
Ish-Presidenti Bamir Topi, thotë se pas 137 ditësh protestash paqësore, qytetarët i kanë treguar kryeministrit Edi Rama “kartonin e kuq”, pasi sipas tij, ai nuk ka reflektuar ndaj mesazheve dhe kërkesave të tyre. ”Kur ti merr kartonin e kuq, nuk ke të drejtë të komunikosh me arbitrin, që në këtë vend janë njerëzit”, deklaroi Topi në ”News 24”, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e vazhdimit të dialogut të Ramës me protestuesit.
Ish-kreu i shtetit kritikoi gjithashtu mënyrën e ushtrimit të pushtetit nga kryeministri, duke theksuar se sjellja e tij nuk është e re, por lidhet me mënyrën e të menduarit dhe drejtimit. ”Kjo strukturë e të menduarit, që e njohim prej kohësh, nuk ka si të mos ekspozohet sot, kur ai ka të gjitha pushtetet”, u shpreh ai.
Topi ngriti edhe shqetësimin për largimin e figurave intelektuale nga politika shqiptare. Sipas tij, personalitete me formim kulturor dhe akademik, që kanë tentuar të konkurrojnë me drejtuesit kryesorë politikë, janë mënjanuar nga skena politike.
Ish-presidenti kritikon drejtuesit e partive për krijimin e një vakumi në përfaqësimin politik, i cili, sipas tij, po mbushet nga njerëz pa përgatitjen e duhur. ”Ky vakum, për shkak të liderëve të partive, mbushet me njerëz mediokër dhe ikën pjesa intelektuale që mund të ketë aftësi për të realizuar ligje”.
