Rama: Karburantet, angazhim qeveritar për cilësinë e tyre
Cilësia e duhur e karburanteve, ofruar ndaj qytetarëve shqiptarë, tashmë duket se do të kthehet edhe në një angazhim qeveritar. Një fakt të tillë e ka lënë të kuptohet vetë kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite që kreu në Inspektoratin Qendror Teknik, ku ka premtuar edhe investime në laboratorin e tij teknologjik. Teksa u angazhua për përmirësim rrënjësor të cilësisë dhe kontrollit të të gjitha pikave të shpërndarjes së naftës dhe gazit në rang vendi. Konkretisht, nëpërmjet një investimi prej 55 milionë lekësh, laboratori me pajisjet moderne, kryen testimin e naftës dhe derivateve të saj, të cilat tregtohen në tregun e brendshëm, si dhe testimin e të gjithë hidrokarbureve te importit. "Bashkë më një sërë hapash të tjerë që janë planifikuar dhe do të hidhen njëri pas tjetrit në muajt në vijim nga ministria e Energjisë për të vendosur kontrollin online të të gjitha pikave të karburantit dhe për të shmangur kështu qoftë evazionin e jashtëzakonshëm, qoftë edhe manipulimin me cilësinë ne jemi të bindur se në fund të këtij viti do të mund t'i themi shqiptarëve se makina e tyre nuk është më e kërcënuar nga shkatërrimi i gjithë këtyre viteve për shkak të mungesës së cilësisë së karburanteve dhe nga ana tjetër të kemi më shumë të hyra në buxhetin e shtetit nga kjo industri që po vihet më në fund në binarë pas një dekade të tërë rrënimi dhe transformimi në një industri të korrupsionit më mafioz që ka njohur Shqipëria në 10-vjeçarin e fundit", tha Rama. Duke shtuar se sistemi i prodhimit, i përpunimit dhe i shpërndarjes së naftës nuk do të jetë më një katrahurë. Teksa gjithashtu e konsideroi tejet të rëndësishëm përfitimin që do të ketë konsumatori i përditshëm i naftës dhe i benzinës, i cili do të shohë dhe do të ndjejë sipas tij në vijimësi, një përmirësim rrënjësor të cilësisë dhe të kontrollit nga ana e shtetit, në të gjitha pikat e shpërndarjes së karburantit. Ndërsa nga ana e saj, drejtoresha e Inspektoriatit Qendror Teknik, Ejana Xhixho, tha se në këtë laborator nëpërmjet 58 metodave kryhet analizimi i çertifikuar dhe se në vitin 2014 nga 6200 kampione karburantesh të marra nga analizimi, rezultoi se 400 kishin shmangie të standardeve të cilësisë. Teksa për këtë çështje ka folur edhe ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, sipas të cilit, muaji shkurt do të jetë afati i fundit për impiantet përpunuese të nënprodukteve të naftës, për t’iu nënshtruar procesit të licencimit dhe duke shmangur kështu sipas tij, informalitetin e deri tanishëm. “Konsumatori shqiptar duhet të jetë i sigurt se të gjitha standardet e hidrokarbureve do të respektohen. Impiantet që deri tani kanë operuar jashtë standardit ligjor, në muajin shkurt kanë skadimin e afatit. Kush do të funksionojë si impiant përpunues hidrokarburesh, ose do të licencohet si i tillë, ose përndryshe do të mbyllet. Afati i fundit është muaji shkurt. Pas shkurtit këto do të konsiderohen impiante ilegale dhe do të veprojë ligji mbi to”, deklaroi ai.
DEKLARATA
“Ajo që ka rëndësi besoj është në funksion të konsumatorit të përditshëm të naftës dhe të benzinës, i cili do të shohë dhe do të ndjejë në vijimësi një përmirësim rrënjësor të cilësisë, si edhe një përmirësim rrënjësor të kontrollit nga ana e shtetit, në të gjitha pikat e shpërndarjes së karburantit. Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm se çfarë katrahure ka qenë ky sistem i prodhimit, i përpunimit dhe i shpërndarjes së naftës. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se kemi një punë të konsiderueshme për të bërë, për ta vënë të gjithë sistemin në funksion të konsumatorit dhe në funksion të standardeve më të mira europiane”, tha Rama.