblejmë të përndjekurit mbi 75 vjeç, dhe deri në fund të mandatit të dëmshpërblejmë ata që burgun e kanë bërë vetë”,- tha ai. Kryeministri tha se për disa ish të përndjekur nuk është dhënë asnjë dëmshpërblim. “Kemi ndeshur qindra ish-të përndjekur politikë, nga ata të vërtetët jo nga ata që u bënë pasi u bashkuan me një parti, që nuk kishin marrë asnjë pagesë për asnjë vit burgu. Sot kemi 1639 ish- të përndjekur që kanë marrë këstin e 3-të, për 700 të tjerë vijon brenda këtyre ditëve, për të vijuar me këstin e 4-t”,- tha ai. Ndërsa duke u ndalur tek shpërblimi i fundvitit, që siç tha kryeministri i jepet për herë të parë këtyre kategorive ai shtoi se, shpërblimi i fundvitit financiarisht është simbolik, por simbolikisht me një peshë të veçantë për të qenë pranë tyre në natën e Vitit të Ri për t’ju mundësuar që ti bëjnë një dhuratë nipërve e mbesave, pa pasur frikë të fusin dorën në xhep”. Për veteranët e luftës, Rama tha se, përfaqësojnë një “medalje të një lufte të madhe ku u derdh gjak i pastër idealesh, që nxori një pushtet që mbi ato ideale dhe përmes manipulimit të njerëzve të idealeve, ndërtoi një ferr njerëzor.

BOX

Veliaj: Javën tjetër nis dëmshpërblimi për ish të përndjekurve

Në takimin me veteranët dhe ish të përndjekurit në sallën e Hartave në kryeministri, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj ka deklaruar se nga java tjetër do të nisë ndarja e këstit të katërt të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit. “Këtë vit rikthyem shpërblimet për këtë kategori që s’janë shpërblyer kurrë”, tha Veliaj. Ndërsa duke u ndalur tek hapja e dosjeve Veliaj premtoi se ato do hapen sipas modelit gjerman. “Do të nisim hapjen e dosjeve, sipas modelit gjerman. Çdo komb duhet të kalojë hapjen e dosjeve. Që gjenerata ime të gdhihet më e pjekur, që kjo gjeneratë të mos shkaktojë ato dhimbje që një gjeneratë tjetër ia kemi shkaktuar njëri-tjetrit”,- tha Veliaj.

 

SHKARKO APP