Rama: Nuk erdha në pushtet të plakem Kryeministër

Zoti kryeministër, thatë se qeveria juaj do ta marrë gjykimin pas 4 viteve. Por a do ketë një reflektim nga qeveria për ato masa që janë quajtur drastike, në veçanti sa i përket politikës fiskale?

Ne jemi zgjedhur për të marrë masa drastike dhe jo për të vijuar pazarin e vjetër. Besoj se mua shqiptarët, koalicioni qeveritar dhe partneritetit strategjik me LSI më kanë besuar detyrën e kryeministrit dhe jo rolin e Lala Gjonit. Koha e Lala Gjonit thoshte ‘sa të jem unë hani pini dhe këndoni dhe pastaj bëni ç’të doni’. Ndërtoni pa leje sa të doni dhe vidhni energjinë. Ne do ta shërojmë Shqipërinë nga kanceri që ka në sistem. Kemi kudo metastazat e një kanceri sistematik dhe reformat tona janë reforma që ndryshojnë sistemin. Kanceri nuk luftohet me aspirina, me kozmetikë, etj, por me kimioterapi, me rreze dhe operacione të dhimbshme por që janë e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar lëngimit dhe agonisë së një shoqërie dhe ekonomie siç e gjetëm ne. Pra, unë ju siguroj se jo vetëm që nuk do të tërhiqemi nga asnjë gjë, por do vijojmë drejt. Nuk ka vend për të zbutur ndonjë masë, por ka vend për të vijuar më tutje me masa drastike për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria e pisllëkut, e rrumpallës dhe e një pabarazie të madhe.

Kryetari i PD, Lulzim Basha ju ka drejtuar 9 kërkesa të karakterit ekonomik, që sot janë përkthyer në 31 amendamente. A jeni të gatshëm t’i bisedoni?

Ne jemi në krye të detyrës, aty ku kemi detyrën të jemi: në qeverisjen dhe në Parlamentin e vendit. Në çdo moment opozita është e mirëseardhur të vijë në Parlament dhe ne do të diskutojmë me të, por ne nuk do lëmë punën dhe të shkojmë ta gjejmë opozitën aty ku ajo ka vendosur të mblidhet për të diskutuar amendamentet e saj që, e përsëris, janë produkt i të njëjtit vizion, i të njëjtit program dhe i së njëjtës filozofi për shtetin që e shkatërroi Shqipërinë.

Zoti kryeministër, sa i shqetësuar jeni për marrjen e një kostoje politike, më së afërmi në zgjedhjet e vitit 2015, për këto reforma dhe vullnetit tuaj për të mos u ndalur? Natyrisht reformat janë përshëndetur nga qytetarët, por ka edhe të pakënaqur…

Po ju them shkurt. E dini pse Shqipëria u katandis aty ku u katandis dhe është sot në këtë gjendje që vazhdojmë të luftojmë përditë për ta nxjerrë? Sepse Shqipëria u qeveris për vite të tëra me filozofinë ‘unë të mbaj pushtetin dhe pas meje të bëhet qameti’. Me filozofinë që të mos u presim dritat qytetarëve sepse na mërziten dhe s’na japin votat; të mos u prishim ndërtimet pa leje sepse mërziten dhe nuk na japin votat; të mos bëjmë shtetin sepse na duhet pushteti. Për çfarë na duhet ky pushtet? Unë nuk kam kërkuar votat për t’u plakur në krye të qeverisë. Unë kam kërkuar votat bashkë me Ilir Metën dhe koalicionin tonë për të bërë ato gjëra që kemi marrë përsipër. Ato gjëra që kemi marrë përsipër janë shumë të bukura për t’u dëgjuar por kërkojnë mund, sakrifica dhe kanë dhimbjet e tyre për t’u realizuar. Nuk ka lindje që nuk ka dhimbjet e veta dhe nuk ka rilindje pa kostot e veta. Për sa na përket, ne jemi gati të marrim përsipër të gjitha kostot dhe nëse do të marrim një mandat tjetër atë do ta kemi bazuar në sa reforma bëmë dhe sa e vumë në vijë shtetin shqiptar.

Kryeqytetit përkujton 102 vjetorin e ngritjes së flamurit

Basha: Një ditë për të vlerësuar tiranasit autoktonë

Bashkia e Tiranës përkujtoi dje ngritjen e flamurit në Tiranë përmes një ceremonie të veçantë, organizuar pikërisht në vendin ku u ngrit ky flamur 102 vjet më parë. Ngritja simbolike e flamurit ka hapur këtë ceremoni në të cilën morën pjesë personalitete të shquara të qytetit të Tiranës, përfaqësues të familjeve firmëtare të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së pavarësisë, drejtues të pushtetit vendor, Prefekturës, të Qarkut të Tiranës, deputetë etj. Kryebashkiaku Lulzim Basha duke u përulur me nderim dhe mirënjohje para firmëtarëve të pavarësisë dhe atyre që ngritën flamurin në Tiranë shprehu bindjen se duke bashkuar energjinë pozitive të shpirtit të Tiranës dhe Shqipërisë do të mundësohet tejkalimi i çdo pengese, çdo bllokimi, çdo vullneti të mbrapshtë dhe do të ecë përpara projekti i Shqipërisë moderne, Shqipërisë europiane. “Duke bashkuar energjinë pozitive të shpirtit të Tiranës, shpirtit të tiranasve do të dimë të tejkalojmë çdo pengesë, çdo bllokadë, çdo bllokim, çdo vullnet të mbrapshtë, për të çuar përpara ëndrrën e shpallësve të pavarësisë në Tiranë, Vlorë e gjithë Shqipërinë, një Shqipëri moderne, një Shqipëri europiane, një Shqipëri të zhvilluar, ku shqiptarët të kenë mundësi dhe shanse të barabarta për të ndërtuar një jetë më të mirë”,- tha Basha. Kreu i Bashkisë bëri gjithashtu të ditur sot se në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak do të propozojnë shpalljen e Ditës së Falënderimit për komunitetin autokton tiranas dhe ngritjen e një komisioni i cili do të përcaktojë vendosjen e emrave të personaliteteve dhe familjeve të njohura tiranase, disa rrugëve dhe shesheve në kryeqytet. “Kam nderin t’ju njoftoj se do i propozoj Këshillit Bashkiak në mbledhjen e ardhshme miratimin e Ditës së Falënderimeve për komunitetin autokton tiranas, për këta njerëz të dyerve më të mëdha edhe se vetë Porta e Lartë, jo për nga dimensioni por për nga bujaria dhe fisnikëria që bënë të mundur pritjen dhe kthimin e këtij qyteti në kryeqytet edhe para dizenjimit si të tillë nga Kongresi i Lushnjës, përmes fisnikërisë, dhembshurisë, largpamësisë që treguan tek pritën bashkëatdhetarët e tyre të përndjekur, nga çdo cep, nga të katër anët e vendit nga shovinistët, nga fqinjët me synime grabitqare ndaj trojeve shqiptare”,- tha Lulzim Basha.

 

 

Po kështu, nismën për krijimin e komisionit për emërtimin e rrugëve të Tiranës, me qëllim që këta patriotë dhe dhjetëra e qindra patriotë të tjerë të Tiranës të kenë vendin, kumtesën, nderimin që meritojnë në rrugët e Tiranës, në sheshet e Tiranës, në jetë të jetëve, në kujtimin tonë dhe brezave që do të vijnë” – deklaroi zoti Basha.

SHKARKO APP