Rama në “Flasim”: I paharrueshëm vlerësimi me medaljen “Zayed”, nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Mohammed bin Zayed Al Nahyan
Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot të paharrueshëm vlerësimin me medaljen “Zayed”, nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Gjatë podkastiti “Flasim”, Kryeministri theksoi se ky vlerësim e ka prekur dhe njëkohësisht e ka bërë shumë krenar për Shqipërinë.
“Ky moment më ka prekur personalisht dhe më ka lënë pa fjalë, për hir të së vërtetës, gjë që nuk më ndodh shpesh, siç edhe mund ta merrni me mend, se te fjalët nuk mbetem ndonjëherë mangut përgjithësisht, por këtë herë kam mbetur mangut. Ishte momenti kur një mik i madh i Shqipërisë, një mik i vjetër i shqiptarëve dhe një personalitet i madh i politikës botërore, që jam i nderuar ta quaj mik, më ka bërë një surprizë në Pallatin Presidencial, duke më akorduar medaljen më të lartë të Emirateve të Bashkuara, e cila mban emrin e themeluesit të Emirateve, Sheikh Zayed.”
Rama theksoi se presidenti Mohammed bin Zayed Al Nahyan, i ka bërë një vlerësim që realisht, për nga mënyra, vendi dhe, mbi të gjitha, për nga pesha që ka, është absolutisht i paharrueshëm.
“Nuk e di sa unë e meritoj, por di që të qenit në radhë me ata që e kanë marrë më parë këtë vlerësim më bën shumë krenar për Shqipërinë si kryeministër shqiptar dhe, njëkohësisht, më ngarkon edhe me më shumë, si të thuash, përgjegjësi, nëse mund të ketë akoma, në raport me çuarjen përpara të këtij misioni që më kanë besuar shqiptarët, që është Shqipëria në Bashkimin Evropian dhe një Shqipëri krenare, dinjitoze, kryelartë kudo në botë”, u shpreh Kryeministri. ATSH
KOHA JONË SONDAZH

