Rama: Mirëseardhja në Tiranë e ambasadores së re të Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa
Kryeministri Edi Rama priti sot në Kryeministri ambasadoren e re të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila ka marrë zyrtarisht detyrën në krye të Delegacionit të BE-së në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama ndau foto nga takimi me ambasadoren e re, ndërsa shkroi: “Mirëseardhja në Tiranë e ambasadores së re të Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa”.
Takimi vjen pak ditë pas marrjes zyrtare të detyrës nga diplomatja portugeze. Më 2 shtator, Moreira de Sousa i paraqiti letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke formalizuar fillimin e mandatit të saj si ambasadore e Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ajo do të drejtojë Delegacionin e BE-së në Tiranë për katër vitet e ardhshme.
Në deklaratën e saj pas paraqitjes së kredencialeve, ambasadorja e re e cilësoi integrimin evropian të Shqipërisë si një proces në një fazë vendimtare, duke theksuar se synimi i përbashkët duhet të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve. Ajo u shpreh se do të punojë ngushtë me autoritetet shqiptare dhe partnerët e tjerë për të avancuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Sofia Moreira de Sousa është diplomate portugeze me më shumë se dy dekada përvojë në çështjet evropiane, politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Para emërimit në Shqipëri, ajo ishte drejtuese e Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Portugali, detyrë që e mbajti që prej shtatorit 2021.
Më herët, Moreira de Sousa ka shërbyer për rreth katër vjet si ambasadore e BE-së në Kepin e Gjelbër, ku ishte përgjegjëse për marrëdhëniet dypalëshe BE-Kepi i Gjelbër dhe për drejtimin e përgjigjes së ekipit “Team Europe” ndaj pandemisë.
Karriera e saj përfshin gjithashtu postin e ambasadores së deleguar të BE-së në Afrikën e Jugut, këshilltare në Shërbimin Evropian për Veprimin e Jashtëm, si dhe angazhime në Delegacionin e BE-së pranë Bashkimit Afrikan në Addis Abeba dhe në çështjet që lidhen me Kaukazin e Jugut. Ajo ka punuar gjithashtu në Sekretariatin e Përgjithshëm të Këshillit të BE-së, Agjencinë Evropiane të Hapësirës dhe Akademinë e së Drejtës Evropiane në Trier të Gjermanisë.
Emërimi i Moreira de Sousa në Tiranë u njoftua në kuadër të rotacionit diplomatik të BE-së në vitin 2026. Ajo pason në këtë detyrë diplomatin italian Silvio Gonzato, i cili drejtoi Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri gjatë viteve të fundit.
Mandati i saj në Tiranë nis në një periudhë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Në deklaratën e saj të parë pas marrjes së detyrës, Moreira de Sousa theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të rrugës drejt BE-së dhe se puna e saj do të përqendrohet në mbështetjen e këtij procesi.
KOHA JONË SONDAZH

