Rama: Kundërveprim agresiv ndaj informalitetit
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me përfaqësues të biznesit shqiptar, në fokus të të cilit ka qenë lufta kundër informalitetit.
“Nga informaliteti plagosen përditë ata që duhet të jenë të garantuar e të mbrojtur dhe përfitojnë të gjithë evazorët, që duhet të përgjigjen përpara ligjit. Aksioni ynë është një kundërveprim agresiv kundër kësaj situate”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar gjithashtu se qeveria e tij ka nxjerrë nga koma ekonominë e vendit dhe ka shmangur një kolaps të plotë financiar, që do të vinte si pasojë e kolapsit të sistemit energjitik.
Më tej, Rama ka shtuar se TVSH-ja sot rimbursohet automatikisht dhe nuk është e nevojshme të paguhet asnjë qindarkë.
“Ekonomia po lëviz në drejtimin e dëshiruar, në funksion të modelit të ri ekonomik”, ka thënë kryeministri.
Ai është shprehur optimist se brenda vitit qeveria e tij do t’i arrijë objektivat e arkëtimeve nga taksat dhe tatimet.