Rama: Këtë vit e mbyllim privatizimin e Albpetrolit
Viti 2015 do të jetë viti kur do të mbyllet procesi i privatizimit të kompanisë shtetërore të naftës, “Albpetrol”. Një fakt të tillë e bëri me dije kreu i qeverisë, Edi Rama, në konferencën e djeshme me temën “Albania Oils& Energy 2015’ ku ishin të ftuar investitorë të huaj. Teksa garantoi gjithashtu se procesi për privatizim do të jetë transparent ndaj ftoi në garë gjithë të interesuarit. “Ky do të jetë edhe viti i përfundimit të një procesi të stërzgjatur privatizimi të shoqërisë shtetërore Albpetrol, për të cilën po përgatitet vlerësimi financiar dhe dokumentet e privatizimit, me asistencën e institucioneve financiare ndërkombëtare. Por ky privatizim do të jetë rezultat i një ndryshimi radikal në qasje ndaj të ardhmes së kësaj shoqërie. Shteti do të marrë të gjitha të drejtat që sot i gëzon Albpetrol-i si inerci e një të shkuare shumë të largët. Ndërkohë, Albpetrol-i do të ndahet nga blloqet e lira të naftës, të cilat do të vihen në dispozicion të investitorëve. Për ne, qysh ditën e parë, ka qenë e qartë që Albpetrol-i është një atavizëm i një kohe të shkuar dhe një hibrid që nuk mund t’i rezistojë sfidës së kohës që vjen. Por padyshim që, sidoqoftë, mbetet një aset i vlefshëm. Ne do të sigurojmë që të gjithë aktorët seriozë të sektorit, që do të shprehin interes, të kenë një proces transparent përmes një gare tё hapur dhe konkurruese, ku do ftohen tё gjithë të interesuarit”, sqaroi Rama lidhur me këtë proces. Nga ana tjetër, ai deklaroi se energjia ka një hapësirë të posaçme në programin e qeverisë që ai drejton, si një sektor ku shihet një nga burimet më të rëndësishme të rritjes ekonomike. “Përsa i përket rajonit tonë, unë mendoj se fjalët kyçe të politikës sonë energjetike duhet të jenë ndërlidhje energjetike dhe ndërlidhës energjetikë, që kanë të bëjnë me zhvillimin e infrastrukturës së energjisë, e cila mundëson rrjedhje të dyanshme, veçanërisht mes vendeve të Europës Lindore dhe Jugore”, tha ai. Duke përfunduar me faktin se që ndryshimi 180 gradë në qasje, i konkretizuar me reforma dhe hapa administrativë të jetë një apel domethënës për kompanitë serioze, që mund tё përballojnë investimet në kërkimet e reja dhe që mund t’i shfrytëzojnë mundësitë e reja që ofron Shqipëria. “Së shpejti, qeveria nëpërmjet Ministrisë sё Energjisë do tё kryejë sizmikën e blloqeve të lira detare, me qëllim përgatitjen e bazës sё nevojshme tё tё dhënave për tё filluar dhe organizimin e procedurave për dhënien e blloqeve të lira edhe në det. Ne jemi shumë të vendosur që të sigurojmë në vijimësi regjimin favorizues për eksplorimin dhe zhvillimin e këtij sektori në fushën e naftës dhe të gazit, duke ofruar garanci për kthimin e investimit, si dhe duke garantuar klauzola stabilizuese fiskale për gjithë jetёgjatёsinё e kontratës”, përfundoi kreu i qeverisë.
DEKLARATA
“Ne jemi të bindur se jetojmë në një moment unik për vendin tonë, por edhe rajonin. Konkretisht, gazsjellësi Trans-Adriatik është një mundësi unike. Përfshirja e Shqipërisë në këtë korridor gazi natyror përkon me hapjen e një kapitulli krejt të ri për zhvillimin e sektorit energjetik në vendin tonë dhe në rajonin tonë. Kemi përgatitur dhe nxitur gazifikimin e rajonit dhe për të zhvilluar ndërlidhjet energjetike ne jemi në një fushatë intensive bashkëpunimesh të shumëfishta që e bëjnë vendin tonë një vend mundësish të mëdha në numër dhe në potencial në sektorin energjetik”, pohoi shefi i qeverisë.
LISTA
Ja harta e blloqeve të
lira me naftë dhe gaz:
Gjatë aktivitetit “ Albania Oil, Gas and Energy 2015”, ministri i Energjetikës, deklaroi ekzistencën e 13 blloqeve të lira nafte, duhe shtuar edhe ftesën ndaj kompanive të kësaj fushe për shfrytëzimin e tyre, sipas standardeve të duhura dhe transparente. Teksa në një material të detajuar, MEI bën të ditur vendndodhjen e këtyre blloqeve, në tokë dhe në det, si më poshtë:
1. Blloqet e lira në tokë
a. Blloku A:
Shtrihet në veri-perëndim të vendit, me sipërfaqe 1090 km2. poroziteti luhatet nga 2–5% Studimet gjeologo-gjeofizike të kryera në këtë rajon e vlerësojnë atë me interes për kërkimin e naftës dhe gazit, veçanërisht në strukturat karbonatike të zonave tektonike Jonike dhe Kruja, që ndodhen nën mbihypje, si dhe në shtresat ranore brënda depozitimeve të Miocenit. Në këtë bllok, edhe pse pusi Juban-1 i shpuar nga Petromanas nuk vërtetoi naftëmbajtje, ekzistojnë një sërë strukturash dhe mundësish më në perëndim për gjetjen e naftës dhe gazit. Për kërkimin e mëtejshëm në këtë bllok është e nevojshme kryerja e punimeve sizmike me zgjidhshmëri të lartë për evidentimin dhe përgatitjen e strukturave me interes për naftëgazmbajtje.
b. Blloku B:
Shtrihet në pjesën perëndimore të vendit tonë. Ka një sipërfaqe prej 776 km2. Nisur nga punimet sizmike të kryera, puset e shpuar dhe stili tektonik i vërtetuar më në jug, në këtë bllok prognozohet struktura e Gjuricës Perëndimore, si dhe ngritjet e Gjuricës dhe Rinasit.
c. Blloku C:
Shtrihet në pjesën veriore të ultësirës pranë Adriatikut. Ka një sipërfaqe rreth 900 km2. Pusi i kërkimit Peza 1, u ndal në thellësinë 5200 m, pasi nuk arriti objektin karbonatik. Në këtë pus janë evidentuar shenja gazi gjatë shpimit.
* Blloqet e lira në tokë nga raundi i dytë evidentuan edhe 8 blloqe të tjera të pasura me naftë apo gaz.
2. Blloqet e lira në det
a. Blloku verior i Rodonit
Përfaqëson pjesën më veriore detare. Në perëndim kufizohet me kufirin ndërkombëtar midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, në lindje kufizohet me Blloqet A dhe B në tokë, ndërsa në Jug nga blloku i Durrësit. Në këtë bllok janë evidentuar prospekti i Drinit (i përbërë nga Drini-1, 2 dhe 3) për naftë dhe strukturat A dhe B për gaz. Rezervuari mendohet të jetë furnizuar nga karbonatet platformike të zonës Kruja, ndërsa si mbulesë shërbejnë shtresat argjilore të Miocenit të Sipërm dhe prerja argjilore e Pliocenit.