Rama-Meta, batutua për themeluesit e FRESSH
Kryetari i Kuvendit, në aktivitetin e 23-vjetorit të Forumit Rinor EuroSocialist të Shqipërisë
Meta: FRESSH-i solli një kulturë të re demokratike
Forumi Rinor EuroSocialist i Shqipërisë pati meritë historike, që në një moment mjaft të errët dhe të pashpresë për vendin tonë, krijoi një alternativë të së ardhmes. Një fakt të tillë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e pohoi gjatë aktivitetit të zhvilluar dje me rastin e 23-vjetorit të krijimit të këtij forumi. Duke shtuar më tej se ky ishte një fat jo vetëm për Partinë Socialiste, por ishte sipas tij edhe një fat për demokracinë në Shqipëri. “Rinia eurosocialiste dha një kontribut të jashtëzakonshëm për të frenuar instalimin e një regjimi diktatorial në Shqipëri në emër të gjoja “anti-komunizmit”, deklaroi mes të tjerash Meta. Duke përmendur mes të tjerash edhe faktin se FRESSH u krijua nga të rinj të cilët kishin qenë pjesëmarrës aktivë në lëvizjen e “Dhjetorit ‘90” që solli pluralizmin demokratik dhe demokracinë. Por kjo organizatë sipas tij mes të tjerash solli edhe një kulturë të re demokratike, bashkëjetesën brenda një force të madhe politike siç ishte Partia Socialiste, solli tolerancën dhe bashkëveprimin. “Ishte një kohë tjetër atëherë kur të rinjtë eurosocialistë burgoseshin, dhunoheshin, gjakoseshin dhe përsëri luftonin të bindur se demokracia ishte ndryshe. Ishte ajo që sot përjetojnë të gjithë të rinjtë e Shqipërisë. Forumi i Rinisë Eurosocialiste ishte organizata më unike, në lindjen e ish-komunizmit, sepse të gjitha Partitë Socialiste ish-komuniste krijuan Rininë Socialiste ish-Komuniste, ndërsa në Shqipëri ndodhi ndryshe. U krijua një rini e cila nuk kishte lidhje as me organizatën e mëparshme të Rinisë Komuniste. Dhe ne na pëlqen shpesh ta përkufizonin FRESSH-in si një oponencë konstruktive brenda Partisë Socialiste. Kjo jo vetëm falë vizionit të FRESSH-it, por edhe falë tolerancës së vetë Partisë Socialiste”, u shpreh ndër të tjera kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Për të shtuar edhe faktin se koha tregoi se themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste nuk ishin të çmendur, por se ishin të guximshëm dhe vizionarë. “Sepse vetëm pak muaj dhe pak vite kaluan, dhe situata politike në vend ndryshoi në mënyrë esenciale. Vetëm pak muaj dhe vite kaluan, dhe Partia Socialiste u rigjenerua dhe u krijua si një alternativë e të ardhmes. 23 vjet më parë në këtë sallë kishte edhe të rinj nga Kosova të cilët ishin themelues të FRESSH-it, sepse atëherë ishte momenti kur Partia Socialiste, si pasardhëse e Partisë së Punës, nga e djathta akuzohej se kishte shitur Kosovën dhe interesat kombëtare”, solli ai në kujtesën e gjithë të pranishmëve. Për të përfunduar se “pjesëmarrja e të rinjve në jetën politike dhe shoqërore është vendimtare që Shqipëria të eci më shpejt në rrugën e një rilindje të merituar evropiane në mënyrë që të rinjtë të mos mendojë të largohet nga vendi për të gjetur Europën, por të gjithë bashkë ta ndërtojmë çdo ditë e më mirë Europën në vendin tonë”.
DEKLARATA
“Rinia eurosocialiste dha një kontribut të jashtëzakonshëm për të frenuar instalimin e një regjimi diktatorial në Shqipëri në emër të gjoja “anti-komunizmit”. Forumi i Rinisë Eurosocialiste ishte organizata më unike, në lindjen e ish-komunizmit, sepse të gjitha Partitë Socialiste ish-komuniste krijuan Rininë Socialiste ish-Komuniste, ndërsa në Shqipëri ndodhi ndryshe. U krijua një rini e cila nuk kishte lidhje as me organizatën e mëparshme të Rinisë Komuniste. Madje FRESSH u krijua nga të rinj të cilët kishin qenë pjesëmarrës aktivë në lëvizjen e “Dhjetorit ‘90” që solli pluralizmin demokratik dhe demokracinë”
BATUTA
“Rama para 23 vitesh na
mori për të çmendur…”
“Me këtë rast njëkohësisht do të doja të përshëndesja edhe Kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama, i cili kam frikë se edhe ai para 23 vjetësh na ka marrë për të çmendur dhe t’i uroj suksese në punën e tij dhe të qeverisë së tij, për të krijuar një perspektivë më të mirë për të gjithë qeverinë e Shqipërisë”, ishte një nga batutat që kreu i Kuvendit, Ilir Meta përdori gjatë fjalimit të tij për 23-vjetorin e krijimit të FRESSH-it kundrejt kryeministrit Edi Rama. Duke shtuar në vijim të kësaj se “ne kemi një avantazh të jashtëzakonshëm, pasi jemi një nga vendet dhe një nga popujt më të rinj të kontinentit dhe kjo duhet të na ndihmojë për të arritur më shpejt Europën në vendin tonë”.
QËNDRIMI
Kryeministri përshëndet 23 vitet e funksionimit të rinisë eurosocialiste
Rama:
“Meqë kryetari më solli pas 23 vjet dhe unë nuk kam qenë anëtar i FRESSH-it, është e vërtetë që në atë kohë kur këta krijuan FRESSH-in m’u duken si të çmendur. Por, është po aq e vërtetë që, në atë kohë, edhe këta, edhe ata më merrnin për të çmendur. E rëndësishme është që më të çmendurit e gjetën njëri-tjetrin, më në fund, edhe Shqipëria filloi të ndërrojë faqen e vet, duke shpëtuar nga të çmendurit e vërtetë, jo nga ne”. Me këto fjalë, kryeministri Edi Rama e nisi dje fjalimin e tij në 23- vjetorin e themelimit të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë. Duke pasuar kësisoj batutën e kryeparlamentarit Meta, por edhe duke përmendur një shprehje të njohur të John Kennedy-t që thoshte: “Të jesh në qeveri është një mundësi e pashoqe t’i shërbesh vendit tënd, por po aq e pashoqe për vendin tënd është mundësia e tij për të kritikuar qeverinë tënde”. “Unë sot jam krenar, sepse në pjesën e parë të qeverisjes, ne e shfrytëzuam tërësisht mundësinë e pashoqe për t’i shërbyer vendit tonë, por edhe vendi ynë pati një pjesë të parë me mundësinë e plotë për ta kritikuar qeverisjen tonë. Por mbi të gjitha, unë këtu dua të nënvizoj atë që nuk vihet asnjëherë në listën e zotimeve, por që për ne, për mua, ka qenë zotimi i zotimeve; Shkulja e hijes së frikës nga shpirti i nxënësve, i studentëve, i mësuesve, i mjekëve, i nëpunësve, i policëve, i sipërmarrësve dhe tregtarëve të vegjël, por edhe i mediave e i shoqërisë civile; Fundi i dhunës politike mbi universitetet, gjimnazet, spitalet, administratën publike dhe kompanitë, mediat, organizatat e shoqërisë civile; Asgjësimi i presionit të politikës dhe të partive mbi bukën e gojës së rrogëtarëve të shtetit.
Kjo besoj është ajo që ka ndodhur pas 23 qershorit”, deklaroi ai. Për të shtuar gjithashtu se ne të gjithë së bashku duhet të “jemi krenarë që këtë arsye themelore që i shtyu shumë njerëz të votojnë për ne, ne e kemi parë si arsyen themelore të të qenit tonë në raport me të tjerët”. “Në qershor ne do të kemi zgjedhjet vendore dhe unë jam sot krenar të them se këto do të jenë zgjedhjet e para në Shqipëri ku asnjë mësues, apo rrogëtar i shtetit nuk do të detyrohet të marrë pjesë me zor në miting. Asnjë klasë e vetme gjimnazi nuk do të trajtohet si “kope delesh” që duhet të dëgjojë me zor fyejt e politikës. Asnjë shkollë në Republikë nuk do të lërë asnjë minutë mësimi për të mbushur sheshin e betejës elektorale. Së bashku me ju të gjithë, me sivëllezërit dhe simotrat tuaja të Lëvizjes Rinore për Integrim, në një aleancë të madhe me popullin shqiptar, ne fituam betejën historike të 23 qershorit, e cila na dha mundësinë e pashoqe t’i shërbejmë në vendin tonë dhe të përpiqemi të sakrifikojmë për të rilindur Shqipërinë e rrënuar”, tha mes të tjerash Rama. Për të përfunduar se detyra drejt këtij stacioni nuk është t’i kthejmë zgjedhjet vendore në një betejë politike, por të zgjerojmë më tutje shpresa, dëshira, interes qytetar; të zgjojmë njësitë vendore që po lindin nga reforma themelore e shtetndërtimit, reforma administrative-territoriale, që është një nga veprat më të rëndësishme për interesin kombëtar dhe publik të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
DEKLARATA
“Një parantezë e kam këtu për të gjithë djemtë që janë këtu në sallë, që nga Pandeli Majko e deri tek nxënësi më i vogël. Ne burrat e PS dhe të LSI do ta mbështesim kërkesën e grave të PS dhe të LSI-së për të pasur në këshillat e ardhshëm bashkiakë, barazi gjinore të plotë, 50% gra dhe vajza, 50% burra dhe djem, si një mishërim besnik i raporteve të çdo komuniteti”.