”Rama një hap larg derës së burgut”, Boçi: Amerika mbështet aksionin opozitar dhe protestat
Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi thotë se kryeministri Edi Rama ndodhet në pikën më të dobët politike, ndërsa sipas tij, presioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar po shkojnë paralelisht drejt një zgjidhjeje politike. Boçi thotë se protestat e opozitës do të vijojnë dhe do të përshkallëzohen në forma të ndryshme, si në rrugë ashtu edhe në parlament, me një objektiv të vetëm: largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
”Rama është para derës së burgut. Ai po mbron pushtetin për të mbrojtur veten”, tha Boçi, duke shtuar se çdo veprim i kryeministrit ka si synim shpëtimin personal dhe jo interesin publik. Boçi shton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gjithnjë e më pranë qëndrimeve të opozitës, edhe pse jo gjithmonë përmes deklaratave publike direkte.
”SHBA na mbështet. Ka miratim të qartë që opozita të vazhdojë protestat në të gjitha format dhe mënyrat”, u shpreh Boçi, duke shtuar se raportet ndërkombëtare, përfshirë ato të OSBE/ODIHR, kanë dëshmuar grabitjen e zgjedhjeve dhe shkrirjen e shtetit me partinë. Sipas tij, reagimet ndërkombëtare mund të mos jenë të menjëhershme, por janë të vazhdueshme dhe strategjike, ndërsa presioni i qytetarëve do të jetë vendimtar.
KOHA JONË SONDAZH

