“Rama po kër*ënon opozitën”, Arben Malaj: Po krijon mite për të larguar vëmendjen nga përmbytjet
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj komentoi ftesën e Donald Trump për kryeministrin Edi Rama për të marrë pjesë në Bordin e Paqes për administrimin e Gazës, duke theksuar se kjo nuk është një nismë personale, por një ftesë shtetërore për mbi 100 vende. Për të Rama po përpiqet të krijojë mite për të larguar vëmendjen nga problemet reale brenda vendit, si përmbytjet, apo zvarritja e reformave.
Sipas Malajt vendi ynë nuk e meriton këtë model qeverisje dhe këtë fushatë mitizimi. ”Ky vend nuk e meriton këtë model qeverisje, këtë papërgjegjshmëri dhe këtë fushatë mitizimi që në fakt e çmitizon brenda vendit të tij Edi Ramën. Kush nuk do t’ia thotë në sy, jam i bindur që do të jetë të parët që do t’i ngrihen kundërt sapo të ndjejë që pushteti i atij do të reduktohet”, tha Malaj në A2 CNN. Ai sjell në vëmendje dështimet e mëdha të vendit tonë dhe thekson se ata që i shërbejnë me servizlizëm Ramës, po e dëmtojnë atë. Ish-ministri ka akuzuar gjithashtu kryeministrin se po kërcënon opozitën dhe po ushqen një klimë politike të tensionuar, ku mbizotëron koncepti i “armikut politik” dhe jo i kundërshtarit.
”Për ne fatkeqësisht në politikë vepron koncepti i armikut politik, jo i kundërshtarit, jo i konkurrentit, por gjithmonë ne duam ta shikojmë opozitën e vendit tonë sa më të dobët, siç synonte atëhere Berisha dhe tani fatkeqësisht kjo është kthyer dhe në një kulturë të kopjuar edhe nga mazhoranca”, theksoi Malaj. Ai i quajti kërcënim deklaratat e mazhorancës ndaj opozitës për reformën zgjedhore, ndërsa apeloi për bashkëpunim dhe dialog politik.
”Nuk mund të kërcënohet opozita për dy reforma zgjedhore që po s’ erdhe brenda shtatë ditësh ne s’kemi asnjë orë për të humbur me ju. Jo, ne do të humbasim qindra orë me njëri-tjetrin që të garantojmë që politika shqiptare të ç’tensionohen, që të garantojmë që reformat që zvarriten të bëhen me çdo kosto, që të garantojmë se do t’i rikthejmë fondet e humbura Shqipërisë vetëm në sektorin e bujqësisë 155 milionë euro dhe nuk e dimë sa janë ato për e-goverment dhe të krijojmë kulturën e ndarjes kombëtare dhe të pushteteve. Çdo fitore tjetër personale që po mitizohet sikur na i ka dërguar Zoti nga lart, e dëmton Edi Ramën. Në qoftë se Edi Rama nuk e kupton këtë gjë, por i pëlqen kjo edhe sipas fjalë e tij, atëherë ky është një risk për zhvillimet politike të vendit tonë”.
KOHA JONË SONDAZH

