Rama për negociatat: Njerëzit e ligj përdorin shqiptarët si mish për top ndaj qeverisë. Nuk e dinë që të japin ujë në bisht të lugës
Kryeministri Edi Rama, bashkë me drejtuesen politike të qarkut Fier Belinda Ballaku dhe dy ministrat Malaj dhe Salla, bashkëbiseduan me fermerët e Krutjes, nga ku kreu qeverisë komentet për heqjen e subvencionit të naftës për fermerët i quajti të neveritshme dhe te nxjerra nga konteksti.
Kreu i qeverisë foli për negociatat për Bashkimin Europian, duke mohuar në mënyrë kategorike se janë bllokuar.
“Tregu europian do të thotë që ne do bëhemi pjesë e atij tregu dhe jo thjesht do jetë standardi i sigurisë ushqimore për qytetarët ai që duhet në Europë, por i njëjti do të jetë edhe këtu, sepse edhe qytetarët e Shqipërisë do kenë standardet europiane.
Si do realizohet kjo tani? Duke thënë që “o Zot, bëje ëndërr se nuk do ndodhë”? Do ndodhë. Do vijë dhe do vijë më shpejt sesa mund ta imagjinojmë dhe sesa mund të thonë ata që bërtasin kot më kot. Nuk është bllokuar asgjë. E dëgjuat ambasadorin e Bashkimit Europian: doli dhe tha se s’ka pasur asnjë bllokim, sepse s’ka çfarë të bllokohet.
Ajo që dua të them është se gjëja do të ndodhë shpejt dhe pjesa e negociatave është kjo: një nga gjërat që ne negociojmë është sa vite do na lini që fermerët tanë të adaptohen. Sepse nëse ne hyjmë në Bashkimin Europian në 2030, nga sot deri në 2030 janë më pak se pesë vjet. Fermerët tanë nuk adaptohen dot të gjithë deri në 2030. Do duhet një periudhë tranzitore.
Pra, sa vite do na lini? Dhe kemi arritur të marrim një premtim që do ta nënshkruajmë, që do ta shtyjmë edhe pesë vjet të tjera. Pra do hyjmë në Bashkimin Europian dhe do kemi edhe pesë vjet periudhë lehtësimi.
Janë më pak se 10 vjet nga sot. Ikën shpejt. Më pyesni mua sa shpejt ikin, bashkë me Dhimon. Mos pyesni këta, se këta mendojnë se ikin ngadalë. Ikën shpejt.
Atëherë duhet rendur tani, duhet fuqizuar ferma, duhen fuqizuar fermerët tani, jo me përralla, jo me lëmosha, jo me iluzione, jo me ide që s’të çojnë askund. Jo “hajde se po ju japim nga një thërrime sikur janë ndihma sociale”. Por me të vërtetën ballë për ballë: kush do të bëhet më i fuqishëm, t’i ketë të gjitha në dispozicion; kush nuk do dhe do të rrijë si dele e vetmuar, do ta hajë ujku, sepse nuk ka asnjë mundësi për ta ndihmuar.
Dhe prandaj ky mekanizmi i ri, të cilin, siç thashë, do ta prezantojmë në fund të prillit dhe do bëhet efektiv në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, do të krijohet pikërisht për këtë gjë.
Të gjithë ata që sot kanë një ndërmarrje të vogël mund ta dyfishojnë. Mund ta dyfishojnë sepse çfarë i pengon sot? Financimi. Çfarë e pengon sot një fermer që i di gjërat? Çfarë mund t’i pengojë këta djem këtu? Po marr si shembull që të bashkojnë këto dy sera me një serë tjetër. Çfarë i pengon? I pengon financimi.
Pse? Sepse po të shkojnë në bankë drejtpërdrejt, do t’u japin kushte që janë të pamundura, me interesa të larta dhe me penalitete të rënda, dhe sepse bankat jo vetëm në Shqipëri, por kudo, e shikojnë bujqësinë si një fushë me shumë risk.
Tani këtij këtu i bie një furtunë dhe i ngre në ajër atë gjënë. Ama ne do t’i japim këtë mekanizëm. Do t’i bashkosh këto dy serat me një serë tjetër? Po. Paraqit planin konkret. Merr kredinë me garanci, me të gjitha nga ky mekanizëm. Do të bësh dyfishin e këtyre serave — po flas për të dhënë shembulli, deri në 2 milion euro i ke. Të tjerat do vijnë kur të fuqizosh veten dhe këtu do të mbështesim bashkimet”, u shpreh Rama.
KOHA JONË SONDAZH

