Rama: E paimagjinueshme si ka ndryshuar ky kompleks në 44 muaj

Sportistët e lojërave me dorë nga sot kanë një “shtëpi” të re. Nga një ngrehinë e rrënuar deri në vitin 2013, ish-Kompleksi Sportiv Dinamo është transformuar tashmë në një mjedis modern, ku do të bëjë bashkë të gjitha strukturat zinxhirë të sportit. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në prani edhe të legjendave të basketbollit shqiptar dhe atij kosovar, përuruan sot ambientet moderne të Parkut Olimpik të Tiranës, i cili do mbajë emrin e basketbollistit të njohur “Feti Borova”.

 Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Rama u shpreh i emocionuar që ky projekt u bë realitet në kaq pak kohë, ndërsa bëri të ditur se investimet për sportin do të vazhdojnë me përmbylljen e të gjithë projektit të parkut Olimpik të Tiranës me fushat dhe zyrat e federatave sportive. “Kjo sallë, si dhe godina ngjitur me sallën moderne për talentet e peshëngritjes shqiptare, plus me sallën e mundjes, me zyrat për të gjitha federatat e sporteve, me pishinën e mbyllur olimpike, me fushat e hapura të basketbollit, volejbollit, me godinën e re të Federatës Shqiptare të Futbollit, Federatës Shqiptare të Futbollit, me pistën olimpike të atletikës, ku së shpejti do fillojë puna për Kopshtin e ri Zoologjik këtu pranë”, tha kryeministri Rama.

 Ai theksoi se këto investime synojnë që ta kthejnë zonën e ish-kompeksit Dinamo dhe atë rreth Liqenit Artificial në një hapësirë, e cila u shërben të gjitha moshave dhe sportistëve. “Ambicia është për ta transformuar të gjithë këtë zonë në një ishull të gjelbër dhe sportiv për të gjitha moshat, ku më të moshuarit të kenë pjesën e tyre, fëmijët pjesën e tyre, të rejat dhe të rinjtë pjesën e tyre, sportistët dhe dashamirësit e sportit pjesën e tyre. Nuk dua të zgjatem, se kam bërë më pak nxemje se ata që janë shumë më të stërvitur se unë, kështu që për të shmangur ndonjë tërheqje muskujsh, që të na pengojë për pjesën e dytë të ndeshjes kryesore, ajo për 25 qershorin, po e ndërpres këtu duke i uruar mirëseardhjen miqve nga Kosova dhe duke i falenderuar nga zemra të gjithë ata që punuan për të realizuar këtë sallë që deri përpara 44 muajsh ishte e paimagjinueshme”, u shpreh kryeministri Rama.

 Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi qeverinë për mbështetjen e dhënë për realizimin e këtij projekti, e cila do të jetë një hapësirë jo vetëm për sportistët profesionistë, por edhe për qytetarët e apasionuar pas lojërave si basketbolli, volejbolli, mundja. “Më vjen mirë që në mënyrë simbolike e hapim këtë pallat sporti me miqtë dhe vëllezërit tanë nga Kosova. Unë dua të falenderoj me gjithë zemër të gjithë ata që janë bërë pjesë e këtij projekti, nga ideja dhe financimi i Kryemistrit të Shqipërisë, Edi Rama, që meriton mirënjohjen tonë për një financim model për qytetin e Tiranës. Ndihem posaçërisht i lumtur që i’a dedikuam këtë pallat sporti dhe këtë pjesë të parë të Parkut Olimpik, Feti Borovës, legjenda e basketbollit tonë, një frymëzim për shumë prej atyre që janë angazhuar në sport”, tha kryetari Veliaj.

 Ai nënvizoi se kjo hapësirë moderne sportive është një tjetër dëshmi e faktit se kur ka bashkëpunim mes qeverisjes qendrore dhe asaj lokale mund të realizohen projekte dhe punë cilësore. Ndaj, ka theksuar ai, është e nevojshme që më 25 qershor, shqiptarët të mbështesin Edi Ramën për një mandat të dytë për të vijuar me investimet në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. “Më në fund kemi një hapësirë fantastike, për të plotësuar atë që kemi thënë prej kohësh, ka ardhur koha që të inkurajojmë të rinjtë t’i lënë kafet, bingot, llotot, pikat e basteve dhe të angazhohen më shumë me sport. Dua ta falenderoj publikisht kryeministrin për këtë investim për Tiranën dhe mezi pres që ashtu siç ai ka mbështetur Tiranën, Tirana të mbështesë Edin, për qytetin dhe Shqipërinë që duam”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 Më pas, të gjithë iu drejtuan fushës së basketbollit, ku fillimisht u zhvillua një ndeshje miqësore basketbolli mes Old Star të Shqipërisë dhe Kosovës ku morën pjesë dhe Rama dhe Veliaj, e më pas hapësira iu la dy skuadrave kombëtare të të rinjve.

SHKARKO APP