Rama e Vuçiç shkojnë bashkë në Durrës
Lorenc Vangjeli
“Të gjitha erërat të çojnë në Durrës”, së paku kështu thuhej se thoshin marinarët që lundronin në Adriatik. Kështu duket se ndodhte që në kohën e anijeve të vogla vetëm me rema, të anijeve me rema e vela e deri më sot në kohën e anijeve luftarake me motorë bërthamorë. Sepse në fakt gjithçka bëhet për daljen në det. Gjithçka, duke nisur edhe me luftën si gjendje të vazhdueshme, edhe me paqen si situatë të përkohshme, është bërë për detin; është bërë për kontrollin mbi portet, mbi tregtinë që bëhet duke nisur nga to dhe duke përfunduar tek to. Kombet që dalin në det kanë një avantazh shumë më të madh se ata që duhet të kërkojnë “leje” tek kombe të tjera për të dalë në det. Dikur një leje që kërkohej me luftë, sot sërish me luftë ose diplomaci. Dalja në det është dhe thelbi i hershëm i konfliktit shqiptaro-serb, që pastaj është shtuar dhe “zbukuruar” me elementë të tjerë. Për t’u fshehur nën sipërfaqe me shumë e shumë arsye të tjera që frymëzojnë armiqësi mes tyre.
Kështu ka qenë dje, ndoshta që prej nja 14 shekujsh, do të thoshte dikush që ka pasion historinë. Kështu shpresohet të mos ndodhë nesër, nëse palët kuptojnë se të luftosh për të arritur paqen me armët e diplomacisë, me armët e komunikimit, të njohjes reciproke e të pranimit të tjetrit, të harmonizimit të interesave dhe interesit që të dy palët të fitojnë, pra, një luftë me mjete të tilla, mund të garantojë paqen. Kështu thuhet së paku manulatet e paqes në gjermanisht e frëngjisht, siç ka dëshirë të citojë kryeministri shqiptar Rama përballë homologut të tij serb Vuçiç.
Sot ngjan e pamundur dhe e largët, por nesër mund të jetë më shumë e mundur dhe shumë më e afërt dita kur shqiptarë e serbë, tërësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri e tradicionalisht armiqësorë, mund të krijojnë një bosht të përbashkët e thelbësor interesash në Ballkan. Një aks që i shërben sa njërit po aq dhe tjetrit dhe të dy skajet bashkë, gjithë stabilitetit të rajonit. Duke nisur para së gjithash me Prishtinën në mes.
Ndoshta Rama e Vuçiç mund ta kenë dëgjuar një gjë të tillë nga kancelarja Merkel pak muaj më parë. Ndoshta kjo mund të jetë dhe një nga arsyet se pse departamenti amerikan i shtetit përdori mbiemrin historike, për vizitën e kryeministrit serb Vuçiç në Tiranë. Kryesisht amerikanë e britanikë, nën flamurin e NATO-s shpërthyen 16 vjet më parë të parën luftë për motive morale dhe humanitare në Evropë. Atëherë, në bombardimet mbi Beograd, edhe urat mbi Danub ishin një konsideruar nga ushtarakët e NATO-s si shënjestra strategjike lufte të aviacionit aleat. Vite mbas luftës ato ura u rindërtuan me fonde të dhëna nga SHBA dhe BE. Sot, BE nën dirigjimin gjerman në vijë të parë dhe mirëkuptimin e plotë amerikan në prapaskenë, ata që kushtëzojnë kufinjtë e botës së nesërme, gjykojnë të ndërtojnë ura komunikimi shqiptaro-serbe. Duke nisur me një urë që nis që nga Danubi në një skaj e përfundon në Durrës në skajin tjetër, por me Prishtinën në mes. Rama e Vuçiç e quajnë këtë urë: projekt për autostradën Nish-Durrës. Dhe pritet ta firmosin brenda pak ditësh në një takim tjetër mes tyre, në një Ballkan që sado vazhdon të jetë e njëjta gjë, tenton të ndryshojë sipas regjisë që vjen nga jashtë e larg Ballkanit. E vetmja gjë e pandryshueshme mbetet aksioma e vjetër e marinarëve: të gjitha erërat në Adriatik të çojnë në Durrës. Kaq e thjeshtë është.
javanews.al