Rama promovon librin ”Në Sofrën e Hënës”: Bashkëjetesa fetare duhet kultivuar
”Në Sofrën e Hënës” është libri më i ri nga kryeministri Edi Rama, dhe ka të bëjë me një përmbledhje të fjalëve dhe reflektimeve gjatë mbrëmjeve tradicionale të iftarit të organizuara ndër vite. Rama shpreh se përvoja e iftareve ndër vite e ka nxitur të thellojë njohuritë për islamin dhe historinë e tij në Shqipëri, duke kundërshtuar stereotipet që e paraqesin atë si diçka që ul kulturën evropiane, ndërsa theksoi se në një botë me zhvillim gjithnjë e më të shpejtë rritet edhe nevoja e njeriut për të besuar. Nga ana tjetër Rama u shpreh se tradita e iftarit është më shumë se një ritual fetar, pasi shërben si një edukatë dhe ushtrim social që bashkon njerëzit rreth sofrës, duke theksuar se ajo është e hapur për të gjithë, madje edhe për ateistët.
“Në fund fare besoj që tradita e iftarit përtej ritualit fetar është edukatë sociale, është mësim social, është ushtrim social sepse është unike. Ne nuk na mungojnë tavolinat, ne edhe diskutimet më të zjarrta për gjendjen jo të mirë ekonomike i bëjmë duke ngrënë pula edhe në abondancë, por ne nuk e kemi dot dhe njerëzia nuk e ka dot këtë oportunitet që të jep tradita e iftarit kur je në tavolinë, ndan bukën, ndan momentin rreth tavolinës, por nuk je në fakt aty i prirur të shijosh ushqimin, por je në radhë të parë i prirur të shijosh faktin që je bashkë më të tjerët. Dhe natyrisht unë jam i bindur që kjo për ata që agjërojnë është më e fortë edhe më e shëndetshme, po themi për shpirtin. Unë e kam thënë qysh në fillim në iftarin e parë, ftova disa njerëz që nuk ishin mësuar ndonjëherë, disa erdhën, disa nuk erdhën.
Njëri më çoi një mesazh shumë të egër kundër faktit që unë po organizoja një iftar në Kryeministri, se Kryeministria është laike e ku di unë etj., ma shpalli ateizmin fuqishëm. Unë besoj që iftari është dhe për ateistët. Sofra është dhe për ateistët. Nuk kanë pse i ikin ftesës thjesht dhe vetëm për faktin që nuk janë myslimanë apo që nuk besojnë, përkundrazi nëse ata nuk besojnë tek Allahu, mbase Allahu beson tek ata, që mund të ketë një ditë dhe për ata, ose Zoti ta quajmë tani, se mua kanë qejf të mi ngatërrojnë këto punët e fesë ndërkohë që unë i kam shumë të thjeshta, shumë të qarta, jam i bindur që dhe kur të shohin ndonjë gjë nga kjo shumëkush do thotë po pse s’u ftova unë ndërkohë që iftarin e madh e kemi në ditët në vijim siç e kemi bërë çdo vit sepse nuk është e lehtë të futesh në këtë territor dhe aq më tepër të pretendosh ta mbështjellësh në një libër”.
KOHA JONË SONDAZH



