Rama: Progresi i raportit, gotë e mbushur përgjysmë. Brenda vitit 2027 do ta mbyllim këtë proces
Kryeministri Edi Rama ka marrë sot zyrtarisht progres-raportin e KE-së për Shqipërinë nga ambasadori Silvio Gonzato.
Rama e cilësoi raportin si një gotë e mbushur përgjysmë, ndërsa theksoi se fokusi do të jetë te gjysma bosh në mënyrë që brenda vitit 2027 të përmbyllet ky proces.
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh se ndihet krenar që më në fund Shqipëria është shembulli pozitiv që u jepet vendeve të tjera që duan të bëhen pjesë të BE-së.
“Ky raport thotë shumë gjëra, por mbi të gjitha thotë një gjë: që Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027. Duke thënë këtë, raporti i ka thënë të tëra. Ndërkohë që patjetër, në këtë rrugë të duhur ka sfida në çdo hap. Sfida dhe çështje për t’u adresuar jo vetëm në sasi, por edhe cilësore në çdo hap. Raporti i progresit është një gotë e mbushur përgjysmë: ajo që kemi bërë dhe ajo që do bëjmë.Por duke marrë të gjithë energjinë e nevojshme nga gjysma plot, të fokusohemi te gjysma bosh, në mënyrë që brenda vitit 2027 ta përmbyllim këtë proces.
Ky është objektivi historik, kjo është ambicia jonë. Jam krenar që askush nuk harron të thotë që Shqipëria është në pararojë të këtij procesi bashkë me Malin e Zi. Më në fund, Shqipëria është shembulli pozitiv që u jepet vendeve të tjera që duan të bëhen pjesë e BE-së. Ky është raporti për mua.
Ne kemi kryer në një kohë rekord hapjen e pesë grupkapitujve. Besoj që do të kryejmë edhe hapjen e grupkapitullit të gjashtë dhe do ta mbyllim vitin me kapitujt e hapur. Kjo ka ardhur si rezultat i faktit që dëshiroj ta sjell në vëmendje: në vitet e poshtërimit, ato vite kur na jepte Komisioni, por na i refuzonte Këshilli; kur Komisioni rekomandonte hapjen e negociatave, e Këshilli nuk arrinte dot t’i hapte, ne kemi qenë duke u përgatitur për ditën kur negociatat do të hapeshin“, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

