Rama për ‘Reuters’: S’janë kohë të mira, por do kërkojmë borxh
Shkalla e mbledhjes së taksave në Shqipëri është ndër të voglat në botë, por kjo shkruan 'Reuters' nuk e ndalon vendin tonë të emetojë një Eurobond prej 300 milionë deri në 500 milionë euro (338 milionë dollarë deri në 563 milionë dollarë).
Planifikimin e Eurobondit 5-vjeçar që maturohet në nëntor të këtij viti e konfirmoi edhe kryeministri Rama në Nju Jork.
Edhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi javën e kaluar se nga data 28 shtator për 4 ditë me radhë Shqipëria do të jetë në tregjet kryesore europiane për të emetuar eurobondin.
“Ne kemi një Eurond që është duke u maturuar, kështu që vendosëm të dalim në tregje. Ne shpresojmë të marrim një përgjigje të mirë, edhe pse kohët nuk janë më të mirat”, tha Rama per 'Reuters', duke iu referuar situatës së paqëndrueshme të tregjeve globale.
Edhe në rast se Eurobondi nuk arrin të emetohet, qeveria mund të përdorë huanë prej 250 milionë eurosh marrë nga Deutsche Bank, të mbështetur në instrumentin financiar të Bankës Botërore, ndërsa pjesa tjetër (50 milionë euro) mund të sigurohet në tregun e brendshëm.